Janë shtuar zërat kundër Lulzim Bashës për përjashtimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha si anëtar i Grupit Parlamentar demokrat.
Raportohet se në mbledhjen me dyer të mbyllura që po mbahet në selinë e PD ka pasur debate të forta nga deputetët Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Flamur Noka, Luçiano Boçi dhe Bujar Leskaj.
Mësohet se deputetët e kanë cilësuar si të paligjshëm përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar.
“Nuk bazohet në asnjë nen statutor, nuk ke kompetenca për të përjashtuar një deputet”, i janë drejtuar Bashës, ligjvënësit demokratë, i cili e kakonsideruar si një vendim personal, që shmangte sanksione ndaj Partisë Demokratike, nëse nuk do të merrej.
Nuk dihet nëse Lulzim Basha do të mund të ruajë kompaktësinë e Grupit Parlamentar, por referuar disa burimeve, deputetë të PD kanë paralajmëruar Bashën se nëse nuk kthen pas vendimin, do të mbështesin çdo lëvizje të ish-Kryeministrit Berisha për rikthimin e legjitimitetit në PD
Ndërkohë raportohet se selia e PD ka mbyllur dyert dhe askush nuk lejohet të futet brenda, një gjë që prej vitesh nuk ndodhte në selinë e partisë më të madhe opozitare.













