Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë (DHKPGJP), ka bërë një deklaratë të forë pas fjalimit të gjatë të kryeministrit Edi Rama një ditë më parë, cili foli për gjithccka në Tokëm por vetëm për sistemin e drejtësisë nuk tha asnjë fjalë.
Me anë të një deklarate në Facebook, DHKPGJP shkruan se kryeministri Edi rama një ditë më parë foli dhe për yjet e hënën, por vetëm për turpin evendit me emrin ‘Sistem Drejtësie’ nuk foli, dhe kjo sepse i gjithë sistemi ka dështuar.
Sipas DHKPGJ Ministria e Drejtësisë është një turp, sistemi i drejtësi po ashtu, ndërsa gjykatat dhe vendimet e tyre janë qesharake, ku asgjë nuk ka vlerë, por kryeministri hesht, sepse nuk ka asgjë për të thënë për një institucion të mbytur ng plehrat.
Postimi i plotë i DHKPGJ:
🔶 “SHAME ON THEM”
🔳 LETËR KRYEMINISTRIT RAMA
I nderuar z. Kryeministër,
Dje mbajtët fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës. Treguat me fjalë për punët e kryera në 4 vite. Ministrat ishin prezentë, gojëmbyllur apo gojëmbuluar, nuk kuptohej qartë, pasi maskat anti-covid deri afër syve pengonin të vërtetën e tyre. Por kuptuam se cilësia e maskës që mbanin lidhej me cilësinë e punës 4-vjeçare të secilit; ata “të suksesshmit” i kishin maskat me porosi, të tjerët 20-lekëshe.
Ju folët për luftën ndaj armikut të padukshëm në shëndetësi; na treguat se si simboli i rezistencës së mjekëve, znj. Çomo, braktisi mandatin e deputetes, se donte të vazhdonte luftën me shoqet dhe shokët kundër armikes së re “Delta”.
Folët për “Fundin e Marrëzisë” në sektorin e energjisë elektrike… Folët për aeroportet, rrugët, portet që do të ndërtohen… dhe për tokën bujqësore që është bërë shumë pjellore këtë mandat qeverisës!
Folët për fiskalizimin digjital dhe për digjitalizimin e shërbimeve… dhe se si shteti është fut’ në smartphon-in e qytetarëve aq shumë sa u bëmë kampionët digjitalë të rajonit. Të parët, do të bëjmë, edhe cirkuitin për gara me makina!
Folët për kulturën, Shqipërinë arsimore, për mbrojtjen dhe punët e jashtme. Theksuat prioritetin e prioriteteve që, duhet të jetë kthimi dhe jo largimi i qytetarëve nga Shqipëria.
Por nuk thatë asnjë fjalë për Ministrinë e Drejtësisë! Dikasterin që mbuloi fushën e drejtësisë për plot 4 vjet.
👉Përse nuk folët asnjë fjalë z. Kryeministër?!
👉Heshtja Juaj flet apo bërtet në këtë rast?
👉Kjo ministri kyçe e Qeverisë Suaj, nuk u përmend fare. Ç’ka bërë këto 4 vite?
Dhe nëse kjo ministri sipas heshtjes suaj përmbyllëse, nuk ka ekzistuar, kjo qeveri, Juaja qeveri- jo vetëm nuk ka realizuar asnjë prej kushteve për çeljen e negociatave në BE, por stërkushteve të saj me siguri do t’u avitet vetëm nëse ato një ditë do të hiqen fare, për hatër të Shqipërisë!
A e dinit Ju që është pikërisht kjo ministri, e cila përgjigjet dhe harton gjithë projektet e akteve ligjore e nënligjore në fushën e drejtësisë?
Apo aktet normative të Këshillit të Ministrave, si ai “I afganëve” (me gabime të rënda edhe ky akt)…dhe që ka funksionuar si mos më keq?
Ministria e mbushur me diletantë të fushës së drejtësisë, si një ansambël “tallava” të emëruarish apo të punësuarish pa asnjë kriter, e kthyen këtë institucion në “armikun” e dukshëm të qytetarit, madje të vetë qeverisë Suaj.
A e dinit Ju që kjo ministri duhet të kujdesej për shërbimet juridiko-profesionale në vend, të gjitha të goditura rëndë këto 4 vite, në regres 10-20-vjeçar, a thua se aty punuan talebanët? Më rëndë se të tjerat, Shërbimi Përmbarimor, shtetëror dhe privat bashkë.
“Shame on them”- kjo është shprehja që përdori për MD-në, këtë fillimvit, gjyqtari nga Holanda, Rene Van Veen, ekspert i Euralius. Eksperti që asistoi për dy vite përmbaruesit, sot gjyqtarët e SPAK, pati një arsye të fortë, kur braktisi elegancën dhe etiketoi me plot gojën “Shame on them”. Arsyen që juristë e ekspertë shqiptarë e murmuritën këto 4 vite, por nuk e thanë kurrë me zë të lartë “Turp si është katandisur Ministria e Drejtësisë…!”.
Ndoshta është arsyeja që ju detyroi të mos e përmendni fare këtë institucion dhe zonjën me dy mbiemra në krye të tij.
