Si po zhvaten pronat e Forcave Detare dhe po iu falen klientëve të Qeverisë nëpërmjet trukeve shtetërore

Baza detare ekzistuese e Pashalimanit u rrudh me 85 % të sipërfaqes me anë të një truku korruptiv të vitit 2016, ndërsa baza ndihmëse e Sarandës shkoi drejt shfarosjes pasi u dha me koncension. Të akuzuar janë zyrtarë të lartë mes të cilëve edhe ish ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, që gjatë vlerësimit të pronave të forcave detare më 2016-ën, firmosën copëzimin e tyre, duke lënë një pjesë të majme jashtë planit të përhapjes. Kleçka e përdorur ishte lënia e tyre pa koordinata gjeografike. Si pasojë forcat detare humbën 80 prona të lakmuara me një sipërfaqe prej rreth 480 hektarësh.

Nga Ferdinand Dervishi

Ditën e gënjeshtrave, 1 prill 2021, pyetja e fundit për zhurmnajën e një procesi të dyshuar si korruptiv iu drejtua presidentit Ilir Meta në emisionin televiziv LOG.

– Më 6 korrik (2020), ju keni deklaruar se keni ngritur një grup verifikimi për çështjen e dhënies me qira të bazës detare të Sarandës. A ka një konkluzion?

Fjala ishte për një pronë të Forcës Detare, në total 26.5 hektarë, e cila me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 514, të datës 1 korrik 2020, i jepej me qira simbolike, prej 1 euroje, për 20 vjet, me anë të metodës së shumëpërfolur të Partneritetit Publik-Privat (PPP), dy shoqërive të njohura si kliente të qeverisë. Vendimi ishte publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 6 korrik 2020.

Lexo edhe:

Në përgjigje të pyetjes së drejtuesit të emisionit, presidenti Ilir Meta pohoi se informacioni për Bazën e Sarandës i kishte mbërritur në zyrë gjatë asaj dite, 1 prill 2021, dhe se nuk kishte pasur kohë për ta shqyrtuar.

– Do e shikoj me vëmendje maksimale, sepse asgjë nuk mund të ndodhë në mënyrë të paligjshme dhe, e dyta, nuk mund të dobësohen kapacitetet mbrojtëse dhe të sigurisë së vendit… për më tepër që jemi vend anëtar i NATO-s”.

Ky ishte deklarimi i fundit publik lidhur me këtë zhvillim. Më tej, për muaj me radhë për çështjen e pronave të Forcës Detare nuk është ndier më askush, nëse nuk do të llogariten ca pak zëra të mekur në mediat online, si dhe Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, i cili e pagoi me largimin flagrant nga detyra dhe ushtria për kushtet në favor të shtetit që vendosi në këmbim të dhënies së Bazës Sarandës. Por, çfarë është duke ndodhur me pronat e bazave të Forcës Detare dhe si janë përfshirë në këtë aferë të rrezikshme dhe antiligjore vetë strukturat e shtetit?

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari

E vërteta thotë se pronat e Forcës Detare, të vendosura në disa pika piktoreske dhe të lakmuara të vijës bregdetare, kanë qenë prej kohësh në shënjestër të zhvatjes.

Ato kanë qenë dhe mbeten pjesë e historisë së aferave të errëta dhe të paligjshme të historisë së privatizimeve të pronave që dikur i përkisnin shtetit. Në fakt, pronat e Forcës Detare kanë mbetur të fundit në radhë, ndërkohë që me privatizimet apo dhënie/faljet me qira të pronave të ushtrisë, në brendësi të territorit, është konsumuar një masakër e vërtetë. Mjeshtrit ua kanë gjetur vendin, duke ia dalë mbanë që gjithçka të mbetet në terr informativ.

Pjesa më kriminale është se në gjithë këtë aferë praktikat dokumentare për çlirimin e pronave nga statusi i interesit publik janë mundësuar me ndihmën e disa trukeve administrative, të gjeneruara në brendësi të zyrave të shtetit. Për më tepër, me kalimin e viteve, metodat janë shfaqur edhe më flagrante. Pronat e ushtrisë janë përlarë pa pasur nevojën e trukeve administrative, pasi kanë mjaftuar ca trumbeta propagandistike që flisnin për strategji kombëtare të zhvillimit të turizmit… Në fund, qëllimi i vetëm dhe i pandryshuar ka qenë përfitimi përmes korrupsionit.

Ligji i vitit 2004, “Për Kthimin e Kompensimin e Pronave”, që parashikon moskthimin e pronave të paluajtshme që përbëjnë interes publik

Truku i vitit 2016

Truku bazë për të përlarë pronat e ushtrisë ishte dhe mbetet ai i nxjerrjes së tyre jashtë Planit të Përhapjes dhe Vendosjes, duke shmangur ligjin Nr. 9235, (dt. 29.07.2004) “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” që thotë se “pronat e paluajtshme, që i shërbejnë një interesi publik, nuk kthehen.”

