Afganët në Shqipëri, jo vetëm Soros i përfshirë/ Fondacioni i Clinton ndikoi te Rama

Hillary Clinton, e cila humbi garën presidenciale në SHBA përballë Donald Trump në vitin 2016, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama pasditen e së premtes.

Sipas gazetarit, Muhamed Veliu, i cili i referohet një burimi në dijeni të kësaj bisede, Clinton ka falenderuar Ramën, për gatishmërinë dhe kujdesin e treguar në sjelljen në Shqipëri dy ditë më parë të 37 grave dhe vajzave afgane aktiviste të shoqërisë civile, mes tyre edhe ish gazetarja e Tolo TV Behishta Arghand.

Organizata jo qeveritare Vital Voices, themeluar nga Hillary Clinton dhe ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright mundësuan nxjerrjen nga Afganistani të këtyre grave dhe vajzave tashmë të strehuara në vendin tonë.

Për Hillary Clinton, gjatë fushatës presidenciale në SHBA, Edi Rama zgjodhi të sulmojë hapur Donald Trump, duke u shprehur në atë kohë se “zgjedhja si President do të ishte turp për njerëzimin”, ndërsa vinte edhe pikëpyetje për raportet Shqipëri-SHBA nëse do të zgjidhej.

Rama pohoi në emisionin Opinion dy ditë më parë, se fillimisht ishte kontaktuar nga dy organizata amerikane, lidhur me mundësinë e strehimit në Shqipëri të afganëve, por nuk përmendi emra. Deri më tani në skenë ishte shfaqur Alex Soros, i cili erdhi në Shqipëri duke takuar disa nga refugjatët afganë.

Organizata Vital Voices prej disa javësh u vu në kontakt me qeverinë shqiptare për të përmbyllur me sukses këtë operacion delikat e të vështirë për nxjerrjen nga Afganisani të këtyre 37 aktivisteve afgane të cilat fillimisht qëndruan në Katar e vijuan udhëtimin drejt Shqipërisë.

LEXO EDHE  “Më kapi nga krahu, më tha hajde”, 60-vjeçari tenton të përdh*nojë të miturën

Nuk dihet nëse pjesë e këtij fondacioni është edhe bashkëshortja e Tony Blair, i cili në mandatin e parë të Ramës shërbeu edhe si një prej këshilltarëve të Kryeministrit, apo ajo ka një tjetër fondacion, që mund të lobojë për këtë çështje.

Cherie Blair rreth 1 javë më parë ka vizituar Tiranën, ndërsa është shoqëruar pothuajse gjatë orëve të qëndrimit në Shqipëri nga Endri Fuga dhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme. Nga burime diplomatike mësohet se Cherie Blair në kontaktet që ka pasur me personat e afërt të Kryeministrit ka lobuar pikërisht për refugjatët afganë, madje duke shprehur suportin e saj lidhur me këtë çështje.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama i cili në një intervistë për mediat ndërkombëtare disa javë më parë tha se janë disa organizata të njohura në botë të cilat i kanë kërkuar ndihmë Shqipërisë në strehimin e njerëzve të tyre.

Deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur 644 qytetarë afganë të cilët kanë punuar në të shkuarën për disa organizata ndërkombëtare si US AID, përfshi gazetarë.

Ndërsa The Yalda Hakim Foundation themeluar e drejtuar nga gazetarja e BBC Yalda Hakim shpëtoi nga Afganistani duke strehuar në Shqipëri 59 studentë nga American University of Kabul mes tyre edhe disa vajza nga minoriteti Hazara në rrezik për jetën.