Pas Gjermanisë dhe BE-së, edhe SHBA mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal, pavarësisht interpretimeve që DASH ka mbështetur “Open Balkan”, një nismë e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërsa janë përjashtuar deri më tani Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.
Disa nga mediat pro Edi Ramës nxituan të deformojnë deklarimet apo qëndrimet, duke interpretuar deklaratat zyrtare qoftë në rastin e Gjermanisë ashtu edhe SHBA si një mbështetje për nismën “Open Balkan”. Qëndrimet e kancelarive më të rëndësishme të politikës botërore vijnë në një kohë kur Edi Rama ka nisur një fushatë denigrimi dhe sulmesh ndaj lidershipit politik të Kosovës që ka kund♪7rshtuar qoftë Mini-shengenin qoftë nismën e pagëzuar me emrin “Open Balkan”.
Genc Pollo, ish-ministër dhe ish-deputet i PD, në një postim në rrjetet sociale shkruan se edhe SHBA mbas Bashkimit Europian e Gjermanisë mbështet shprehimisht Tregun e Përbashkët Rajonal (Procesi i Berlinit).
“Asnjë llaf për Minishengenin apo Ballkan Hapu! Shihni tashti kur propaganda rilindiste të spinojë lajmin duke e kthyer kokëposhtë. “Departmenti i Shtetit ShBA: Tregu i Përbashkët Rajonal, esencial për përparimin e Ballkanit Perëndimor””, shkruan Pollo.
Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së, shprehet në një deklaratë për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
I pyetur nga Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj nismës Ballkani i Hapur, të përqafuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por jo nga vende të tjera në rajon, zëdhënësi thekson përmes deklaratës se SHBA u bëjnë thirrje udhëheqësve në rajon “të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.
Deklarata e cilëson me rëndësi “esenciale për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike” krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal – i tillë që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian” thuhet në deklaratën që bëri për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.