Dy muaj para largimit/ Gent Ibrahimi i KLP zhvendos takimet zyrtare në pikën turistike të Razmës

Në foto: Pamje nga “takimi zyrtar” i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në pikën turistike të Razmës, Shkodër

Nga Boldnews.al

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, duket se ka vendosur “të shijojë jetën” në dy muajt e fundit që i kanë mbetur në drejtimin e strukturës përgjegjëse për karrierën e prokurorëve.

Ai bashkë me anëtarin e KLP-së, Vatë Staka, si edhe të paktën 10 zyrtarë të administratës, kanë shfrytëzuar një takim, të zhvilluar në 5 tetor, për prezantimin e drejtuesit të emëruar të Prokurorisë së Shkodrës, Albert Murçaj, për të vijuar me një udhëtim “pune” drejt pikës turistike të Razmës.

Sipas njoftimit zyrtar, “Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi në Razëm të Shkodrës, nga data 5 deri 7 tetor 2021, një seminar dyditor, kushtuar hartimit të Rregullores së Brendshme, që synon të rregullojë veprimtarinë dhe garantojë mirëfunksionimin e institucionit”.

Në këtë aktivitet zyrtar, “…morën pjesë Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, Zv/Kryetari i Këshillit, z. Alfred Balla, anëtari i Këshillit, z. Vatë Staka, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit, z. Emis Çerava, këshilltarë ligjore të përfshirë në grupin e punës për hartimin e kësaj Rregulloreje, si dhe punonjës të tjerë të administratës së institucionit…”.

Njoftimi zyrtar nuk jep asnjë shpjegim se përse drejtuesit më të lartë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjodhën pikën turistike të Razmës për të zhvilluar diskutime zyrtare.

Po ashtu, njoftimi zyrtar, nuk jep as detaje se sa është kostoja e këtij udhëtimi, në dukje aspak produktiv, për aktivitetin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Anëtarët dhe administrata e “qeverisë së prokurorëve” zhvillojnë aktivitetin e tyre në zyrat luksoze të godinës së “Polit të Drejtësisë”.

Përgjatë 2 viteve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si edhe institucionet e tjera që ushtrojnë funksionet pranë “Polit”, kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme buxhetore për të përmirësuar cilësinë e ambjenteve të punës, madje edhe të lulishtes e të bar-kafesë që gjenden brenda saj.

LEXO EDHE  Sherri në Vlorë, 1 i plagosur/ Ja ç´thotë Policia

Ndaj, duket absurde që, një takim zyrtar, të zhvillohet jashtë ambjenteve të punës dhe për më tepër në një zonë të njohur turistike, e cila ka edhe çmime të kripura.

Nga ana tjetër, në një vëzhgim të kryer nga “Boldnews.al”, rezulton se të gjithë anëtarët e tjerë, të cilët nuk ishin nën shoqërinë e Gent Ibrahimit në Razëm, janë paraqitur normalisht në punë, duke forcuar më tej dyshimet se “takimi zyrtar” i ngjan më shumë një “udhëtimi turistik”.

Redaksia kreu një verifikim në të dhënat zyrtare, por, deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk arriti të identifikonte asnjë procedurë tenderuese apo transaksion financiar nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë drejt strukturës hoteliere në Razëm, për të zbuluar se sa i ka kushtuar buxhetit të shtetit ky “takim zyrtar”.

Nga ana tjetër, “Boldnews.al” nuk arriti të konstatonte asnjë parashikim buxhetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për këtë udhëtim në pikën turistike të mbi-Shkodrës.

Por, verifikimi zbuloi një tjetër situatë absurde-gjatë tre viteve të ekzistencës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryetari i saj, Gent Ibrahimi, nuk ia ka përcjellë anëtarëve për miratim buxhetin institucional.

Neni 159 i ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” parashikon si kompetencë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndër të tjera, edhe miratimin e buxhetit në seancë plenare.

Pavarësisht këtij parashikimi, në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk gjendet asnjë vendim, në të cilin të konfirmohet se buxheti dhe shpërndarja e tij të jetë kryer me vendim të të gjithë anëtarëve të institucionit.