Dhjetëra mijëra refugjatë afganë që arritën në Shtetet e Bashkuara si pjesë e një evakuimi humanitar me përmasa historike futen në kategori të ndryshme të sistemit të imigracionit.
Disa me Viza Speciale Imigracioni (SIV) kanë gjetur mbështetjen e strukturave qeveritare në forma të ndryshme, duke filluar nga ndihma me strehim, ushqim dhe veshje deri në gjetjen e një vendi pune dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor. Këtu hyjnë kryesisht afganët dhe familjet e tyre që punuan si përkthyes dhe ndihmës për ushtrinë dhe qeverinë amerikane gjatë luftës 20-vjeçare në Afganistan.
Ata që nuk gëzojnë mbrojtjen e vizave SIV, por që në një farë mënyre arritën të dalin nga Afganistani me një aeroplan mallrash të ushtrisë amerikane, janë kategorizuar si “me mbrojtje të përkohshme” të cilët kualifikohen vetëm për strehim afatshkurtër, pagesa modeste dhe ndihma të tjera deri në 90 ditë. Askujt nuk i garantohet një proces zyrtar që përfundon me marrjen e statusit të banorit të përhershëm (karta jeshile) ose punës me orar të plotë, duke shkaktuar shqetësim tek aktivistët për të drejtat e të evakuuarve se ata mund të mbeten pezull nga sistemi ligjor.
Në komente kohët e fundit për gazetarët, zëdhënësit e organizatave jofitimprurëse që ndihmojnë refugjatët e zhvendosur thanë se Kongresi duhet të veprojë për të shmangur traumatizimin e mëtejshëm të të evakuuarve pas ikjes së frikshme nga Afganistani dhe talebanët. Ata vunë në dukje se sistemi amerikan i imigracionit është kompleks, burokratik dhe i vështirë për t’u ndjekur.
“Duhet të ndërmerren veprime për të garantuar që, pavarësisht nga statusi, refugjatët kanë një rrugë të qartë përpara për të marrë një status qëndrimi të përhershëm,” tha Adam Bates, këshilltar politik në Projektin Ndërkombëtar të Ndihmës për Refugjatët.
“Duke pasur parasysh sistemin aktual të imigracionit në këtë vend, administrata duhet të punojë ngushtë me Kongresin,” tha zoti Bates.
Dallime në statusin e imigracionit
Zyrtarë të Pentagonit dhe Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare thanë në konferencat e fundit për shtyp se arritën të evakuonin 65,000 afganë si pjesë e operacioinit historik të transportit ajror, pas marrjes së Afganistanit nga talebanët.
Ndër ta, rreth 24,000 kanë mbërritur në SHBA që nga 17 gushti. Avionët me të evakuuar mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles pranë Uashingtonit. Nga atje, afganët u dërguan në baza ushtarake amerikane në Virxhinia, Teksas, Uiskonsin dhe Nju Xhërsi për procesin e dokumentacionit dhe përpunimin e aplikimeve.
Disa ishin me vizat speciale SIV. Të tjerët po kalonin procesin e ndërlikuar dhe të gjatë të aplikimit për viza SIV, për të cilin aplikanti duhet të përmbushë kritere speciale. I gjithë procesi, deri në dhënien e përgjigjes, zgjat mesatarisht tre vjet. Me rregullore, aplikanti duhet të marrë vizën para se të hyjë në SHBA.
Ata që përfunduan procesin dhe e morën vizën në Afganistan para se të largoheshin për në SHBA, janë në proces e sipër për të marrë kartën e gjelbër të banorit të përhershëm, sipas juristëve.
Por e ardhmja është shumë më pak e sigurt për ata që mbërritën pa vizë ose pa dokumentacionin e duhur. Këto individë u lejuan të futen në SHBA nën kategorizimin e “mbrojtjes së përkohëshme humanitare”, e cila zakonisht jepet për shkak të një arsyeje urgjente ose emergjence humanitare.
Kohëzgjatja maksimale për statusin e mbrojtjes së përkohshme është një vit. Por, zyrtarët amerikanë të imigracionit mund ta zgjasin atë edhe për 12 muaj.
Një aktivist për refugjatët i tha Zërit të Amerikës se afganët nën mbrojtje të përkohshme humanitare po dërgohen me familjet e tyre në baza ushtarake për kontroll shëndetësor dhe ndihmë për të aplikuar për një autorizim pune në SHBA.
Mbrojtje nga dëbimi
Një person që hyn në SHBA me statusin e mbrojtjes së përkohshme humanitare është i mbrojtur përkohësisht nga dëbimi dhe lejohet të aplikojë për autorizim pune. Por mbrojtja e përkohshme nuk i jep statusin e imigrantit, nuk i jep përfitime të tjera dhe nuk ofron një rrugë zyrtare për të aplikuar për shtetësinë amerikane.
