“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” ka dorëzuar sot në SPAK një tjetër kallëzim penal. Adriana Kalaja, juristja e aleancës, sqaroi se është depozituar kallëzim për prokurorin Sotir Kllapi.
Prokurori, sipas saj, në shkelje të ligjit, ka vendosur mos fillimin e hetimeve për kolegen Manjola Kajana. “Prokuroria Manjola Kajana është kallëzuar nga ne për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe veprën penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të prokurorëve dhe gjyqtarëve lidhur me vendimin e mosfillimit të hetimeve ndaj ambasadorit Soreca”, sqaroi Kalaja, e cila shtoi se “në lidhje me këto veprime, ne kemi marrë një njoftim shumë pozitiv nga ana e ILD, ku na është thënë që ka nisur hetimi administrativ për dhënien e masave konkrete ndaj kësaj prokuroreje”, u shpreh Kalaja në prononcim për gazetarët jashtë ambienteve të SPAK.
Ky fakt, shtoi ajo, nuk është marrë në konsideratë nga ana e prokurorit Sotir Kllapi, të cilin e akuzoi për “bërje palë me zyrtarët e korruptuar” dhe “shfaqje solidariteti në shkelje të ligjit me kolegët”.
Kërkesa për informacion
Kalja sqaroi se është dërguar dhe një kërkesë për informacion drejtuar prokurorit të çështjes së “Teatrit Kombëtar”, Edvin Kondili. Ajo tha se afati i hetimeve është mbyllur në 15 korrik dhe s’kanë marrë asnjë informacion lidhur me ecurinë as nga prokurori i çështjes, e as nga kreu i SPA Arben Kraja, pavarësisht kërkesës për dhënie informacioni dërguar më herët në Prokurorinë e Posaçme.
“Kemi rikërkuar marrjen e masës së sekuestros mbi truallin e teatrit, ndaj ‘Tirana DC’ SH.A. që është krijuar për pastrim të produkteve të veprave penale, të projektit korruptiv dhe pezullimin e alokimit të fondeve nga buxheti i shtetit drejt bashkisë Tiranë”, shtoi ajo.
Mesazhi për ambasadoren Kim
Një mesazh u dha edhe për ambasadoren e SHBA në vendin tonë, që sipas “Aleancës” është palë me kryeministrin Edi Rama e kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj në çështjen e teatrit.
“Ta harrojë Edi Rama, ta harrojë Erion Veliaj, ta harrojë dhe Juri Kim e Luixhi Soreka se në sheshin e teatrit do ndërtohet teatri i ri korruptiv, do ndërtohen kullat e pastrimit të produkteve të veprave penale. Në sheshin e teatrit do ndërtohet teatri ashtu siç ka qenë, me të njëjtat përmasa dhe volume se kjo është edhe kërkesa e KLSH, i cili ka depozituar një kallëzim penal për të cilin akoma nuk është bërë asnjë reagim nga SPAK”, tha Kalaja.
Aktori Mehdi Malkaj u shpreh se “drejtësia e re është më e vjetër se drejtësia e vjetër” dhe kjo sipas tij, është një “sukses i qeverisë shqiptare e udhëhequr nga Juri Kim, e cila pasi mbaroi gjithë ketë turizmin veror, besoj se do marrë malet, janë shumë të bukura malet shqiptare”.
“Zonja ambasadore të uroj shëndet, suksese, e katranose këtë punë siç deshe ti. Nga një popull shumë proamerikan, tani avash-avash po bëhemi anti-amerikan”, shtoi aktori.