Në terma më të kuptueshme, nxjerrja me anë të këtij truku administrativ e pronave të ushtrisë jashtë Planit të Përhapjes dhe Vendosjes i largon ato nga statusi special i përdorimit ushtarak, duke i barazuar me pronat e zakonshme për përdorim civil, që administrohen nga Këshilli i Ministrave.

Dokumentet provojnë se, në vitin 2016, me qëllim për të shtënë duart në pronat e Forcës Detare, është përpunuar dhe vënë në zbatim edhe një version edhe më i sofistikuar i këtij truku.

Gjithçka ka nisur më 26 janar 2016, kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe, Gjeneral Major Jeronim Bazo, me anë të urdhrit nr. 78, të datës 26.01.2016, ngriti në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura një grup pune për vlerësimin e pronave të Forcës Detare. Kryetar i grupit të punës ishte Kolonel Ilir Xhebexhia, drejtor i Operacioneve dhe Stërvitjeve në Shtabin e Përgjithshëm të FA, aktualisht komandant i Forcës Detare me gradën Gjeneral Brigade.

Harta që tregon ndarjen në vitin 2016 të Bazës së Kepit të Palit, në sipërfaqe brenda Planit të Përhapjes dhe jashtë këtij plani, përpiluar nga një grup pune i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Në përfundim grupi rekomandoi copëtimin e pronave në katër bazat kryesore të Forcave Detare.

Baza e Pashalimanit u nda në katër prona, ajo e Kepit të Palit, në dy prona, Baza e Shëngjinit, në tri prona dhe Baza e Palermos, në dy prona. Aq i madh ka qenë nxitimi, saqë në hartat shoqëruese, përbri pronave të nxjerra nga Plani i Përhapjes, është shkruar “pronë e lirë”, në një kohë që këtë e vendos Presidenti i Republikës dhe jo grupi që bën vlerësimin.

Kështu, mbërritur në vitin 2016 me sipërfaqe totale rreth 94 hektarë, pas ndarjes, Baza Detare e Pashalimanit do të rrudhej me 85% të sipërfaqes. Bazës i mbetën vetëm 14 hektarë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 80 hektarë, e ndarë në tri prona, u la jashtë Planit të Përhapjes.

Baza e Pashalimanit. Ndarja e sipërfaqes: me të gjelbër, ajo e nxjerrë jashtë Planit të Përhapjes, me të kuqe, ajo e mbetur brenda Planit të Përhapjes

Baza Detare e Kepit të Palit, që deri në vitin 2015 kishte një sipërfaqe prej 72.4 hektarësh, pas ndarjes së re në dy prona u reduktua në 38% të sipërfaqes, duke mbetur rreth 45 ha.

Baza e Kepit të Palit. Ndarja e sipërfaqes: me të gjelbër, ajo e nxjerrë jashtë Planit të Përhapjes, me të kuqe, ajo e mbetur brenda Planit të Përhapjes

Baza Detare e Palermos, me sipërfaqe prej 28,8 ha, u nda në dy prona, duke mbetur brenda Planit të Përhapjes dhe Vendosjes vetëm 6,01 ha ose 21% e pronës që ishte para vitit 2015.

Baza e Gjirit të Palermos. Ndarja e sipërfaqes: me të gjelbër, ajo e nxjerrë jashtë Planit të Përhapjes, me të kuqe, ajo e mbetur brenda Planit të Përhapjes

Baza Detare e Shëngjinit, që deri në vitin 2015 kishte një sipërfaqe prej 6,59 ha, u nda në tri prona, duke u reduktuar në vetëm 2,64 ha.

Baza e Shëngjinit. Ndarja e sipërfaqes: me të gjelbër, ajo e nxjerrë jashtë Planit të Përhapjes, me të kuqe, ajo e mbetur brenda Planit të Përhapjes

Sipas një matematike të thjeshtë, shuma e pronave të nxjerra nga Plani i Përhapjes shkon rreth 133 hektarë.

Kjo ishte “qethja” e fundit dhe më e rënda, pasi edhe vite të shkuara nga Plani i Përhapjes kishin dalë edhe prona të tjera që i përkisnin Forcës Detare.

Në total, sot Forca Detare ka në Planin e Përhapjes dhe Vendosjes 31 prona me një sipërfaqe të përgjithshme 157,5 ha, si dhe 80 prona jashtë Planit të Përhapjes dhe Vendosjes, me një sipërfaqe të përgjithshme 479,6 ha.

Ndryshimet e fundit, të propozuara nga grupi i punës, u miratuan nga ish-komandanti i Forcës Detare, Gjeneral Major Ylber Dogjani, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Jeronim Bazo, dhe u vulosën përfundimisht me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 220, të datës 21.03.2017.

