Nga Erl Kodra
Nëse lexojmë Raportet vjetore të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë përgjatë tetë viteve të pushtetit politik të Edi Ramës, nën dritën e mbështetjes pa kushte që ky person ka marrë nga burokratët e Washingtonit, çdo mendje racionale do të kuptojë diferencën e madhe mes dy realiteteve paralele.
Po si është e mundur të ekzistojë një diferencë kaq e thellë – mes dy realiteteve që nuk përputhen kurrkund? Cilat mund të jenë arsyet e Matthew Palmer dhe Philip Reeker kur injorojnë provat e krimit dhe korrupsionit që përshkruajnë Raportet e DASH? Më e pakta – si mund t’i japësh në dorë një carta blanca një individi si Edi Rama – edhe kur vjedh hapur, edhe kur kryen korrupsion, edhe kur shkelë të Drejtat e Njeriut, edhe kur e mbjellë Shqipërinë me drogë, edhe kur blenë tre palë zgjedhje, edhe kur ndryshon Kushtetutën, edhe kur futë në parlament mafiozë, vrasës dhe përdhunues?! Të gjitha këto nuk po i them unë – por Raportet e DASH për Shqipërinë.
Në të vërtetë ka vetëm një shpjegim të arsyeshëm, sa praktik dhe të thjeshtë – aq edhe kompleks. Është e pamundur dhe irracionale të mendohet se Matthew Palmer dhe Philip Reeker nuk e dinë se po mbështesin një person të rrezikshëm, mafioz dhe të paskrupullt si Edi Rama.
Po ashtu, është e pamundur që këta zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit të mos i kenë lexuar Raportet e hartuara nga hulumtuesit dhe analistët e DASH – sepse ato raporte nuk i ka shkruajtur Donald Lu ose Yuri Kim – por ato përpilohen nga struktura të tjera të Departamentit të Shtetit, të specializuara për kërkime dhe hulumtime të pavarura.
Për të kuptuar këtë non-sens irracional, së pari duhet të kuptojmë mënyrën se si funksionojnë shtetet e mëdha – perandoritë.
Përndryshe, me shumë gjasa ne do të jemi viktimat e zakonshme, të mbytur nga frika dhe pesimizmi, se kinse SHBA-të dinë se çfarë bëjnë, dhe kanë arsye të mira që të rrisin dhe fuqizojnë një monstër si Edi Rama.
Në të vërtetë, arsye të mira për të mbështetur Edi Ramën ka vetëm Matthew Palmer, Philip Reeker, Yuri Kim dhe Richard Grenell – arsye që lidhen plotësisht me testin që po i bëhet projektit për ndarjen e Kosovës – projekt i cili për fat të keq ka mundur të deportojë në tavolinat e Departamentit Amerikan të Shtetit. Avokatët e djallit mund të thonë se “ajo çka vjen prej Amerikës, mirë se arrdhtë” – por fakti është se kjo nuk mund të jetë apriori e mirëseardhur.
Ky tekst është një përpjekje për të argumentuar të kundërtën, se jo çdo gjë që serviret nga politika e ditës është e mirë, edhe në qoftë se kjo vjen prej zyrtarëve të nivelit të lartë të DASH, dhe se lufta politike dhe diplomatike nuk ka përfunduar.
Diplomacia serbe është e mirënjohur si diplomaci agresive, që mbështetet nga dy prej fuqive botërore – Kina dhe Rusia. Edhe serbët kanë lobet e tyre rrotull botës dhe në SHBA, që kurrë nuk pushojnë, që nuk zhyten në pesimizmin e humbjes, as flenë nën dafinat e fitores. Serbët kanë punuar fort dhe papushim për të mbrojtur interesat e tyre në të gjitha drejtimet – dhe padyshim edhe me Departamentin e Shtetit.
Serbia ka qenë dhe është e vetëdijshme për krimet e kryera në Kosovë, por kjo nuk ishte një arsye që ajo të pushojë luftën diplomatike pas humbjes në luftën me armë. Serbët pritën me durim – por duke luftuar diplomatikisht kundër Kosovës – derisa në Shqipëri zbuluan Edi Ramën – njeriun perfekt përmes të cilit do të mbronin interesat e tyre në rajon. Padyshim që lufta e tyre diplomatike ishte komplekse dhe shumëplanëshe, derisa arritën të infiltrojnë planin e tyre në nivelet më të larta të diplomacisë amerikane. Me sa duket ky plan është në fazën e testimit – por kjo kurrësesi nuk do të thotë se ky është plani përfundimtar. Nëse lufta me armë është e përkohëshme – lufta diplomatike është e përjetshme.
Qartësisht, ajo çfarë shohim në zhvillimet politike në Shqipëri dhe rajon është produkt i një beteje diplomatike komplekse dhe në zhvillim, por që nuk ka përfunduar dhe nuk ka një definicion. Qartësisht, dhe pikërisht për këtë fakt, shqiptarët nuk kanë arsye pse të heqin dorë nga beteja e tyre e drejtë për të mbrojtur interesat, kinse se këtë po e kërkon Mathew Palmer dhe Philip Reeker. Sepse po qartësisht dhe për këto “arsye të mira” po hidhen në kosh edhe Raportet e Departamentit të Shtetit – ku flitet hapur për një qeverisje të tmerrshme kriminale.