“Shame on them”, për gjithçka që i huaji nuk arrinte ta shpjegonte; se si mundej që ministrja që çirrej për “reformën” nuk e zbatonte pa asnjë skrupull atë. Se si për plot dy vjet (2019-2021) ministresha me dy mbiemra refuzoi të miratonte akte jetike që ligjet e Reformës për Drejtësi e detyronin t’i bënte. Akte që nuk do të lejonin që shoqëria shqiptare të mbytej nga fenomeni: “Mbledhja e borxheve nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit”.
Por MD-ja, që Ju nuk e përmendët, zgjodhi të bëhet “Shame on them” dhe stacion plehrash në anë të bulevardit “Zog i I-rë”. Shikoni fotot që simbolizojnë katandisjen e kësaj ministrie: 5 mijë dosje përmbarimi me qese plehrash u braktisën në këtë institucion nga një shpurë batakçinjsh! 5 deri 8 mijë të tjera s’dihet ku janë… Me mijëra familje të këtyre dosjeve presin prej vitesh zhbllokimin e pronave dhe pasurive, me mijëra të tjera po mashtrohen çdo ditë nga skemat e batakçinjve dhe mashtruesve mikrobankarë.
50 mijë ose më tepër mund të jenë numri i qytetarëve të mashtruar, të vjedhur apo të bllokuar nga skemat e mashtrimit të shitjes, mbledhjes m’andej dhënies së mikrokredive të vogla me pahir, nga e njëjta dorë batakçinjsh me licenca nga Banka e Shqipërisë, por me licencë kryesore “heshtjen” e shtetit që nuk i ndalon.
Mijëra të tjerë po zhyten çdo ditë në skemat e kredidhënies nga anonimët e huaj dhe ata të parajsave fiskale. Kjoskat e mikrokredive po lulëzojnë si dikur ato të Sude-ve piramidale. Shteti shqiptar hesht.
Banka e Shqipërisë ka licencuar një duzinë me “baraka financiare” dhe as nuk i bëhet vonë për qytetarin dhe për vetë sistemin bankar në vend. Kreditë e shqiptarëve shiten dhe blihen si në tregun e gjësë së gjallë për dy lekë.
Është Shqipëria i vetmi fanar ndriçues në botë që “shitjen e kredisë e quan kredidhënie”. Banka e Shqipërisë ka ligjëruar matrapazllëkun me rregullore. Bankat kanë shitur te matrapazët e licencuar mijëra kredi që janë fate familjesh shqiptare, pa i njoftuar dhe më pas këta të fundit kanë fundosur me mijëra në mjerimin që imponojnë shifrat e 3, 4 apo 10-fishuara të “borxheve të reja të kredive të vjetra”. Shteti ka heshtur apo nuk e ka kuptuar këtë Mashtrim!
Është Shqipëria i vetmi vend në Evropë që përmbarimit, Banka Tregtare i bën bllokadë, e refuzon, nuk i jep infon, ia jep me vonesë, ia jep të cunguar ose ia jep si do vetë! Evropa bashkë me “Kavallin” ballkanik (as në kokë e as në bisht të tij s’jemi fare), e kanë zgjidhur me platforma digjitale që funksionojnë perfekt, këtë problem për ne dhe habi për ta.
Ndërsa “shteti ynë digjital” është kthyer në gallatë institucionale me në krye Kadastrën dhe DPSHTRR, duke e kthyer përmbarimin shqiptar para vitit 2001.
Si pretendon të hysh në Evropë apo në “Open Balkan” kur nuk siguron ekzekutimin e vendimeve të gjykatave, apo kur nuk garanton ekzekutimin e kontratave me përmbarim gjyqësor, z. Kryeministër?
Pyeti njëherë, francezët, holandezët, gjermanët dhe italianët, (pse jo, edhe malazezët) si e shohin këtë aspekt ligjor dhe ekonomik për një vend demokratik… U thuaj që në Shqipëri po “vdes” Përmbarimi Gjyqësor, a ka problem për kushtet europeiste? Po nëse shpëton nga morti me mijëra afganë dhe varros këtë shërbim, a ka problem të hysh gjithsesi n’Evropë!?
Përgjigjen duhet ta jepni Ju dhe jo lojtarë – radha e stolit qeveritar.
Ndoshta Shtatori do të japë përgjigjen e duhur…verdiktin e duhur, të pandikuar nga paaftësia, ligësia, shtrembërimi dashakeq i raporteve ministrore apo të atyre që të rrethojnë. Sot që mësuat diçka më tepër, Ju takon të reagoni si për çdo hall tjetër që i ka rënë këtij vendi, natyror apo miqësor..!
Kush jemi ne që shkruajmë?
Jemi ata që të kemi shkruar dhjetëra herë dhe pa përgjigje. Jemi ata, pjesë e të tërës, as më të mirë, por asesi më të këqij. Jo më të mirë se një artist, mjek, politikan, gazetar apo biznesmen. Jo më të këqij se një gjyqtar, prokuror, avokat apo noter… përfshirë KPK-istët dhe KLGJ-istët.
Punë të arritshme në Mandatin Nr. 3, z. Kryeministër!