“Rindërtimi” në Kombinat, vartësit e Veliajt kapen në mashtrim të rëndomtë (Foto-Video)

Nga BoldNews.al

Në 17 Gusht 2021, Njësia Administrative nr.6 në Tiranë, e cila përfshin lagjen Kombinat, publikoi një video në rrjetet sociale, në të cilën dukeshin, sipas saj, punimet në kuadër të procesit të ‘Rindërtimit”, pas dëmtimeve të mëdha të shkaktuara në këtë zonë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Në videon e publikuar nga administrata lokale, dalloheshin mjete të rënda, të cilat po punonin për ndërtimin e një godine në zonën e njohur si ish-TEC-i, në periferi të lagjes.

Videoja rrekej të tregonte se Bashkia e Tiranës tashmë ka nisur ngritjen e godinave të reja për qindra familje të mbetura të pastreha në Kombinat.


Video e publikuar nga Njësia Administrative nr. 6, Tiranë

Por, e vërteta qëndron tërësisht më ndryshe nga ajo që prezanton kreu i Njësisë Administrative nr. 6, Adriatik Metko.

Fotoja që shoqëron këtë artikull është shkrepur paraditen e 24 Gushtit 2021. Është e martë, mes-jave dhe puna për ndërtimin e godinës së re duhet të ishte në vrull e sipër.

Por, siç dallohet lehtësisht nga fotoja, në kantierin e ndërtimit nuk ka asnjë punëtor. Një vinç i vendosur aty një vit më parë nuk lëviz nga vendi, ndërsa një eskavator rri i heshtur.

Panoramën e plotëson roja i kantierit, i cili, në një qetësi të plotë dhe nën zhegun e vapës së gushtit, ka marrë një sy gjumë.

Në foto: “Kantieri i Rindërtimit” në zonën e ish-TEC-it, në Kombinat, e Mërkurë, dt. 24.08.2021

E gjitha pamja duket surreale, ku nga njëra anë vartësit e Veliajt publikojnë video me punime, ndërkohë që realiteti tregon thjesht dhe vetëm një mashtrim propagandistik.

Në fakt, edhe qytetarët, kryesisht banorë të Kombinatit, të cilët kanë parë videon në profilin zyrtar të Njësisë Administrative të Kombinatit, janë shprehur skeptikë për punën e Bashkisë lidhur me procesin e Rindërtimit.

Në komunikimet në “FB”, Njësia Administrative u shprehet banorëve se godina që po ndërtohet është një ndër pallatet e reja për qytetarët e pastrehë.

Por, ky konfirmim përballet me komentet kritike të qytetarëve.

Njëri prej tyre u kujton se ky ndërtim ka më shumë se një vit që ka nisur dhe vijon të jetë ende në katin e dytë.

Një tjetër i drejtohet administratës lokale, duke u kujtuar se fillimisht është thënë që kjo godinë do të bëhet konvikt e më tej shkollë. “Janë pallatet e reja apo konviktet e universitetit? Se të paktën, dilni me një qëndrim. Jo disave u thoni janë pallatet e reja e disave u thoni që janë konviktet, se as vet s’dini çfarë thoni”.

LEXO EDHE  Nga zgjedhjet e 25 prillit te inceneratorët, Basha: Do propozojmë ngritjen e 3 komisioneve hetimore parlamentare
Në foto: Pjesë nga replikat në rrjete sociale mes qytetarëve dhe Njësisë Administrative nr.6

Një tjetër qytetar, i cili duket i mirë-informuar për procedurat e Rindërtimit, i drejtohet Njësisë Administrative të Kombinatit: “Si ka nisur ndërtimi, kur ende nuk ka dalë fituesi i tenderit për të cilin gara përfundonte më 9 gusht 2021?! Dhe si mund të ndërtohet në një zonë ku nuk kemi një studim gjeologjik publik”?

Në foto: Replikat në rrjete sociale për Rindërtimin në Kombinat

Ky qëndrim i qytetarit i referohet një tenderi të shpallur nga Bashkia e Tiranës për “Studim Projektimi në kuadër të procesit të rindërtimit në zonën e re zhvillimore “Kombinat” (Programi i Rindertimit)”, me fond limit rreth 300 milionë lekë të vjetra.

Ky tender duhej të mbyllej në datën 9 Gusht 2021, por, për disa probleme teknike me dokumentacionin, u shty për në datën 18 të këtij muaji.

Në foto: Tenderi “për studim projektim për Rindërtimin në Kombinat”, i shpallur nga Bashkia e Tiranës në Korrik 2021

Deri në publikimin e këtij shkrimi ende nuk është publikuar fituesi. Megjithatë, kjo procedurë është e mjaftueshme për të kuptuar se fabula e Rindërtimit në Kombinat, të paktën deri më tani, është “fake”.

Studimi dhe projektimi i zonës së re zhvillimore në Kombinat pritet të përcaktojë kriteret dhe piketat e godinave të reja publike e private, në kuadër të procesit të Rindërtimit.

Pra, vetëm pasi të hartohet dhe miratohet një studim i tillë, mund të nisë procesi i ngritjes së godinave të reja në Kombinat.

Kjo do të thotë se godina e propaganduar nga Njësia Administrative nr.6 si “pallatet e reja” në zonën e TEC-it, në rastin më të mirë, nuk i përgjigjet realitetit.

Kombinati ishte një prej zonave më të goditura në Tiranë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Deri më tani, në këtë zona janë rrëzuar disa dhjetra pallate dhe godina të tjera, për të cilat Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi se kishin pësuar dëmtime të rënda e të pakthyeshme.

Shumë qytetarë të zonës janë të bindur se prishja e një serie të gjatë pallatesh, të cilat, sipas tyre, nuk kishin dëmtime të rënda, po i hap rrugën një projekti gjigand klientelist të kryebashkiakut Erion Veliaj me kompanitë private të ndërtimit.

Prishja e pallateve në Kombinat ka krijuar qindra mijëra metra katror truall të lirë. Por ajo sipërfaqe, me shumë mundësi, nuk do të shfrytëzohet për ndërtimin e pallateve për qytetarët, të cilët pritet të strehohen në zonat e reja, kryesisht në fshatrat Ndroq dhe Vaqarr.