Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim i është përgjigjur akuzave të atyre që thonë se është më afër qeverisë. Kim deklaroi në një intervistë për Zërin e Amerikës se detyra e saj është të sigurohet që qeveritë të kenë një marrëdhënie të mirë pune. Ajo shtoi se është takuar po kaq shpesh edhe me anëtarët e opozitës duke nisur nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Zëri i Amerikës: Zonja Kim, si i përgjigjeni ju kritikave, që ju shohin më të afër me qeverinë?
Ambasadorja Kim: Kjo është një akuzë me të cilën përballen diplomatë amerikanë kudo në botë dhe diplomatët në përgjithësi. Shpresoj që njerëzit të kuptojnë që si diplomatë, e dini, mua më ka dërguar Presidenti amerikan për të përfaqësuar interesat tona pranë qeverisë shqiptare. Pra, ka një arsye që kur vjen një diplomat amerikan, ai ose ajo shkon tek kreu i shtetit dhe paraqet letrat kredenciale. Pra, detyra ime e parë, përparësia ime e parë është të sigurohem që qeveritë tona të kenë një marrëdhënie të mirë pune. Por përtej kësaj, diplomacia ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri; ka të bëjë edhe me marrëdhënien njerëz me njerëz, madje edhe bizneset. Dhe prandaj më shikoni mua dhe diplomatë të tjerë në ambasadën amerikane të udhëtojmë rretheqark vendit, sepse kemi punë këtu në Tiranë me zyrtarë qeveritarë, por kemi shumë më tepër punë – dhe kur them punë, flas për marrëdhëniet – me pjesën tjetër të Shqipërisë.
Prandaj takohem kaq shpesh me anëtarët e opozitës, qoftë zotin Basha apo një numër njerëzish të tjerë. Dhe kam në plan të vazhdoj të udhëtoj rretheqark Shqipërisë sepse dua të takohem me qytetarë të thjeshtë. Dua të di se ç’kanë në mend ata. Dua të kem mundësinë t’iu shpjegoj pozicionin e SHBA atyre përballë. Dhe nëse nuk janë në një mendje me diçka që them unë, dua të dëgjoj se çfarë pyetjeje kanë dhe të kem mundësinë t’i përgjigjem drejtpërdrejt. Deri tani, kam pasur disa biseda zhbiruese dhe ndriçuese. E dini, isha në Dibër pak javë më parë kur u ngjita në malin e Korabit. Kur isha atje, takova shumë njerëz në bulevardin kryesor.
Më pëlqen të eci dhe të bëj biseda të vërteta sepse jam shumë e ndërgjegjshme që kur jam në Tiranë, kam një axhendë të mbushur plot dhe çdo person me të cilin flas është dikush që e kam takuar më parë, dhe ata dinë si t’i bëjnë këto biseda. Janë shumë, nuk dua të them të stisura, por kanë një lloj modeli të përhershëm. Më pëlqen të dal jashtë Tiranës sepse ka raste kur dikush s’ka takuar kurrë një diplomat amerikan më parë dhe janë njerëz që kanë mendimet e tyre, kanë përvojën e jetës së tyre; kur eci në Tiranë, e di që nuk është gjithë Shqipëria, që ka shumë më tepër atje jashtë saj. Më pëlqen të shkoj në male. Ua kam thënë njerëzve më parë, e dini, familja ime në Kore është nga malet më të thella, më të ftohta në gadishullin Korean dhe, nuk e di nëse është ky shkaku, por ndihem në shtëpi këtu, në male. Në të njëjtën kohë, jam rritur në një ishull tropikal dhe kur shkoj në jug, në Himarë apo Sarandë, ndihem shumë rehat edhe atje. Por këto biseda janë vërtet frymëzuese dhe janë shumë informuese sepse nuk përdorin pikat që duhen thënë. Dhe kur flas me ta, as unë nuk përdor të tilla, ndaj vërtet e vlerësoj atë mundësi dhe shpresoj ta vazhdoj.
Kim foli edhe për takimet me kreun e SPAK Arben Kraja, teksa theksoi se pritshmëritë që kanë vërtetë rëndësi janë ato të popullit shqiptar. Kim shtoi se SPAK ka treguar rezultate dhe perceptimi i njerëzve mbi të ka ndryshuar.
Zëri i Amerikës: Javën e shkuar, madje dhe para pak ditësh, ju takuat kreun e SPAK, dhe u shprehët se nënvizuat “pritshmërinë e SHBA që SPAK do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar – pavarësisht sa i fuqishëm apo i pasur, pavarësisht se cila parti”. A janë pritshmëritë tuaja më të larta tani, kur në krah të SPAK është reshtuar dhe BKH?
Ambasadorja Kim: Nuk mendoj se kanë rëndësi pritshmëritë e mia. Sigurisht, investimi i SHBA ka rëndësi dhe fakti që vazhdojmë të investojmë tek SPAK dhe BKH është një tregues i asaj që shpresojmë të marrim si rezultat. Por pritshmëritë që vërtetë kanë rëndësi janë ato të popullit shqiptar. Nëse mendojmë se ku ishim një vit më parë, njerëzit talleshin me SPAK, e dini, i mbaj mend shakatë dhe karikaturat me S’KAP. Tani, një vit më pas, teksa SPAK ka treguar rezultate, perceptimi i njerëzve ka ndryshuar dhe cilido tani thotë, nëse ka diçka që nuk shkon, do të të raportoj në SPAK. Për mua, kjo tregon se ata besojnë që SPAK është i efektshëm. Dhe në fakt, të dhënat tregojnë që është ashtu.
U habita pa masë kur kërkova ca informacione dhe mësova, për shembull, se që kur SPAK u ngrit në vitin 2019 e deri në ditën e fundit të gushtit 2021, ka konfiskuar 70 milionë euro asete të personave që janë dënuar dhe gjykatat e kanë konfirmuar këtë dhe këto asete i kanë kaluar shtetit, ashtu siç duhet. 70 milionë euro në një vit e gjysmë. Krahasojeni këtë, hamendësoni, gjejeni se sa u konfiskua për periudhën 2011 deri 2019 – 20 milionë euro. Mendoj se është diçka që tregon shumë. Do t’ju them edhe që gjatë vitit kur ka funksionuar SPAK, kanë shqyrtuar 7-800 çështje dhe i kanë përpunuar ato; ka pasur rreth 250 individë të dënuar dhe kur shikon nivelin e dënimeve, është mbresëlënëse: 90% e rasteve që SPAK ka ndjekur çojnë në dënime, goxha mirë. Dhe pritshmëria ime është që me BKH-në, që tani ka marrë në punë gjysmën e 60 hetuesve që kërkojnë, kapacitetet e SPAK do të rriten edhe më tej. Dhe, gjithmonë them për reformën në drejtësi – nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përkryer, por sigurisht po shohim rezultate dhe mendoj që njerëzit e zakonshëm po shohin rezultate. Mendoj se edhe më shumë do të vijnë.