Vendimi i vitit 2017 që i kalon Këshillit të Ministrave sipërfaqet e Forcës Detare, të nxjerra nga Plani i Përhapjes

Paligjshmëria

Në fakt, i gjithë truku i përdorur është menduar, konsumuar dhe ligjëruar, me qëllim që të anashkalohej vendimmarrja e presidentit të kohës, Bujar Nishani, pasi, sipas ligjit, pronat në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes miratohen nga Presidenti i Republikës.

Ndërsa formula e përdorur për të mënjanuar presidentin në këtë rast shfaqet më e përpunuar.

Kleçka për të lënë jashtë Planit të Vendosjes sipërfaqet më të mëdha të bazave detare është gjetur pikërisht tek emërtimi i pronave. Kështu, ndërsa pronës së mbetur brenda Planit të Përhapjes i është lënë emri, numri dhe koordinata gjeografike, pjesëve të lëna jashtë këtij Plani iu është dhënë vetëm emër dhe numër i ri, por janë lënë pa koordinata.

Me këtë lloj statusi, të pashoqëruara me koordinata gjeografike, pronat e dala nga Plani i Përhapjes janë aprovuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 220, të datës 21.03.2017 dhe janë futur në inventarin e pronave të paluajtshme, shtetërore, që janë në administrim të Këshillit të Ministrave.

Por, ligjet shqiptare nuk e njohin një praktikë të tillë. Pas studimit që nxori pjesën më të madhe të pronave të Forcës Detare jashtë Planit të Përhapjes, radha e veprimeve vendimmarrëse i takonte Presidentit të Republikës. Dalja e pronave jashtë këtij Plani, sipas ligjit, duhet të kalojë me firmën e tij. Pra, Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 21 mars 2017 e ka anashkaluar vendimmarrjen e presidentit.

Në këtë mënyrë, të konsideruara si të dala nga kthetrat e ushtrisë dhe njëkohësisht nga statusi i interesit publik, pronat e Forcës Detare u bënë gati për klientët e vjetër apo eventualë të qeverisë, përfshirë individë që pretendojnë trashëgiminë e tyre.

Gjithsesi, e vërteta thotë se gjithçka e përfituar me anë të këtij truku është e jashtëligjshme dhe rrjedhimisht e papërdorshme. Kapacitetet e reduktuara të Forcës Detare në vitin 2016 nuk janë miratuar nga Presidenti i Republikës dhe kjo e bën të gjithë procedurën të pavlefshme.

E parë në tjetër këndvështrim, Presidenti i Republikës i miraton pronat e ushtrisë si kapacitete operacionale. Vetëm atij ia mundëson ligji dhe askujt tjetër. Logjika e do që sipërfaqja e pronës së miratuar të vihet në përpjesëtim të drejtë me nevojat e ushtrisë, në këtë rast të Forcës Detare. Aty llogariten madhësia e basenit dhe e bankinës ku ankorohen anijet luftarake, sheshi i portit, ndërtesat ndihmëse dhe akomoduese, largësia e detyruar nga objekte civile etj., etj.

Përkundër kësaj, Këshilli i Ministrave e sheh dhe e trajton pronën si element kontabiliteti; mund ta shesë, ta këmbejë, ta japë me qira etj. Këtë status të pronave të Forcës Detare përgatiti për Këshillin e Ministrave truku i vitit 2016, edhe pse procedurat e zbatuara – e vjetra, që i jep plotfuqi presidentit dhe e reja, – që anashkalon presidentin, bien ndesh me njëra-tjetrën.

Njëkohësisht, truku i përdorur në vitin 2016 lë shteg që abuzimi të shkojë në nivele qesharake, kjo sepse, sipas formulës së zbatuar, pronat në listën e Planit të Përhapjes dhe Veprimit, të miratuara nga Presidenti i Republikës, mund të zvogëlohen deri në disa metra katrorë, mjafton që të ruhet “numri i pronës”, “emërtimi i pronës” dhe “koordinata gjeografike” të bjerë në këtë sipërfaqe të minimizuar.

Së fundmi, logjika më e thjeshtë thotë: nëse truku administrativ i zbatuar në vitin 2016 do të ishte i ligjshëm, miratimi nga Presidenti i Republikës i Listës së Pronave në Planin e Përhapjes dhe Veprimit të FA nuk do të kishte më asnjë vlerë.

Baza e Shëngjinit

Pasoja e parë e këtij truku administrativ do të shfaqej në Bazën Detare të Shëngjinit. Në datën 16 qershor 2020, mjetet e një firme private hynë me forcë, duke thyer gardhin rrethues, në pronën nr. 1311 të Forcës Detare. Firma kishte lidhur kontratë për ndërtimin e një objekti trekatësh në pronësi të Rrok D., pronar trashëgimtar i tokës, i cili ishte pajisur edhe me leje të rregullt ndërtimi.