Ndërkohë, afganët që kanë marrë vizat speciale SIV kanë të drejtë për të marrë ndihma për akomodim dhe përfitime të tjera si çdo refugjat që pranohet sipas Programit të Pranimit të Refugjatëve në SHBA. Mbështetja zgjat rreth tetë muaj pasi një individ është futur në Shtetet e Bashkuara.
Personat e pajisur me viza speciale SIV kanë gjithashtu të drejtën të ndjekin hapat për të aplikuar për statusin e banorit të përhershëm, pasuar nga shtetësia amerikane, një proces që mund të zgjasë më shumë se pesë vjet.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se nën Operacionin “Mirëseardhje për Aleatët”, personat që kanë arritur ditët e fundit po analizohen e verifikohen në një proces që përfshin “kontrolle biometrike dhe biografike të kryera nga zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës, zbatimit të ligjit dhe antiterrorizmit nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes dhe FBI”, si dhe agjenci të tjera.
Përfitimet pas vendosjes në SHBA
Në një email për Zërin e Amerikës, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se individët dhe familjet e tyre, të cilëve u është dhënë statusi special i imigrantit nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të marrin disa përfitime nga sistemimi në SHBA.
Atyre që kanë statusin e mbrojtjes së përkohshme do t’u ofrohet ndihma fillestare e zhvendosjes përmes agjencive lokale që marrin pjesë në Programin për Zhvendosjet dhe Ndihmat për Afganistanin.
“Përmes këtij programi, individët do të vendosen në komunitete në të gjithë vendin për të filluar të rindërtojnë jetën,” thoshte në email zyrtari i Departamentit të Shtetit. “Agjencitë do të ofrojnë ndihmë për nevoja të tilla kritike si strehimi, regjistrimi i fëmijëve në shkollë dhe nevojat themelore si ushqimi, veshja dhe orenditë gjatë 30-90 ditëve të para në komunitetet e tyre të reja”.
Zyrtari tha gjithashtu se agjencitë lokale që punojnë për sistemimin e këtyre individëve marrin një shumë prej 2,275 dollarësh, nga të cilat 1,225 dollarë përdoren nga agjencitë për të paguar për strehimin dhe nevoja të tjera të personave që po vendosen në këtë komunitet.
“Po punojmë me Kongresin dhe agjenci ndërmjetëse për të parë nëse mund t’u ofrojmë edhe personave që kanë marrë statusin e mbrojtjes së përkohëshme përfitimet federale që u jepen refugjatëve dhe personave me vizë speciale SIVs, të tilla si mundësi për të përdorur programin e asistencës shëndetësore dhe ndihmave me fonde për jetesë. Mbështetja nga sektori privat do të jetë kritike për plotësimin e nevojave të këtij grupi,” shkruante zëdhënësi.
Organizatat jofitimprurëse, si Shoqatat Bamirëse Katolike në Teksas, Qendra në Ndihmë të Grave Muslimane në Miçigan dhe grupi “New American Pathways” në shtetin Xhorxhia janë disa nga organizatat e përfshira në ndihmën për sistemimin e afganëve në të gjithë vendin.
Ata që ndihmuan të evakuuarit në Afganistan ose në SHBA po i kërkojnë Kongresit që t’u japë afganëve qasje të plotë në procesin për të aplikuar për statusin e banorit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.
“Ata po përpiqen të fillojnë një jetë të re në një vend të ri. Nuk kanë nevojë që të traumatizohen sërish nga një sistem imigracioni që nuk merr parasysh situatën e tyre të vështirë,” tha zoti Bates.
Statusi i azilantit, mundësi e hapur
Nëse Kongresi nuk vepron, avokatë të imigracionit thanë se një opsion tjetër është aplikimi për azil në SHBA.
Ligji amerikan ofron status azilanti për njerëzit që përballen me persekutim në vendet e tyre. Sidoqoftë, procesi është i gjatë, mund të zgjasë me vite dhe aplikantët do të duhet të dalin në gjykatën e imigracionit, e cila është e mbingarkuar me 1.3 milionë aplikime për azil.
Azilkërkuesit duhet të aplikojnë brenda një viti nga data e mbërritjes dhe mbi të gjitha, ata duhet t’u dëshmojnë zyrarëve federalë ose një gjykatësi të gjykatës së imigracionit se kanë një “frikë reale” për t’u kthyer në vendin e tyre.
“Është absolutisht e papranueshme që ndonjë prej këtyre individëve të kthehet në Afganistan,” tha zoti Bates./VOA