Kryepolici i ri përballë betoniereve të oligarkëve që mbajnë në punë Erion Ahmetajn

Nga Boldnews.al

Në drekën e fundit të lamtumirës, Ardi Veliu i gjeti një vend të mirë në tavolinën e bollshme edhe Shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Erion Ahmetaj. Ngri e ul dolli për suksese të mëtejshme nga drejtuesit e policisë së shtetit, por në ndonjë rast u panë edhe pezmatime, pasi “shefi i madh” për ta, dhe (ushtari i bindur i Rilindjes) për qeverinë, nuk do të jetë më.

Veliu iku, e kreu misionin e tij “fisnik” në mbrojtje të pushtetit. Tashmë kryepolici i ri Gledis Nano sapo ka marrë detyrën. Me një varg medaljesh dhe gradash në supe, Nano premtoi se do të punonte me devotshmëri dhe ndershmëri. Shumë e kanë thënë dhe të gjithë kanë dështuar. Megjithatë është ende shpejt të kuptohet nëse do të jetë një zgjatim i vargut si “gjithë të tjerët”, apo vërtetë do të ndodhin ato që thuhen në korridoret e errëta të kupolës së policisë se do të ketë një reformë të thellë.

Së pari do të bëjë një bilanc për secilin drejtues, e nëse do të ketë dorë të lirë, pa pasur fishkëllima qeveritare për emra të veçantë, apo telefonata nga “bosët e biznesit”, të parët që do të duhet minimalisht të shkarkohen do të jenë një tip drejtuesish policie shteti që kanë dorëzuar “formulën e betimit” apo edhe uniformën e policisë në duart e maniakëve të betonit dhe kullave.

Dy Erionë i njeh mirë oligarkia e ndërtimit në Tiranë, i pari është kryebashkiaku Erion Veliaj që hedh firmën për lejet e ndërtimit dhe i dyti shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës Erion Ahmeti, që jep fermanin për lëvizjen e lirë, në çdo orë e çdo rrugë të Tiranës për makinerinë ndotëse e zhurmuese të ndërtimit.

Ka katër vite në atë detyrë. Ngjitet pas çdo ministri dhe shfaqet në çdo filmim apo foto kur diskutohet në teori për “sigurinë rrugore” dhe gjobat mbi qytetarët e thjeshtë. Disa herë është pezulluar për pak orë, e disa herë e kanë rikthyer. Në kulmin e pandemisë, kur i gjithë vendi u fut në karantinë të frikshme, tre lloje automjetesh shiheshin në rrugë: betonieret e ndërtimit; ambulancat dhe makinat e policisë, përfshi edhe blindat terrorizuese që i janë falur ushtrisë.

LEXO EDHE  Ndahet nga jeta profesori i Ekonomisë

E kjo situatë vijon e vijon ku makineritë e rënda të ndërtimit nuk njohin orar e rrugë kufizuese. Në rregulloren e “rreptë” të Policisë Rrugore, qartësohet se mjetet e rënda duhet të kenë një orar të veçantë lëvizjeje, kryesisht gjatë natës dhe në akse të përcaktuara. Ata efektivë që dërgohen nga eprorët në rrugët e Tiranës as nuk guxojnë të ngrenë tabelën stop kur para këmbëve të tyre betonierët gulçojnë dioksid karboni, sepse kanë një urdhër gojor që është përcjellë vesh më vesh se nuk duhet të ndalohen.

Para këtij fakti është edhe kreu i ri i Policisë së Shtetit Gledis Nano, që mund të ftohet nga Erioni i Rrugores për të parë nga afër “makinerinë iteligjente” të gjobave, e cila është aq inteligjente sa shmang çdo automjet të tonazhit të lartë që i ka zënë frymën Tiranës. Një uniformë me shumë grada e vlerësime që nuk duhet të ndotet, por kjo gjithsesi do të jetë në duart e vetë kyepolicit Nano. Sigurisht që dy Erionët, oligarkia e ndërtimit i do ti ketë aty në oazin e saj, të paktën për njërin prej tyre i ka mundësitë që duke i treguar ligjin, por edhe moralin ta largojë, për ti dhënë kryeqytetit një tjetër polici rrugore. Jo nga kjo e sotmja që ndërsa mbush blloqet e gjobave për parkimet poshtë pallatit për qytetarët, mbyll sytë para makinerisë ryshfetxhie të ndërtimit.