Në pamje të parë gjithçka dukej sipas ligjit. Para se të dilte nga Plani i Përhapjes, sipas ligjit, prona e trashëguar duhet të kompensohej me një tjetër pronë të shtetit, por tashmë, pas “daljes” nga Plani i Përhapjes, asgjë nuk e ndalonte trashëgimtarin ta gëzonte këtë pronë.

Gjithsesi, drejtuesit e Vendbazimit Shëngjin i pengojnë veprimet e firmës ndërtuese dhe njëkohësisht bëjnë një kallëzim penal në prokurori, por hetimi pushohet, me arsyetimin se nuk ka elemente të veprës penale.

Ndërkohë, godina nis të lartohet. Hidhen themelet dhe ngrihen kolonat dhe kjo ndodh, edhe pse shefi i Shtabit të Përgjithshëm kishte urdhëruar Policinë Ushtarake të mbështeste Forcën Detare për sigurimin e bazës. Në fund të shkurtit të vitit 2021, godina e z. Rrok D., brenda pronës së Forcës Detare, mbërrin në katin e katërt.

Ndërtimi pa leje në brendësi të Bazës Detare të Shëngjinit

E gjithë ecuria e ndërtimit shoqërohet me komente të ndryshme në media dhe rrjetet sociale. Pothuaj të gjitha denoncimet dhe kundërshtitë për këtë ndërtim kanë autorësinë e Kapitenit të Rangut të Parë, Artur Meçollari, i cili deri në gusht të vitit 2020 kishte detyrën e zëvendëskomandantit të Forcës Detare. I njëjti e vijoi betejën edhe pas lirimit nga detyra, duke detyruar një pjesë të medieve që të reagonin.

Dikur njerëzit e shtetit e mbledhin mendjen. Në fillim të marsit të vitit 2021, ministri i ri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, urdhëroi Policinë Ushtarake që të bllokonte punimet dhe të siguronte Bazën Detare të Shëngjinit. Gjatë së njëjtës ditë Policia Ushtarake rivendos edhe gardhin rrethues me shënimin: “NDAL! ZONË USHTARAKE”.

Po ato ditë, në një intervistë të datës 8 mars 2021, në televizionin ABC, komandanti i Forcës Detare, Gjeneral Brigade Ilir Xhebexhia, e konfirmoi bllokimin e objektit nga Policia Ushtarake. Sipas tij, “ndërtimi cenonte sigurinë në Bazën Ndihmëse të Shëngjinit dhe operacionalitetin e Forcës Detare”.

Në fakt, edhe pse tashmë do të merren në shqyrtim nga një tjetër gjykatë, ngjarjet treguan se më në fund zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes i vunë gishtin kokës dhe kuptuan se, pavarësisht “daljes” së këtyre pronave nga Plani i Përhapjes, ato vijojnë të mbeten sërish pronë e Forcave të Armatosura. Tashmë ata duhet të jenë më të qartë se kurrë për pasojat e së vërtetës, që thotë se kapacitetet e reduktuara në vitin 2016 të Forcës Detare nuk janë miratuar nga Presidenti i Republikës.

Gjithçka sanksionohet në Ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004, Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës, (Neni 6), ku shkruhet: “Subjekteve të shpronësuara iu kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës…”

Ligji i vitit 2004, “Për Kthimin e Kompensimin e Pronave”, parashikon se kthehen ato prona të ushtrisë, të nxjerra jashtë Planit të Përhapjes, me miratimin e Presidentit të Republikës

Teorikisht, kjo situatë, që ende nuk mund të konsiderohet përfundimtare, mund të jetë beteja e parë e fituar nga logjika që mbron faktin se kjo pronë vijon të ndodhet në brendësi të Planit të Përhapjes, përderisa dalja e saj jashtë këtij Plani nuk është miratuar nga Presidenti i Republikës.

Por, me kalimin e kohës rendja drejt aferave të dyshimta klienteliste do të hidhte tej si diçka të pavlerë edhe trukun e vitit 2016. Dhënia apo falja e trojeve të Forcës Detare klientëve të qeverisë do të niste të realizohej me anë të një tjetër metode, që paraqitet edhe më e pacipë, edhe më flagrante, edhe më e jashtëligjshme se e para.

Baza e Kepit të Palit

Në verën e vitit 2019, disa civilë, të paraqitur si miq të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ishin parë të bënin ca matje e vlerësime në brendësi të Bazës së Kepit të Palit. Qëllimi i vizitës do të mësohej pak muaj më pas, kur ministrja e Mbrojtjes do të thërriste në disa takime të njëpasnjëshme zëvendëskomandantin e Forcës Detare, Artur Meçollari.

Sipas Meçollarit, ministrja i kishte kërkuar që të propozonte/lejonte ndërtimin në brendësi të territorit të bazës të një investimi privat të disa miqve të saj.

