Së bashku me hieroglifet, obeliskët dhe modelet gjeometrike, macet shfaqen shpesh në artin e lashtë egjiptian, duke reflektuar statusin unik të kësaj kafshe midis njerëzve që banonin përgjatë lumit Nil. Ato u adoptuan fillimisht si grabitqarë të dobishëm në Egjiptin e lashtë, duke u bërë gradualisht simbole të hyjnisë dhe mbrojtjes së njerëzve.
“Edhe pse është e vështirë të thuhet se besonin tek kjo apo ajo gjë, pasi gjatë historisë së tyre mbi 3000 vjeçare ndodhën shumë ndryshime, në përgjithësi egjiptianët e lashtë nuk i adhuronin kafshët si të ishin Perëndi”- thotë Xhulia Troshe, egjiptologe dhe asistent/profesore e historisë në Universitetin Shtetëror të Misurit, dhe autore e librit“Vdekja, pushteti dhe apoteoza në Egjiptin e Lashtë:Mbretëritë e Epokës së Vjetër dhe të Mesme”.
“Përkundrazi, ata i shihnin kafshët si përfaqësime të aspekteve hyjnore të Perëndive të tyre”- thekson ajo. Por pavarësisht nëse adhuroheshin apo jo si hyjni, macet ishin pjesë përbërëse e jetës së lashtë egjiptiane. Dhe bazuar tek macet e mumifikuara të zbuluara në varre bashkë me njerëzit, ato kishin gjithashtu një rol të rëndësishëm edhe në jetën e përtejme
Macet i bënin njerëzve shoqëri dhe eliminonin dëmtuesit
Në pjesën më të madhe të historisë së këtij qytetërimi, egjiptianët e lashtë i shihnin macet si shoqëruese reciprokisht të dobishme. “Macet ndiqnin dhe eleminonin kafshët e rrezikshme, si gjarpërinjtë, shumë prej të cilëve ishin helmues, por edhe akrepat”- shpjegon Troshe.
Një pjesë të gjerave që dimë mbi rolin e maceve në shoqërinë e Egjiptit të lashtë, vijnë nga skenat e jetës së përditshme të përshkruara në piktura në muret e varreve. “Në këto skena macet shfaqen të shtrira ose të ulura poshtë karrigeve, duke ndjekur zogjtë dhe duke luajtur. Në disa tekste mortore, ato tregohen me një thikë duke therur Apopisin:hyjninë në formë gjarpri që natën kërcënon perëndinë Ra (Diellin) në botën e nëndheshme”- shton ajo.
Shoqërimi në jetën e përtejme
Pasi e mbanin macen si një kafshë shtëpiake gjatë jetës së tyre, egjiptianët e lashtë e vazhdonin marrëdhënie edhe në jetën e përtejme. ”Varri ishte shtëpia e dikujt pas vdekjes në këtë botë. Në varre do të përshkruhej familja e të ndjerit, titujt dhe çmimet më të mëdha që kishte fituar dhe gjërat që i pëlqente të bënte.
Ndaj përshkrimi i maceve në tablo të tilla, tregon rëndësinë që kanë pasur ato si në jetën e përditshme të egjiptianëve të lashtë, ashtu edhe më shpresën e tyre,se ato do të vazhdonin të ishin me ta edhe në botën tjetër”- thekson Troshe.
Në Varrin e Nebamun, që sot ndodhet në Muzeun Britanik në Londër, një pikturë paraqet një mace që shoqëron Nebamun ndërsa ai është jashtë për peshkim dhe gjueti. Macja ka kapur një zog në gojë dhe 2 zogj të tjerë në kthetrat e saj.
Një nga sytë e maceve është zbukuruar me fletëari, që sipas Muzeut Britanik, është shembulli i vetëm i njohur deri tani. Por prania e maceve në varret egjiptiane, nuk ishte e kufizuar tek pikturat. Në ndonjë rast macet mumifikoheshin dhe vendoseshin brenda varrit të shoqëruesit të tyre njerëzor. Një nga arsyet është se kur macet mumifikoheshin, kjo do të thoshte se personi i vdekur mund të banonte në trupin e tyre në jetën e përtejme.
Mbretërorët e lashtë i bënë macet të ishin në modë
Sikurse ndodh në të gjitha qytetërimet dhe kulturat e ndryshme, egjiptianët e lashtë i shihnin anëtarët e familjes mbretërore si diktues të tendencave më të reja. Ata merrnin sugjerime prej tyre për çdo gjë, nga ushqimi, tek moda dhe deri tek macet.
“Egjiptianët e lashtë i vlerësonin shumë macet për shkak të praktikave dhe preferencave të perëndive të tyre. Por edhe sepse mbretërit e tyre, faraonët, mbanin mace gjigante”-thotë Monik Skidmor, profesoreshë e antropologjisë në Universitetin Dekin.
“Anëtarët e oborrit mbretëror i vishnin macet e tyre me ar, dhe i lejonin të hanin nga pjatat e tyre. Ndonëse anëtarët e klasave të ulëta nuk ishin në gjendje t’i vishnin macet e tyre me metale të çmuara, Skidmor vëren se ata ato u vendosnin bizhuteritë e tyre që përmbanin figurën e maces.
Macet kishin karakteristika që lakmoheshin
Përveç vlerësimit të aftësisë së tyre për të mbajtur jashtë shtëpive të pronarëve të tyre brejtësit, gjarpërinjtë dhe dëmtuesit e tjerë, egjiptianët e lashtë kuptuan se macet e të gjitha madhësive janë të zgjuara, të shpejta dhe të fuqishme.
“Sekhmet, ishte një Perëndeshë në formën e një luaneshe, një hyjni luftëtare dhe mbrojtëse që mbante larg armiqtë e perëndisë së diellit Ra. Po ashtu ajo mbante larg sëmundjet e ndryshme. Pra egjiptianët e lashtë i cilësonin macet në përgjithësi si mbrojtëse të tyre, dhe njëherazi e respektonin egërsinë e tyre”- thekson studiuesja.
Macet në Egjiptin e lashtë, zotëronin një lloj tjetër fuqie:pjellorinë. “Ato paraqiten shpesh të ulura nën karriget e grave, duke nënkuptuar një lidhje fortë me këto të fundit, dhe ndoshta edhe pjellorinë”- thekson Troshe, duke vënë në dukje se kjo lidhje mund të burojë nga fakti se macet sjellin në jetë kotele të shumta gjatë një shtatzanie të vetme.