Realiteti është i qartë – për ata që duan ta kuptojnë – se interesat tona kërkojnë qasje tjetër, ato duhet të mbrohen më me guxim dhe zgjuarsi, dhe se ato nuk mund të braktisen kaq lehtë. Mendjet racionale – së pari miqtë e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara – kanë qenë konseguent në kritikat e tyre përgjatë gjithë viteve të fundit.
Prof. Daniel P. Serwer dhe David Philips, dy njohëhesit më të mirë amerikan të çështjes shqiptare, janë shprehur në vazhdimësi kundër projektit për ndarjen e Kosovës. Ata kanë qenë kritikët më të mëdhenjë të këtyre projekteve, pavarësisht se prej kujt promovohen. Por ata janë shtetas amerikan, profesorë të nderuar dhe me karrierë të spikatur akademike, dhe jo rrogëtarë të Edi Ramës.
Çështja shqiptare ka miq të mëdhenjë në Washington, por edhe armiq. Pa ndihmën e miqëve, Kosova nuk do të ishte kjo që është sot. Administratat e presidentëve George H.W. Bush, Bill Klinton dhe George Bush e sollën Kosovën deri tek shtetësia e saj përmes përpjekjeve të pashoqe. Dhe padyshim se meritat kryesore u takojnë miqëve të çështjes shqiptare. Dhe shqiptarët duhet të punojnë ngushtë me miqtë.
***
Para disa ditësh kam shkruar për gjendjen e vështirë në të cilën gjendet Partia Demokratike, dhe luftën pa principe që po zhvillohet kundër saj. Nëse citojmë avokatët e djallit – PD duhet të ketë shkelur në dërras të kalbur – por nuk është ashtu. Duket po përjetojmë kohë të errëta – kur djajtë thirren ëngjëj, dhe ëngjëjt – djajë. Përndryshe – aryseja njerëzore nuk mund të justifikojë lejen që Edi Rama ka marrë nga Yuri Kim për të kryer masakër zgjedhore – për të vjedhur dhe vrarë Partinë Demokratike.
Ishte një kohë kur Departamenti i Shtetit ka mbështetur një kriminel dhe diktator si Manuel Noriega. Në fakt ky nuk është rasti i vetëm kur Shtetet e Bashkuara gabojnë – saktësisht për arsye të ngjashme si rasti i Edi Ramës. Historia njeh plot gabime të tilla – të cilat koha i tregon – dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Partia Demokratike është parti që ka qeverisur Shqipërinë dhe ka gjurmë të fuqishme në atë çfarë është arritur me çështjen shqiptare. Gjithashtu Partinë Demokratike e mbështesin pamëdyshje shumica e shqiptarëve në Ballkan, dhe e votojnë pamëdyshje shumica e qytetarëve të Shqipërisë.
Shqiptarët kanë miq të mëdhenjë mes demokratëve dhe republikanëve, në Senat dhe në Kongresin Amerikan. Padyshim edhe në Departamentin e Shtetit – përndryshe – kush do të shkruante raporte kaq të vërteta për Shqipërinë? Vet Presidenti Joe Biden është një mik i madh i shqiptarëve. Prandaj beteja për të vërtetën duhet të vazhdojë – ajo është më e rëndësishme se kurrë.
Partia Demokratike ka drejtuar politikën e jashtme të Shqipërisë për shumë vite, duke shënuar objektiva madhore për kombin shqiptar. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO janë dy arritjet më të mëdha të shqiptarëve në Ballkan – meritë e padiskutueshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në këtë kuptim, PD duhet të angazhohet seriozisht në betejë, në mbrojtje të interesit të shqiptarëve. Sepse ajo shpreh vullnetin e shumicës së shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufinjëve të Shqipërisë.
Prandaj Partia Demokratike duhet të angazhohet seriozisht në betejën për të vërtetën brenda dhe jashtë Shqipërisë – në kancelaritë e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara – në Departamentin e Shtetit, në Kongres dhe në Senat, me miqtë e saj me ndikim në Administratën e Presidentit Biden.
Ajo duhet të gjejë rrugën për të parashtruar vizionin e saj për Shqipërinë, Kosovën, Ballkanin e Hapur si dhe bisedimet Kosovë – Serbi. Përndryshe – humbja e Partisë Demokratike do të përkthehet në humbje të çështjes shqiptare.
Ata që e njohin gjeopolitikën dhe dinamikat e saj – e dinë mirë se ky është momenti kur do vendoset për dekadat e ardhshme. Duket se projektet po testohen njëri pas tjetrit – dhe fituesi do vendoset nga detajet – se kush do të jetë më qendrestarë, më trim dhe këmbëngulës. Ka disa gjëra për të cilat ia vlen të luftosh – si përshembull interesat kombëtare.