– Lidhur me këtë iniciativë të ministres kam qenë i prerë me përgjigjen. Nuk mund të përfshihesha për të gjitha arsyet. Së pari, sepse Baza e Kepit të Palit ka një rëndësi operacionale të dorës së parë… Për më tepër, në vitin 2012, mua më liruan nga Forcat e Armatosura, pikërisht pse mbrojta Bazën e Kepit të Palit nga zbatimi i një projekti të dyshuar si korruptiv të qeverisë paraardhëse.

Sipas Artur Meçollarit, miqtë e ministres kishin në plan që të bënin një investim turistik, saktësisht një port jahtesh, në zemër të bazës së Kepit të Palit. Planimetria e vendit të zgjedhur për investimin vendosej përmbi gjysmën perëndimore të basenit ku ankorohen anijet ushtarake.

Skema e re e përdorur për të mundësuar këtë investim ishte ajo e Partneritetit Publik-Privat (PPP). Investitori ofronte për nevojat e Forcës Detare restaurimin e bazës ekzistuese ushtarake.

– Nuk mund të bija dakord. Kërkesa e ministres së Mbrojtjes, Xhaçka, për investim në Bazën Detare të Kepit të Palit ishte një iniciativë personale dhe jo shtetërore. Gjithsesi, edhe sikur të ishte shtetërore, ajo binte në kundërshtim me konceptin operacional të Forcës Detare. Baza e Kepit të Palit është një nga dy bazat kryesore të Forcës Detare/Rojës Bregdetare, në një nga drejtimet kryesore të kërcënimeve, për shkak të prezencës në afërsi të Portit të Durrësit, portit më të madh në Shqipëri.

Gjithsesi, çështja e Bazës së Kepit të Palit mbyllet pa shumë zhurmë. Me sa duket, vartësit e kishin bindur ministren Xhaçka se Artur Meçollari, drejtuesi aktual i Forcës Detare, për shumë arsye nuk do të tërhiqej nga pozita e tij. Mes të tjerave, si më të pakalueshme, kishin renditur pasojat e asaj historisë së vjetër të vitit 2012, kur Artur Meçollarin e kishin larguar nga detyra, për shkak se kundërshtonte që një pjesë e mirë e Bazës së Kepit të Palit t`i jepej një klienti të qeverisë Berisha, të quajtur Damir Fazliç.

Baza e Sarandës

Pa u mbyllur ende mirë historia e Bazës së Kepit të Palit, në shënjestër të kompanive kliente të qeverisë vihet Baza e Sarandës, njohur si Baza Ndihmëse e Limionit. Kompanitë “Concord Investment” dhe “Kastrati Group” bëjnë një kërkesë nëpërmjet Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës për të marrë me koncesion sipërfaqen në inventar të Forcës Detare, prej 260.895 m2, nga e cila 39.466 m2 ishin në Planin e Përhapjes. Përgjigjja e Forcës Detare ishte negative. Sipas zëvendëskomandantit Artur Meçollari, kërkuesve iu bë e qartë se, jo vetëm që baza është e një rëndësie strategjike të nivelit të lartë, por edhe se legjislacioni në fuqi nuk e njihte mënyrën e propozuar të investimit.

Pak muaj më pas, në maj të vitit 2020, oferta korrigjohet. Ajo vjen në formën e një marrëveshjeje për Partneritet Publik-Privat. Kompanitë bëjnë kërkesë nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për marrjen me qira të së njëjtës sipërfaqe, por me një ofertë që thoshte: “për moscenimin e aspekteve operacionale të FA., marrim përsipër “pro buono” ndërtimin, përkundrejt pagesës, pa kosto për shtetin, të një bankine të re për ankorimin e anijeve të FA dhe ambienteve të tjera mbështetëse në ndihmë të saj, sipas nevojave tuaja”.

Në datën 11 qershor 2020, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, organizon një takim në zyrën e saj me disa oficerë të Forcës Detare, të cilët do të përfshiheshin në vlerësimin e kërkesës.

Gjatë takimit, oficerët e konsiderojnë ofertën me interes, në kushtet kur Baza Ndihmuese e Sarandës kishte sipërfaqe përtej nevojave ushtarake; ishte e amortizuar, me kapacitete të kufizuara etj.

Oficerët bien dakord me ofertën e kompanive private që propozonin ndërtimin e një baze të re detare në një vend me thellësi më të madhe të detit. Grupi i punës, i ngritur në Komandën e Forcës Detare, studion një pozicionim të përshtatshëm për bazën e re, rendit kërkesat operacionale dhe teknike, si dhe konfiguron sipërfaqen e saj të mundshme. Projekti cilësonte dhënien me qira të pjesës së mbetur të trojeve të bazës menjëherë pas ndërtimit të bazës së re. I përfunduar, projekti i dërgohet ministres, por, ndërkohë, Sipas Meçollarit, ajo kishte ndërruar mendim.

