Gjyqtarja Goxha përballet me KPK, dyshime mbi transaksionet dhe depozitat bankare të prindërve

Gjyqtarja e Gjykatës së Kavajës, Damiela Goxha u përball të enjten më 23 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan gjetjet e hetimit administrativ në të tre kriteret e rivlerësimit. Procesi i vetingut për gjyqtaren Goxha po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Damiela Goxha ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Në vitet 2014-2015, Goxha ka punuar si ndihmëse ligjore në Gjykatë të Lartë dhe prej vitit 2018 e kryen funksionin në Gjykatën e Kavajës.

Gjyqtarja Goxha mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës si dhe profesionalizmin.

Komisioni nuk ka gjetur probleme edhe në pasuritë e zotërura prej subjektit, një makinë të blerë para fillimit të detyrës në bashkëpronësi me të motrën si dhe gjendje cash në shumën 600 mijë lekë.

Komisioni u shpreh se nuk e ka konsideruar të arsyeshme të kryejë hetim të thelluar për një apartament të blerë nga prindërit e subjektit në vitin 1997, ku jeton dhe subjekti, pasi është pasuri e krijuar 15 vite para se Goxha të fillonte detyrën.

Megjithatë, KPK ka kryer hetime lidhur mbi transaksione bankare dhe transferta të kryera nga prindërit e subjektit dhe vëllezërit e saj për llogari të shoqërive të tyre tregtare.

Nga hetimi ka rezultuar se dy vëllezërit administrojnë një shoqëri tregtare dhe kanë kryer transaksione me një shoqëri italiane. Sipas Hamitajt, ka rezultuar se me shoqërinë italiane ka pasur marrdhënie tregtare edhe babai i subjektit, nga njohjet e të cilit kanë vazhduar bashkëpunimin edhe djemtë.

Relatori Hamitaj pohoi se nga hetimi ka rezultuar se shoqëria e vëllezërve të subjektit ka kryer 56 mijë euro blerje, ndërkohë që ata kanë marrë kredi në shumën 3 milionë lekë në vitin 2013 dhe më vonë kanë marrë edhe një kredi tjetër 10 milionë lekë.

Në seancë u konstatua se babai i subjektit ka marrë dy hua në shumat 40 mijë euro dhe 42 milionë lekë, duke i formalizuar ato me kontrata noteriale.

Në seancë u tha se subjekti ka shpjeguar se babai i ka marrë huatë për të ndihmuar shoqërinë e djemve dhe se ata i kanë kthyer paratë me të cilat ka shlyer shumat e sipërcituara. Hamitaj shtoi se Goxha ka deklaruar se këto shuma nuk kanë krijuar pasuri për prindërit apo motrën e saj dhe se kanë shërbyer për qarkullim për shoqërinë e vëllezërve. Ajo i ka kërkuar Komisionit që këto transaksione të mos trajtohen në procesin e saj të rivlereësimit.

Hamitaj sqaroi se nga analiza financiare duket se nuk është provuar mundësia e huadhënësve me burime të ligjshme për dhënien e huave dhe as mundësia financiare e babait të subjektit për kthimin e atyre shumave.

Relatori Hamitajt deklaroi se është konstatuar pamundësi edhe për krijimin e dy depozitave në shumën 2.2 milionë lekë nga prindërit e gjyqtares Goxha, ku sipas tij një pjesë e shumës është depozituar në bankë para fillimit të detyrës nga ana e subjektit.

Në sesancë u tha se nga analiza e përgjithshme financiare Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare kryesisht për shumat e marra hua, megjithëse nuk janë përfshirë deri në këtë moment në analizën përfundimtare.

LEXO EDHE  Gjendet i vrarë me armë zjarri 45-vjeçari

Hamitaj sqaroi se subjekti i rivlerësimit ka dorëzuar prova dhe shpjegime lidhur me konstatimet për pasurinë, të cilat do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Në fillim të fjalës së saj, gjyqtarja Damiela Goxhi falënderoi Komisionin për hetimin e kryer dhe u shpreh se ishte dakord për rezultatet lidhur me pastërtinë e figurës dhe për pasuritë e saj. Ajo shtoi se ishte përgjithësisht dakord për gjetjet për profesionalizimin, ndërsa kundërshtoi konsiderimin e prindërve të saj si persona të lidhur në hetimin e kryer për transaksionet e kryera prej tyre për llogari të shoqërisë së vëllezërve, si dhe për transaksionet e këtyre të fundit.

“Vlerësoj se prindërit nuk duhet të konsiderohen si persona të lidhur, por si persona të tjerë të lidhur”, pohoi Goxha dhe solli në vëmendje të Komisionit një tjetër rast të ngjashëm kur KPK nuk i kishte konsideruar prindërit e një subjekti si persona të lidhur.

Ajo deklaroi se prindërit kanë vetëm një pasuri, apartamentin që e kanë blerë në vitin 1997. “Është blerë kur unë isha 10 vjeçe,” sqaroi ajo. Goxha këmbënguli se nuk mund të hetoheshin edhe depozitat në emër të nënës dhe sqaroi se ato ishin krijuar në vitet 2011 dhe 2012 kur ishte ende në Shkollën e Magjistraturës.

“Ne jemi katër fëmijë, dy motra dhe dy vëllezër. Vellezërit janë të angazhuar në aktivitet tregtar dhe janë ndihmuar nga prindërit. Mua nuk me lind asnjë e drejtë apo detyrim nga aktiviteti i vëllezërve,” theksoi Goxha dhe shtoi se nuk mund t’u kërkonte prindërve që të mos ndihmonin djemtë e tyre.

“Fakti që kanë marrë hua tregon se unë nuk kam kontribuar,” argumentoi ajo. Goxha theksoi se kishte dorëzuar prova dhe dokumente që vërtetonin se vëllezërit dhe prindërit e kishin ushtruar aktivitetin tregtar në mënyrë të pavarur prej saj.

Goxha kërkoi që huadhënësit të mos konsiderohen si persona të tjerë të lidhur. Megjithatë, ajo shpjegoi se ata kanë pasur depozita në bankë në vlera më të mëdha se kanë dhënë huatë dhe se ishte vërtetuar që njëri prej tyre kishte shitur edhe një pasuri.

Subjekti shpjegoi se transaksionet kishin shërbyer si nevoja të shoqërisë së vëllezërve për likujditet, pasi ata importonin produkte me shumicë dhe u nevojiteshin shuma parash deri sa të arkëtonin të ardhura pas shitjeve.

Anëtarja e trupit gjykues, Etleda Çiftja konstatoi se gjithë magjistratët e rinj insistonin që prindërit e tyre të mos konsiderohen persona të lidhur dhe e pyeti subjektin nëse kishte qenë e kujdesshme që transaksionet e prindërve të mos ndikonin në detyrën e saj si gjyqtare.

“Nuk më ka takuar të kujdesem, pasi prindërit kanë qenë vetë të kujdeshëm. Çdo transaksion është kryer me veprime bankare ose është legalizuar para noterit,” u përgjigj ajo.

Në përfundim të seancës dëgjimore, gjyqtarja Damiela Goxha deklaroi se e meriton të jetë gjyqtare e Republikës së Shqipërisë dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 27 shtator, ora 09:45. /BIRN/