Adelina Ismaili refuzon të dëshmojë për vrasjen e ish-të fejuarit

Këngëtarja Adelina Ismaili duket se nuk po i lan dot hesapet përfundimisht me të shkuarën e dhimbshme, kur i vranë të fejuarin. Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, në seancën e para pak ditëve, ishte paraparë të dëshmonte këngëtarja Adelina Ismaili, mirëpo ajo nuk u paraqit në Gjykatë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Agim Kuçi, për të njëjtën në fletëthirrje është shënuar se është adresa e panjohur. Në Gjykatë nuk u paraqitën as motrat e saj, Zanfina e Ema Ismaili, pasi për të njëjtat në fletën e thirrjes është shkruar se adresa rezulton e panjohur, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Seanca në këtë rast vazhdon me dhënien e dëshmisë së dëshmitares Kaltrina Berisha, e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj të akuzuarin Sekiraqa e ka djalë të hallës. Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës, ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti ndodhi në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident, i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. Këngëtarja Adelina Ismaili është një nga artistet ikonë të Kosovës, e cila së fundi i është rikthyer muzikës dhe televizionit në Prishtinë, pas disa vitesh shkëputjeje dhe qëndrimi në Prishtinë.

Tashmë, me statusin e nënës së një djali që quhet Uliks, Adelina po jeton një martesë të konsoliduar me ish-menaxherin e njohur Val Krasniqin. Fotot e Adelina Ismailit me bashkëshortin e saj dhe Uliksin në rrjetet sociale janë shumë të pakta, por sa herë poston diçka dhe sa herë flet për jetën jashtë profesionit, ajo di të tërheqë vëmendjen.

Kohët e fundit u është kthyer eventeve muzikore pas një kohe të gjatë pushimi e dedikimi të plotë familjes dhe të birit. Por duket se e shkuara e dhimbshme e artistes ka trazuar ujërat e martesës së saj të qetë këto tre vitet e fundit. Arsyeja ishte gjyqi që u mbajt në Kosovë tre vite më parë për vrasjen e ish-të fejuarit, ku Adelina Ismaili ishte thirrur për të dëshmuar rreth ngjarjes së rëndë të para disa viteve, ku emri i saj u përfol gjatë.

Ajo duhet të ishte prezente për të dëshmuar në gjyqin, që po mbahej ndaj Enver Sekiraqës për vrasjen e efektivit Triumf Riza në vitin 2007, por Adelina Ismaili nuk u paraqit dhe Gjykata madje nuk i di as adresën e shtëpisë këtu e tre vite më parë.

Mediat e Kosovës shkruanin se Gjykata i ka dërguar kërkesë këngëtares për të marrë pjesë në gjyq, por s’kanë mundur dot të bien në kontakt me Adelinën, e cila nuk ka dhënë detaje të një adrese të re, ndërsa numrat e telefonit nuk kanë dalë të vlefshëm. Në mungesë të Adelinës, prokurori special Haki Gegaj shtroi kërkesën që deklaratat e dhëna më parë nga Adelina të rilexohen.

Pjesë e këtij procesi gjyqësor janë edhe katër dëshmitarë që do të dëgjohen në seancat e radhës, mes të cilëve dy motrat e Adelinës: Ema dhe Zanfina Ismaili, por dhe ato nuk janë paraqitur. Enver Sekiraqa po gjykohet nën akuzat e Prokurorisë për nxitjen e vrasjes së policit nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, Triumf Riza (ish-i fejuari i Adelinës).

LEXO EDHE  FOTO/Një dron me një mesazh për Fifin, çfarë po ndodh në Big Brother

Sekiraqa në vitin 2016 ishte dënuar me 37 vite burg, por rasti është rikthyer për rigjykim. Është përfolur se përkeqësimi i marrëdhënies së Sekiraqës me Triumf Rizën, kishte si burim këngëtaren, e cila në atë kohë kishte konfirmuar lidhjen e saj me ish-policin.

NJË VRASJE DHE NJË DOKUMENTAR, E SHKUARA E HIDHUR QË PËRNDJEK ADELINA ISMAJLIN

Në gjykimin e Enver Sekiraqës për nxitjen në vrasjen e Triumf Rizës, disa vite më parë dëshmoi Besnik Hasani, shoku dhe kolegu i këtij të fundit. Dëshmitari Hasani deklaroi se Adelina Ismaili ka qenë e bindur se Enver Sekiraqa (që po gjykohet ende), ka vrarë Triumf Rizën.

“Adelina ka qenë e bindur që Enver Sekiraqa e ka vrarë Triumfin, ajo edhe vetë ka qenë e kërcënuar, biles kam një pjesë të incizimit kur e thirrin Adelinën në telefon, edhe i thonë që ki me shku edhe ti te Triumfi shumë shpejt!”, tha dëshmitari.

Ai në pyetjet e prokurorit special Haki Geci, deklaroi se Triumfi, të vetmin problem që kishte, e kishte me Enver Sekiraqën. “Triumfi gjithmonë e ka përmendur Enver Sekiraqën dhe grupin e tij kriminal, ai nuk ka pasur problem me tjetërkënd, këtë jua garantoj me jetë!”, tha dëshmitari.

Pyetjet e Kosovare Kelmendit, avokates së Enver Sekiraqes, nuk u lejuan nga Gjykata, me arsyetimin se nuk kishin të bënin me çështjen. Pas kësaj, avokatja Kelmendi deklaroi se e bojkoton marrjen në pyetje të dëshmitarit, për faktin se ky dëshmitar nuk ka kredibilitet dhe nuk pritet që të jetë i paanshëm, pasi që ka marrëdhënie armiqësore me Enver Sekiraqën.

Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe për detyrim. Për këto vepra ishte dënuar me 37 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim. Për vrasjen e policit Riza, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, pasi është gjetur fajtor në akuzën se ka qenë ai që e ka vrarë Triumf Rizën në vitin 2007 në lagjen “Santea” në Prishtinë.

Historia e këngëtares së njohur Adelina Ismaili me një nga gangsterët më të frikshëm të Prishtinës, Enver Sekiraqa, ishte pjesë e një dokumentari ekskluziv të transmetuar në emisionin “Zona Express”, vite më parë.

Në këtë dokumentar janë transmetuar për herë të parë pamje dhe dëshmi të padëgjuara më parë, një prej të cilave ishte edhe zhvatja e këngëtares nga gangsteri Sekiraqa, me të cilin u fol se ka pasur edhe një lidhje dashurie.

Adelina Ismaili u mor në mbrojtje prej Riza Rizës pasi zhvatej nga Sekiraqa, ndërsa prokurori i EULEX dyshon se gangsteri i bënte presion kësaj të fundit edhe me foto. Pikërisht, publikimi i fotove komprementuese të këngëtares thuhet të jetë edhe arsyeja pse ajo ndryshoi dëshminë në gjyq, duke mohuar të gjitha akuzat.

Megjithatë, në dënimin e Sekiraqës me 37 vite burg për nxitjen dhe vrasjen e policit Triumf Riza është edhe akuza e zhvatjes së këngëtares Ismaili në shuma deri në 9 mijë euro.

/PanoramaPlus