– Në një takim të datës 17 maj 2020 me mua dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ministrja Xhaçka na tha se projekti i propozuar prej nesh ishte i ekzagjeruar dhe se për kompanitë investimi ishte shumë i madh. Por kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Ne kishim hartuar një projekt real për të marrë, aq sa jepnim apo, më qartë, për të marrë të njëjtën bazë që kishim, sigurisht tashmë të ndërtuar me parametrat që kërkon koha. Me fjalë të tjera, projekti i propozuar përmirësonte kapacitetet operacionale të Forcës Detare, përmbushte parashikimet ligjore, si dhe mbështeste investimin strategjik të kërkuar nga qeveria”.

Marrëveshjet e procedurat e mëtejme për çështjen e Bazës së Sarandës mbetën në errësirë deri në datën 1 korrik 2020, kur Këshilli i Ministrave miratoi VKM 514, sipas së cilës Baza Detare, Limion, Sarandë, me sipërfaqe të përgjithshme 265 2299,5 m2, i jepej me qira për 20 vjet, me tarifën simbolike 1 euro, bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k., dhe “Kastrati Group” sh.a.

Dhënia e gjithë sipërfaqes së Bazës së Limionit në Sarandë – edhe të sipërfaqes së truallit jashtë Planit të Përhapjes, edhe të sipërfaqes brenda Planit të Përhapjes – si pjesë e planeve të qeverisë për të bashkëpunuar me investitorë privatë në zbatimin e strategjive kombëtare për zhvillimin e turizmit, në këtë rast përmban një varg shkeljesh ligjore.

Sipas ligjeve të shtetit shqiptar, propozimi i bërë nga përfaqësuesit e Forcës Detare për ndërtimin nga shoqëritë e interesuara me anë të PPP të një baze të re, që, kushtëzuar edhe nga relievi, shtrihej edhe në brendësi të Planit të Përhapjes dhe jashtë këtij Plani, kërkonte që procedura të ndiqej nga Shtabi i Përgjithshëm, ministri i Mbrojtjes dhe të miratohej nga presidenti. Miratimi nga presidenti do e fuste të gjithë bazën e re brenda Planit të Përhapjes dhe linte automatikisht në administrim të shoqërive private të gjitha pjesët e tjera të bazës.

Kjo ishte rruga e vetme ligjore.

Nga ana tjetër, procedura e zbatuar, deri në daljen e VKM, që ua dha të gjithë Bazën e Sarandës me qira kompanive private, lë vend të dyshohet për veprime korruptive, pasi veç anashkalimit të vendimmarrjes së Presidentit të Republikës është mbajtur sekret edhe projekti final i bazës së re, i hartuar nga Forcat e Armatosura.

Në kontratën e qirasë të datës 16 korrik 2020, lidhur mes kompanive private dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, qiramarrësit (kompanitë private) premtojnë “ndërtimin e një bankine të re dhe infrastrukturës së saj mbështetëse sipas standardeve të kërkuara”, ndërkohë që në ofertën fillestare siguronin “moscenimin e aspekteve operacionale të FA”.

Duket qartë se këtu jemi përballë kushteve të ndryshuara. Për më tepër që Forca Detare në projektin e parë për bazën e re sanksiononte ndërtimin: “sipas nevojave të Forcave të Armatosura”.

Pikërisht mbajtja sekret e “standardeve të kërkuara” të bën të dyshosh se Ministria e Mbrojtjes, drejtues të lartë të saj, përfshirë ish-ministren Olta Xhaçka, kanë urdhëruar dhe hartuar për bazën e re një projekt të dytë, krejt minimal, duke bërë në këtë rast avokaturën e shoqërive private.

Krejt logjikshëm këtë përfundim mbështet edhe fakti që pas kërkesave të njëpasnjëshme, të ligjshme të ish-zëvendëskomandantit të Forcës Detare, Artur Meçollari, Ministria e Mbrojtjes dhe më pas edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit nuk i kanë mundësuar dhënien e kopjeve të dokumenteve që përmbajnë kushtet e Shtabit të Përgjithshëm të FA për standardet e kapacitetet e bazës së re, të marrë përsipër për t`u ndërtuar nga kompanitë private. Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, është i bindur se në këtë mes ka një aferë të pistë.

– Pas këtyre zhvillimeve kemi të drejtë të dyshojmë se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm nuk kanë paraqitur një projekt të plotë për bazën e re, por vetëm disa kërkesa minimale, që, së pari nuk përmbushin kërkesat operacionale të Forcës Detare. Rrjedha e ngjarjeve apo qoftë praktika e mbajtur sekret zgjojnë dyshime, që përmes favorizimit të kompanive private drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA., etj., të kenë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë për të siguruar përfitime materiale ose jomateriale.

