Vioresin Sinani është rikthyer te Vllaznia dhe do të drejtojë ekipin e 19-vjeçarëve, pas eksperiencës si ndihmës i Armir Grimës në kombëtaren e femrave.
Risia tjetër te ekipet e moshave të Vllaznisë është emërimi i një anglez në krye të ekipit U21.
“Akademia Vllaznia bën të ditur se duke filluar nga data 16 gusht do të nisin stërvitjet për të gjithë ekipet. Si rrjedhojë, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e klubit po punohet për përzgjedhjen e stafit teknik që do të punojë me ekipet e Akademisë për sezonin 2021-2021.
Mund të konfirmojmë për momentin lajmin që trajner i ekipit U19 për sezonin e ri do të jetë një emër shumë i madh për klubin tonë, Vioresin Sinani. Ndërkohë, ndihmëstrajner i këtij ekipi është përzgjedhur Nefail Zhejani. Në ditët në vijim do të publikojmë edhe emrat e trajnerëve të grupmoshave të tjerë.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit kanë vendosur që drejtimin e ekipit Vllaznia U21 për sezonin e ri t’ia besojë teknikut anglez Dean Paul Sibson. Ai do të ketë në krah, jo vetëm në rolin e zëvendëstrajnerit por edhe të videoanalistit Ergi Borshin.
KF Vllaznia dhe Akademia Vllaznia ju urojnë suksese këtyre trajnerëve në punën e tyre me ekipet e klubit tonë”, shkruhet në njoftimin e bërë nga ana e Akademisë Vllaznisë.













