Ndonëse në vendin tonë nuk ka pasur akte terroriste, sulmet nga aktorë të vetmuar apo grupe të vogla mbeten potencialisht të mundshme.
Kështu thuhet në raportin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Sipas këtij raporti, kërcënimi terrorist në Ballkanin Perëndimor dhe në vendin tonë, për vitin 2020 vlerësohet të jetë nga më i ulëti drejt rrezikut potencialisht të mesëm.
Mes të tjerash SHISH në raportin e tij ndalet te familjet shqiptare që ndodhen në kampet kurde, ku situata thuhet se paraqitet e përkeqësuar. Po ashtu në raport thuhet se shtetasit e dënuar për terrorizëm dhe mbështetës të tyre në sistemin e burgjeve kanë vijuar të mbajnë profil radikal dhe me tendenca radikalizimi të të tjerëve.
RAPORTI I SHISH
KËRCËNIMI TERRORIST NË RAJON DHE VENDIN TONË
Kërcënimi terrorist në Ballkanin Perëndimor (BP) dhe vendin tonë, gjatë vitit 2020, ka variuar nga i ulët në të mesëm, varësisht nga situata specifike kërcënuese. Në vend dhe rajon, nuk ka pasur akte terroriste, kurse synimet apo planet e mundshme për të ndërmarrë të tilla janë neutralizuar në faza të hershme nga autoritetet e sigurisë. Sulmet nga aktorët e vetmuar dhe grupe të vogla pa koordinim direkt me organizata terroriste mbeten potencialisht të mundshme. Gjatë kësaj periudhe, nuk janë evidentuar raste të operativëve terroristë, që të kenë përdorur rrugën e emigracionit të jashtëligjshëm për të hyrë në rajon dhe vendin tonë, ndërkohë që rruga ballkanike vijon të mbetet një linjë e rëndësishme për emigracionin ilegal që shkon drejt Evropës. Nuk është i përjashtuar shfrytëzimi i kësaj rruge nga elementë apo operativë për synime e akte terroriste apo përdorim të vendit dhe rajonit me synim kalimin në vendet e BE-së për aktivitete terroriste. Situata e familjarëve të luftëtarëve të huaj terroristë nga rajoni dhe vendi ynë në kampet kurde paraqitet e përkeqësuar.
Organizata terroriste i braktisi banorët e të ashtuquajturit Shteti Islamik pa të ardhurat bazë për jetesë. Ndërkohë, tani që organizata ka nevojë për kapacitete njerëzore, u bën thirrje grupeve ekstremiste dhe operativëve lokalë të angazhohen në sulme për lirimin të tyre. Organizata synon të përdorë këtë potencial njerëzor për të fuqizuar grupimet terroriste me burime njerëzore. Kampet janë shndërruar në terren të përshtatshëm për aktivitete radikalizuese. Situata e vështirë humanitare në kampet e refugjatëve dhe të paraburgimit lehtëson radikalizimin e fëmijëve dhe familjarëve.
Riatdhesimi i kësaj kategorie përbën një risk më të ulët krahasuar me qëndrimin në rajonin e konfliktit nën ndikim të elementëve radikalë dhe operativëve të organizatave dhe grupeve terroriste, duke mundësuar ndjekjen sipas legjislacionit por edhe mundësimin e programeve të deradikalizimit dhe ri-integrimit të kategorive të veçanta. Risku i shfrytëzimit të hapësirave virtuale në rrjetet sociale nga grupe dhe individë me profil radikal e terrorist për të përhapur ideologjitë ekstremiste, si dhe për të rekrutuar persona të tjerë për grupet terroriste, mbetet i lartë për rajonin përgjithësisht, dhe për trojet shqipfolëse në veçanti. Gjuha shqipe zë një vend të konsiderueshëm në hapësirën online për sa u përket materialeve propagandistike. Propaganda në gjuhën shqipe, pavarësisht se ku dhe nga kush prodhohet, është një trafik me audiencë publikun shqipfolës në tërësi.
Individë e grupe të caktuara vijojnë ndjekjen e ligjëratave me përmbajtje ekstremiste e shpërndarje literature në grupe të vogla e kryesisht mes lidhjeve të tyre, si brenda vendit edhe me të tilla në rajon. Shtetasit e dënuar për terrorizëm dhe mbështetës të tyre në sistemin e burgjeve kanë vijuar të mbajnë profil radikal dhe me tendenca radikalizimi të të tjerëve. Futja e tyre nën regjimin “41 bis” ka si qëllim kryesor ndalimin e aktiviteteve radikalizuese, ndërprerjen e vijimit të aktivitetit të krimit të organizuar me orientime e koordinime nga të dënuar nga drejtësia për aktivitete kriminale të rënda jashtë sistemit penitenciar. Edhe pse vendosja nën këtë regjim e kësaj kategorie ka krijuar revolta e reagime në këtë sistem, vlerësohet i rëndësishëm aplikimi i këtij regjimi për kategoritë e përzgjedhura. Rrjetet sociale po përdoren edhe për propagandë dhe nxitje të përçarjes fetare, mes linjave të ndryshme brenda një besimi fetar. Ndërkohë, një serë sektesh e misionesh, me aktivitet në rajon dhe vendin tonë, që u referohen interpretimeve të ndryshme të pjesëve nga librat e shenjtë të fesë së krishterë, propagandojnë e shpërndajnë literaturë në kuadër të proselitizmit dhe indoktrinimit, mosnjohje të shtetit demokratik dhe aplikim strikt të praktikave satanike, që, në disa raste, kanë sjellë cenim të jetës me impakt publik për rolin dhe misionin e tyre.