Por, dëmi i supozuar mendohet të jetë edhe më i konsiderueshëm. Realiteti i krijuar pas vendimit të Këshillit të Ministrave, të 1 korrikut 2020 (VKM 514), që e jep me qira të gjithë bazën, ka sjellë një situatë anormale. Për rezultat, kemi një bazë të zhdukur, ku edhe pas ndërtimit të ambienteve të reja sipas marrëveshjes për Partneritet Publik Privat anijet e Forcës Detare do të mbeten mysafire në truallin që i është dhënë me qira shoqërive private…

Më tej situata është shfaqur edhe bllokuese. Sipas VKM nr. 514, (01.07.2020), dorëzimi i bazës shoqërive private ishte parashikuar të bëhej më 15 gusht 2020. Por, edhe një vit më pas, në shtator 2021, për dorëzimin e saj nuk është hedhur asnjë hap. Me sa duket, për shkak të paligjshmërive të dukshme askush nga drejtuesit e Forcave të Armatosura dhe Forcës Detare nuk guxon të firmosë dorëzimin e Bazës.

– Është një situatë e krijuar prej faktit se propozimi ynë, pra i Forcës Detare, për kompanitë investitore, sa iu përket kapaciteteve të bazës së re, nuk i pëlqeu ministres Olta Xhaçka. Me sa duket, në vend që të bënte avokatinë e Forcës Detare, ajo bënte avokatinë e firmave investitore. Për këtë arsye ministrja duket se ka propozuar edhe dhënien me qira të të gjithë sipërfaqes së Bazës Detare Sarandë, tashmë e materializuar në VKM nr. 514, 1 korrik 2020.

Më 7 gusht 2020, një javë para datës së parashikuar që Baza e Sarandës t`iu dorëzohej investitorëve privatë, sërish me anë të një truku të paligjshëm Artur Meçollari u lirua nga detyra e zëvendëskomandantit të Forcës Detare. Ashtu si në vitin 2012, edhe këtë radhë pronat e Forcës Detare, saktësisht mbrojtja e tyre, i hanë kokën. Një histori e trishtë që vërteton se si politika shqiptare, e të dy krahëve, kur vjen në pushtet, impenjim kryesor ka pikërisht zhvatjen e shqiptarëve, përfshirë pronat e tyre.

Të gjithë të implikuar

Të shqyrtuara rast pas rasti, duket se pronat e ushtrisë, në këtë kuadër edhe ato të Forcës Detare, që në thelb janë pronat e gjithë shqiptarëve, janë duke u zhvatur si të ishin mall pa zot. Kjo është duke ndodhur, edhe sepse opozita, presidenti, deri thellë edhe mediet, janë duke mbyllur gojën.

Kryetari i rizgjedhur i partisë më të madhe të opozitës, Lulzim Basha, ka bërë vetëm një deklarim publik për këtë çështje, që daton më 2 korrik 2020, pra menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënien me qira të Bazës së Sarandës:

“Në sekret të plotë është marrë një pjesë e territorit të bazës ushtarake navale të Marinës së Flotës Luftarake Detare në Sarandë dhe është bërë gati t’iu jepet klientëve të qeverisë. Mbetet të verifikohet se kujt do t`i jepet, por emrat e përmendur janë të dyshuarit e zakonshëm, pjesë e 5 apo 6 oligarkëve që marrin çdo gjë në këtë vend… Iu bëj apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare… të investigojnë, nëse është e vërtetë që në ditët e tyre të fundit po ua falin bazat detare oligarkëve për zhvillime klienteliste pa garë”.

Pak ditë më pas, i pyetur nga gazetarët, presidenti i vendit, Ilir Meta, i prekur drejtpërdrejt nga kjo histori, pasi shmangte vendimmarrjen e tij, pohoi se i kishte kërkuar ekipit të tij të sigurisë kombëtare të niste verifikimet për Bazën e Sarandës.

Por, pas këtij pohimi, edhe opozita, edhe Presidenca, do të kaploheshin nga heshtja. Opozita, përgjithmonë, ndërsa presidenti do të detyrohej nëntë muaj më pas, më 1 prill 2021, t`i jepte një përgjigje, që nuk mbartte informacion, drejtuesit të emisionit LOG, që transmetohet në televizionin ABC. Më tej të gjithë kalojnë sërish në heshtje.

Me sa duket, të gjitha palët e kanë nga një lidhje komprometuese me kompanitë private, që kanë aplikuar marrjen me qira të Bazës së Sarandës. Të shfaqura kohë pas kohe, jo vetëm si kliente të qeverisë, por edhe të opozitës dhe mbase edhe të Presidencës, duket ato iu kanë mbushur xhepat me të holla të gjithëve, sidomos gjatë fushatave elektorale.

Por, çfarë janë duke humbur shqiptarët përmes këtyre trukeve që shpiken, përpunohen dhe vulosen në zyrat qeveritare?

