Afganistani mes Kasandrash

Nga Ilir Kalemaj

Shumëçka që po ndodh aktualisht në Afganistan dhe me pasoja jo të vogla rajonale por edhe më gjerë, për shembull vala e refugjatëve të luftës, ka qenë e paralajmëruar. Sikundër vë gishtin mbi plagë studjuesi i njohur Jeffrey D. Sachs, plot 86 përqind e diçka më pak se 1 trilion dollarëve të shpenzuar nga amerikanët në Afganistan kanë shkuar për shpenzimet ushtarake të vetë amerikanëve, nja 83 miliardë për forcat afgane të sigurisë që u shkrinë si kripa në ujë në momentin më të parë të përballjes me talibanët dhe vetëm 21 miliardë janë shpenzuar gjithsej në investime ekonomike ku gjithsesi janë shpenzuar në financime programesh për kundër-terrorizmin apo reformën në drejtësi. Më pak se 2 përqind kanë qenë investime në infrastrukturë etj., që duhet të ishin parësore për të fituar zemrat dhe mendjet e afganëve. Kjo është njëri nga aspektet pse politika për rindërtimin e Afganistanit ka qenë e dështuar ndërkohë që as që bëhet fjalë për eksport demokracie apo shteti të së drejtës.

Ana tjetër e medaljes është se talibanët aty kanë qenë dhe filmi që po shohim është tërësisht i përsëritur. Kusha ka lexuar librin Taliban të Ahmed Rashid, libri më autoritar për të kuptuar historinë e ngjizjes dhe suksesit të kësaj lëvizje që pasoi muxhahedinët e viteve 80-të dhe luftën e kryekomandantëve (ëarlords) të fillim-viteve 90-të, arrin të kuptojë deja vu-në e krejt situatës ku ndodhemi. Krejt e njëjta mbështetje kritike politike, ushtarake dhe infrastrukturore nga Pakistani dhe shërbimi i tij sekret ISI, e njëjta mbështetje financiare dhe logjistike nga Arabia Saudite për talibanët. E njëjta kundërshti dhe rezistencë nga faktorët e tjerë me peshë rajonale si India dhe Rusia, Turqia dhe Irani, ndonëse secili me kalkulimet e tyre të veçanta gjeopolitike.

Gjithashtu e njëjta tërheqje dhe pafuqi e amerikanëve për të ndërhyrë në një shtet tashmë përfundimisht të dështuar, apo stabilizuar një rajon që është larg sferës së tyre të interesave. Interesi i dikurshëm për krijimin e një gazsjellësi nga kompani amerikane apo lufta aktive nga Al Kaedës për të parandaluar sulme të ngjashme terroriste me atë të 11 shtatorit duket se nuk janë priroritete të tanishme për një arsye ose tjetër. Në rastin e dytë, duket që garancitë që kanë marrë nga talebanët ose sponsorat e tyre politikë njëherazi dhe aleatë të tyre gjeostrategjikë (vençarisht sauditët) janë të mjaftueshme ose të pranueshme për të kufizuar dëmet në të ardhmen e afërt.

LEXO EDHE  Rama: Kosova të mos humbasë në paqe të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me gjak

Ka shumë shprehje për historinë ndër të cilat vlen të përmendim atë të G. Santayana “ata që nuk kujtojnë të shkuarën, janë të dënuar ta përsërisin atë” ndërkohë që Curcilli ka thënë dikur se “ata që dështojnë të mësojnë nga historia janë të destinuar ta përsërisin atë”. Me talabanët suprizat e vetme kësaj here është ndonjë ndryshim i lehtë i formës por jo i përmbajtjes. I njëjti sukses në mobilizimin e të rinjve të pashkollë afganë, që studionin në medesetë radikale të financuara me paratë e sauditëve në Pakistan ku lidhjet me Al Kaedën janë në më shumë se një nivel, të rritur në luftë, pa profesione, një pjesë e mirë jetimë që nuk kanë njohur ose të kenë qenë në kontakt me një figurë femërore. I njëjti trajtim ndaj kundërshtarëve politikë, pasi nuk e quajnë veten parti apo organizatë politike por një levizje fundamentaliste për pastrimin e Afganistanit. I njëjti fanatizëm i rrënjosur përzier me oportunizëm që e gjen veten në shfrytëzimin maksimal të fushave të opiumit si e vetmja e ardhur për një shtet rentier.

Ajo që mund të ketë ndryshuar disi është pasja e një sistemi inteligjence më efektiv, një sistemi komunikimi politik më të sofistikuar, një diplomaci më e zhdërvjellëtnë një ambjent ku Perëndimi po humbet përditë e më shumë forcën apo incentivat për te nxitur moderim dhe ku fuqitë rajonale neutralizojnë njëra-tjetrën. Natyrisht kasandrat aty kanë qenë, paralajmërimet janë bërë me vakt, por shpesh janë injoruar sikundër ndodh shpesh në këto raste.

Edhe trendet demografike që nga periudha e ndërmjetme pas regjimit të parë të talibanëve ku e arrit gati në dyfishim të popullisë dhe me dallgët e reja të emigrimit që priten të nxiten me ardhjen e dytë të talibanëve, janë kërcënuese jo vetëm për vendet kufitare si ato të Azisë Qëndrore dhe Iranit por edhe Rusisë, Turqisë që po ndërton sakaq një mur rrethues në kufirin e saj me Iranin, por edhe vendeve të BE-së apo ato të Ballkanit Perëndimor që mund të jenë korridore të një fluksi të ri migrator. Këto kërkojnë politika të mirëkoordinuara, të studjuara dhe të afta për të parandaluar krizat e ardhshme në kohë.