Talebanët kanë marrë pushtetin në Afganistan dy javë para se Shtetet e Bashkuara të përfundojnë tërheqjen e trupave pas një lufte 20 vjeçare tejet të kushtueshme. Fushata e kryengritësve u përhap në të gjithë vendin, duke marrë të gjitha qytetet kryesore brenda pak ditësh, ndërsa forcat afgane të stërvitura dhe të pajisura me armatime nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj u shpërbënë. Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi të dielën dhe talebanët u futën në kryeqytetin Kabul. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ende kontrollojnë aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ku po përpiqen të evakuojnë civilët dhe diplomatët me avionë ushtarakë. Shumë janë të shqetësuar rreth së ardhmes së Afganistanit.
ÇFARË PO NDODH NË AFGANISTAN ?
Talebanët, një grup militant që drejtoi vendin në fund të viteve 1990, e ka marrë përsëri kontrollin e Afganistanit.
Pushtimi i Afganistanit nga një koalicion i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, i rrëzoi talebanët nga pushteti, por grupi militant nuk u shpërbë kurrë. Pas ofensivës së talebanëve gjatë ditëve të fundit, qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi, që ka drejtuar vendin për 20 vjet, u rrëzua. Afganët, të frikësuar për të ardhmen, po vërshojnë drejt aeroportit, një nga rrugët e vetme për të dalë jashtë vendit.
PSE NJERËZIT KËRKOJNË TË LARGOHEN?
Banorët janë të shqetësuar se vendi mund të zhytet në kaos, ose talebanët mund të ndërmarrin sulme hakmarrëse kundër atyre që punuan me amerikanët ose qeverinë.
Shumë njerëz gjithashtu kanë frikë se talebanët do të rivendosin rregullat e ashpra të ligjit islamik, siç bënë kur kishin pushtetin nga viti 1996 deri në vitin 2001.
Gjatë asaj periudhe, grave u ndalohej vajtja në shkollë, ose të punonin jashtë shtëpisë. Ato duhej të vishnin burkën, që mbulon gjithçka përveç syve, dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, sa herë që dilnin jashtë shtëpisë. Talebanët ndaluan muzikën, u prenë duart hajdutëve dhe vranë të akuzuarit për lidhje jashtëmartesore.
Talebanët po përpiqen të shfaqen si një forcë më e moderuar në vitet e fundit dhe thonë se nuk do të hakmerren, por shumë afganë janë skeptikë ndaj këtyre premtimeve.
PSE TALEBANËT PO MARRIN PUSHTETIN?
Ndoshta sepse trupat amerikane do të përfundojnë tërheqjen deri në fund të muajit. Shtetet e Bashkuara prej disa vitesh po përpiqen të largohen nga Afganistani, lufta më e gjatë ndonjëherë për Uashingtonin.
Trupat amerikane i mundën talebanët brenda disa muajsh, kur ndërhynë në Afganistan për të çrrënjosur organizatën terroriste al-Kaida, organizatoren e sulmeve të 11 shtatorit, së cilës, talebanët i dhanë strehë në Afganistan. Por mbajtja e territorit dhe rindërtimi i një vendi të rrënuar nga luftërat e shumta ishte e vështirë.