Nga Ilir Kalemaj
Në këtë verë të thatë, të nxehtë si asnjëherë më parë, tre debate kryesore vijojnë të ravijëzohen në rrjete, aty ku gumëzhin gjithçka, ku flet specialisti dhe “budallai i fshatit” ndërkohë që mediat janë në një lloj letargjie verore e kondicionuar nga mungesa e emisioneve me të bërtitura që mezi ç’presin shtatorin për rifillim.
Debati i parë dhe më absurdi ka të bëjë me ardhjen e Goranit për të kënduar në Korçë. Debat a thua është parë vërdallë i ringjallur Majkëll Xheksoni apo ka rilindur Elvis Presli. Disa e ngrenë në qiell si një muzikant i klasit botëror, disa e fusin nëntë pashë nën dhe, a thua ky me dorën e tij ka kryer gjenocid. Pa u futur dhe pa e cytur më tej këtë debat në kufijtë e absurdit beketian, fakt është që jugonostalgjia në Shqipëri e 50-60 vjeçarëve të sotëm nuk është as arsye për të glorifikuar një muzikë që siç edhe quhet turbo-folk, është mjaft lokaliste dhe ditët e lavdisë i ka kaluar qyshkur. Kur aksesi ilegal qe vetëm në televizionet jugosllave, asokohe në kulmin e lavdisë së tyre dhe atyre italiane, natyrisht kishte vend për glorifikim dhe pse jo njëfarë samizdati apo reflektimi disidence kulturore me një regjim vlerat e të cilit ksihin nisur të bjerreshin në sytë e shumicës së shqiptarëve.
E parë në këndvështrimin e asaj që shqiptarët si një nga popujt me emigracionin më të madh në periudhën paskomuniste dhe hapjen që ata patën me vlerat perëndimore përfshirë muzikën klasike dhe bashkëkohore, vlera e muzikës së Bregoviqit me shokë u zhveftësua natyrshëm përpos atyre që realisht e kanë ndër shijet e tyre dhe preferencë personale. Fundja siç thoshin latinët “de quibus non gustum”.
Nga ana tjetër, natyrisht konteksti politik nuk mund kurrsesi të evitohet se jo rastësisht Bregoviqit i anulluan koncertin në Poloni pas mbajtjes së koncertit në Krimenë e pushtuar nga rusët për shkak “të vlerave të kundërta me ato të organizatorëve të festivalit” dhe kjo nuk është ngjarje e viteve 1990-të por e 2015-ës, ndërkohë që aneksimi i Krimesë njihet sot vetëm nga Bjellorusia, madje as nga vetë Serbia. Gjithsesi debati mes artit në vetvete dhe artit si kumtim i mesazheve shoqërore dhe politike është një debat që do të vazhdojë përsa kohë do ekzistojë arti dhe politika.
Debati i dytë lidhet me zjarret që si kudo tjetër por vençarisht në Greqi dhe Turqi, ranë dhe në Shqipëri. Me pasoja jo të vogla vençarisht në zonën e Dukatit të Vlorës. Nga njëra anë, janë barinjtë e zonës që hapin kullota. Gjetkë mund të ketë dhe plane perfide për realizimin e ndërtimeve në “tokën e djegur”. Nga ana tjetër është shpërfaqja e pafuqisë së shtetit dhe burimeve e pamjaftueshme të vëna në dispozicion. E pafalshme që vetëm nje helikopter me një kovë ujë dhe ushtarë me gjethe shqope dhe kova me ujë të ishin e vetmja përgjigje e strukturave përgjegjëse ndërkohë që fqinjët tanë kishin gjithë burimet ajrore, infrastruturore, materiale dhe njerëzore për të përballuar situata mjaft më të agravuar me shumë herë më tepër seriozitet se ne.
Debati i tretë nuk kishte se si mos të ishte i mirëfillti politik, madje në thelb partiak. Ose të paktën kështu u ambalazhua nga shumica e mediave dhe mediumeve të vend. Fjala është për “elefantin në dhomë” apo fatin e mbramë të Sali Berishës. I shpallur non -grata nga SHBA. Një situatë që e ka vënë lidershipin e PD në një udhëkryq të rrezikshëm politik. Me ballafaqimin e zgjidhjeve që mund të çojnë në një skizmë apo çarje të partisë nga njëra anë në rast distancimi të fortë dhe të qartë me Sali Berishën apo mbartjen e një kostoje të fortë politike që mund t’i lërë gjatë në opozitë në të kundërtën. Duket si një zgjedhje mes Shilës dhe Karibdës por është një zgjedhje që duhet bërë gjithsesi. Dilema e vetme është mes më mirë vonë se kurrë apo më mirë shpejt se vonë!