Mandati i Vettingut/ ONM mbështet Ramën për zgjatjen e mandatit të motrës së Ballukut

Nga Boldnews.al

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) mbështeti idenë e Partisë Socialiste për zgjatjen me dy vjet të mandatit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, një trupë jo shumë profesionale, e drejtuar nga Pamela Qirko, motra e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe që po kryen prej katër vitesh Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Dymbëdhjetë anëtarët e KPK-së dhe dy Komisionerët Publikë janë emëruar në detyrë në Qershor 2017, pas miratimit të paketës ligjore të Reformës në Drejtësi dhe mandati i tyre kushtetues 5-vjeçar përfundon në të njëjtin muaj të vitit 2022.

Sipas Kushtetutës, në përfundim të mandatit 5-vjeçar, kompetencat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndahen ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor për vetingun e gjyqtarëve dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për rivlerësimin e prokurorëve.

Ndërsa, kompetencat e Komisionerëve Publikë i kalojnë Drejtuesit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).

Pra, Kushtetuta ka parashikuar mekanizma vijues për procesin e Vetingut në përfundim të mandatit të anëtarëve të KPK-së.

Por, maxhoranca socialiste, nëpërmjet Ulsi Manjës dhe Taulant Ballës, shpreson se ndryshimet kushtetuese për të zgjatur mandatin edhe me dy vjet për trupën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të bëhen me dakordësinë e opozitës parlamentare, e cila, në përgjithësi ka qenë shumë kritike me mënyrën e kryerjes së procesit të rivlerësimit.

Bashkë me mandatin e anëtarëve të KPK-së, mbyllet edhe misioni i tetë monitoruesve ndërkombëtarë, të cilët besohet se paguhen mbi 20 mijë euro në muaj për angazhimin e tyre në mbështetje të trupave të Vetingut.

Në një deklaratë të shpërndarë të Enjten, misioni ndërkombëtar që asiston procesin e rivlerësimit në sistemin e drejtësisë, konsideron se “është me rëndësi parësore që të përfundojnë të gjitha rastet e verifikimit në pritje në periudhën më të shkurtër të mundshme kohore, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit”.

Për të arritur këtë rezultat, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, “është e nevojshme një zgjatje e kufizuar në kohë e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publikë.”

ONM sugjeron që autoritetet shqiptare të shqyrtojnë mundësinë e përcaktimit të afateve të reja për përfundimin e mandatit të 12 komisionerëve të KPK-së, përfshirë edhe konsultimin me Komisionin e Venecias.

Por, në fakt, juristët e Venecias, në një opinion më herët, kanë qenë kategorikisht kundër mandateve të gjata të anëtarëve të KPK-së dhe Komisionerëve Publikë.

“Venecia”, kundër mandateve të gjata

Në fund të vitit 2015, Parlamenti i Shqipërisë, i cili po shqyrtonte një paketë të gjerë kushtetuese dhe ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, iu drejtua Komisionit të Venecias për Opinion mbi draft-ligjin më të rëndësishëm, atë të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Veting).

Në Mars 2016, ekspertët e Komisionit të Venecias iu përgjigjën Parlamentit Shqiptar, ku shprehën dakordësinë për miratimin e një ligji Vetingu për gjyqtarët e prokurorët, duke e konsideruar si “një masë e jashtëzakonshme për situatë të jashtëzakonshme” me korrupsionin.

Megjithatë, “Venecia” ishte shumë e qartë, kur u sugjeroi autoriteteve shqiptare se “masat e jashtëzakonshme nuk mund të vazhdojnë gjatë”.

Në foto: Opinioni i Komisionit të Venecias (mars 2016), për draft-ligjin “Për Vetingun”

Dhe, një prej pikave që mbështetej ky qëndrim, ishte pikërisht sugjerimi për një mandat të kufizuar i anëtarëve të trupave të Vetingut.

LEXO EDHE  50 vjet burg për 6 shqiptarë, 3 italianë dhe 1 maroken për transport kanabisi nga Shqipëria ne Itali me avion

Në pikën 54 të Opinionit të Venecias, ekspertët ndërkombëtarë shprehen:

..Sipas Projekt -Amendamenteve të rishikuara, mandati i anëtarëve të Komisioneve të Pavarura të Kualifikimit (KPK) dhe gjyqtarëve të Dhomës së Kualifikimit të Specializuar (KPA), përgjegjës për procesin e verifikimit do të jetë 9 vjet pa e drejta e riemërimit…Kjo kohëzgjatje është shumë e gjatë. … Strukturat e verifikimit nuk duhet të zëvendësojnë organet e zakonshme kushtetuese, të tilla si KLGJ ose KLP; ato mund të bashkëjetojnë me ta për ca kohë, por nuk duhet të kthehen në mekanizma paralel kuazi-permanent”.

Në foto: Pjesë nga Opinioni i Venecias (mars 2016) për mandatin e anëtarëve të KPK-së

Në vijim, në pikën 56 të Opinionit të Marsit 2016, Komisioni i Venecias shprehet:

Do të ishte e pranueshme që të vendoset një afat kohor fiks prej 3-5 vite për ekzistencën e KPK-së dhe Komisionerëve Publikë. …Pas përfundimit të mandatit të organeve të verifikimit, institucionet e zakonshme dhe gjykatat mund të marrin përsipër çdo funksion të mbetur për të vendosur mbi procedurat e verifikimit, të cilat nuk do të jenë përfunduar

Ky qëndrim riktheksohet edhe në Konkluzionet e Opinionit të Komisionit të Venecias:

Mandati i organeve të verifikimit (KPK dhe Komisionerët Publikë) duhet të reduktohet ndjeshëm në kohë..”, thuhet në një prej pikave kyçe të Opinionit të miratuar në Mars 2016.

Në foto: Konkluzionet e Komisionit të Venecias

Mosbesim për KLGJ-KLP?

Megjithëse nuk thuhet shprehimisht, duket qartë se maxhoranca socialiste dhe ONM ndihen më komodë për të vijuar Vetingun me 12 komisionerët aktualë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke u përpjekur të shmangin sa më shumë kalimin e procesit të rivlerësimit në duart e institucioneve të reja kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Për kritikët e mënyrës së realizimit të procesit të Vetingut, të cilët janë shtuar ndjeshëm me kalimin e viteve, vendimmarrja e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mund të kenë qenë nën presion nga faktorë jashtë-institucionalë, për shkak të mangësisë së tyre në njohjen dhe zbatimin si duhet të normave proceduriale apo edhe të problemeve me integritetin personal.

Ky dyshim përforcohet më shumë, sidomos në aplikimin e standarteve të ndryshme të rivlerësimit për zyrtarë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë.

“Dorëzimi” i procesit të rivlerësimit tek KLGJ dhe KLP, struktura të reja dhe të përbëra nga profesionistë më të kualifikuar të fushës së drejtësisë, me shumë mundësi, do të shmangë “ndërhyrjet” e fuqishme nga jashtë procesit dhe kontrolli apo “diktimi” i vendimmarrjes ekstra-procedurial do të jetë shumë herë më i vështirë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në 4 vitet e ekzistencës së tij, ka shqyrtuar diçka më pak se gjysmën e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve që ishin në detyrë në fillim të procesit të rivlerësimit.

Një zgjatje e mandatit të tyre edhe me dy vjet, sërish nuk duket se do të arrijë të kalojë në filtër të gjithë zyrtarët e sistemit të drejtësisë.