Së pari, truke të tilla janë duke zvogëluar dhe shkatërruar kapacitetet mbrojtëse dhe operacionale të Forcave të Armatosura. Pa një bazë ushtarake-detare solide në afërsi të Durrësit, porti më i madh i vendit mbetet i pambrojtur, ndërsa shkatërrimi i Bazës së Sarandës duket edhe më problematik, në një kohë që përbën pikën më të afërt pranë trafikut të rënduar të mjeteve ujore në Kanalin e Korfuzit – një zonë ku historia deri vonë ka depozituar në memorie incidente me pasoja të rënda.

Por, nuk mbaron. Pak kohë më parë, në fund të vitit 2019, vetë ministrja e Mbrojtjes e kohës, Olta Xhaçka, i propozoi drejtuesve të NATO-s të vendosnin/ndërtonin një bazë të tyren në Pashaliman, duke marrë edhe një përgjigje paraprake pohuese. Porse përballë faktit të zvogëlimit të sipërfaqes së bazës ekzistuese të Pashalimanit – rrudhur me 85% me anë të trukut të vitit 2016 – dhe më tej edhe shfarosjes së bazës ndihmëse të Sarandës, oferta e bërë paktit të NATO-s duket e pandershme, kjo sepse një bazë e mirëfilltë detare e NATO-s nuk mund të shtrihet në vetëm 14 hektarët e Bazës së Pashalimanit, të lënë brenda Planit të Përhapjes.

Në një tjetër kënd, zhvatja lart e poshtë e trojeve të Forcës Detare, falja apo dhënia me qira simbolike e sipërfaqeve më të lakmuara të bregdetit cenon edhe pronën publike të shqiptarëve. Kalkulime të thjeshta thonë se, nëse pronat e nxjerra nga Plani i Përhapjes do të shiteshin me vlerën e tregut, qeveria shqiptare do të mund të përfitonte deri në 200 milionë euro. Kjo do të ishte një shumë e konsiderueshme, qoftë për të ndihmuar arkën e lodhur të shtetit, qoftë për të rindërtuar nga e para apo restauruar dhe pajisur me mjetet më të nevojshme, qoftë më modernet, të gjitha bazat e rëndësishme të Forcës Detare.

SPAK nis hetimin

Pothuaj i vetëm dhe me pothuaj të gjithë kundër, zëvendëskomandanti i liruar i Forcës Detare, Artur Meçollari, e ka vazhduar betejën.

Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare

Më 31 mars 2021 ai ka paditur pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, “për shpërdorim detyre në rastin e çështjes së dhënies me qira të Bazës Ndihmëse të Sarandës”. Sipas padisë, ”Znj. Olta Xhaçka ka aprovuar lidhjen e një kontrate qiraje, e cila nuk ka ndjekur procedurën e parashikuar në aktet ligjore… duke i shkelur këto të fundit.”

Faqja e parë e padisë së z. Meçollari

Po sipas kallëzimit penal, ky propozim i ministres së Mbrojtjes, “ka dëmtuar interesin publik, pasi ka cenuar funksionimin e konceptit operacional të Forcës Detare, si dhe operacionalitetin për përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor në rajonin e Kanalit të Korfuzit dhe Detin Jon.”

Në të njëjtin dokument, Artur Meçollari ka paditur për shpërdorim detyre edhe Besnik Dervishin, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Sipas Meçollarit, komisioneri nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që parashikon ligji për njohjen e kërkuesit me informacionin që konsiderohet publik.

Pas disa ditësh, më 6 prill 2021, Artur Meçollari ka depozituar pranë SPAK edhe një tjetër padi për shpërdorim detyre në adresë të Gjeneral Major Bajram Begajt, me detyrë shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Ilir Xhebexhisë, me detyrë komandant i Forcës Detare dhe kolonel Altin Kurtit, me detyrë komandant i Policisë Ushtarake. Sipas padisë, drejtuesit më të lartë të Forcave të Armatosura janë përgjegjës për ndërtimin e paligjshëm, të kryer në brendësi të territorit të Bazës së Shëngjinit.

Më 29 korrik 2021, SPAK i konfirmoi autorit të këtij shkrimi se kishte nisur hetimet për të dyja këto padi, ndërsa më 14 shtator 2021 i pohoi se nuk kishte ende persona nën hetim.

Edhe pse praktikisht duhet t`i përulemi vullnetit rrezikues të një njeriu të vetëm, ndëshkimi përmes ligjit është shpresa e vetme e një populli të tërë për të shpëtuar nga skemat mafioze të grabitjes së pasurive publike.

Deri tani, të orkestruara nga maja e piramidës së pushtetit, këto skema kanë treguar se janë krijuar vetëm për qëllime kriminale. Abuzimi me pronat publike, falja e tyre klientëve apo oligarkëve si të ishin prona të lëna trashëgim nga babai, deri tani ka pasur vetëm një qëllim: mbushjen e xhepave. Le të besojmë nisjen e ca ndryshimeve domethënëse!

Lajme të lidhura

Para