Integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës dhe konsolidimi i brendshëm i saj janë dy synimet themelore të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e ka deklaruar përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun, Miroslav Lajçak, në forumin e “Alpbachut” në Austri.
Lajçak po ashtu tha se njohja e Kosovës do të jetë njëra prej çështjeve që do të diskutohet në dialog.
“Për sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë dy synime themelore të tij. 1. E para ka të bëjë më integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës dhe dy konsolidimi i brendshëm i Kosovës”, ka thënë ai.
Në këtë forum ai foli edhe për nismën e ‘’Open Balkan’’ të nisur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut.
Nismën ai e ka quajtur si konkurrencë të pashëndetshme për proceset e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
‘’Në këtë rast ‘Open Balkan’ nuk do të ishte një konkurrencë e shëndetshme. Ne tashmë kemi shumë nisma të ngjashme si CEFTA ku nuk mungon pra shembulli për një format tjetër origjinal sikur këto. Çfarë është më e rëndësishme është që të matim aftësinë e këtyre formateve për ta afruar regjionin më afër me BE-në që të krijojmë standarde dhe norma evropiane, ka shtuar ai.
Për të njëjtën çështje gjatë të dielës ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai në këtë forum ka përmendur refuzimin e BE-së për heqjen e vizave ndaj Kosovës, ku tha se Bashkimi Evropian duhet të veprojë në mënyrë më etike dhe më të drejtë.
“Politika e shkopinjve dhe karotave nuk ka qenë shumë frytdhënëse për Kosovën pasi kemi marrë shumë shkopinj, por jo shumë karota. Ka kaluar më shumë se një dekadë qëkur të gjithë anëtarët e BP6 kanë marrë liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova është ende duke pritur, e izoluar si në një geto, imazh i cili sjell shumë turp në të dyja palët”, ka thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Kryeministri Kurti po ashtu në takim ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të qartësojë 5 gjëra në raportin me Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet rritja e financimit për rajonin, anëtarësimin e rajonit në NATO dhe heqjen e barrierave ekonomike mes Ballkanit dhe vendeve të tjera të Evropës.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka cilësuar nismën e “Open Balkan” si konkurrencë të pashëndetshme për proceset e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai në Forumin Alpbachut ka thënë se në këtë rast, kjo iniciativë nuk është konkurrencë e shëndetshme, duke shtuar se ka shumë nisma të tjera të cilat kanë të njëjtin qëllim siç është edhe CEFTA.
Lajçak ka thënë se iniciativa të tilla duhet t’i afrojnë më shumë vendet partnere se sa t’i përçajnë e largojnë ato.
Ai ka shtuar se duhet shmangur situatat kur platformat e tilla i bëjnë këto vende garuese me njëra-tjetrën.
“Open Balkan” është nismë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi deri tash e kanë refuzuar bashkimin në këtë nismë.
“Open Balkan”, nga nismëtarët e tij është proklamuar si një zonë “Mini-Schengen”.