Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri tentuan të arratisen nga burgu 313-të në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 15.15 minuta dhe gjithçka duket se ishte përgatitur më herët.
Për të dalë nga burgu, Çekaj i dënuar me 14 vite për trafikun e 613 kg kokaine dhe Pjetri një nga anëtarët e bandës së grabitësve të veshur si babagjyshë, kishin përgatitur gjithçka.
Në lojë ata kanë futur dhe një të paraburgosur tjetër, i cili për të tërhequr vëmendjen e rojeve, ka prerë damarët e dorës.
Por as kjo manovër nuk i ka ndihmuar ata të kapërcejnë murin e lartë rrethues të 313-s. Pasi janë pikasur nga rojet, Çekaj, Pjetri dhe i dënuari që i ndihmoi, janë mbyllur në sektorin e veçantë 41 BIS.
“Në lidhje me ngjarjen grupi hetimor nga SHKBB në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve po kryejnë hetimin e thelluar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe kryerjen e veprimeve proceduriale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe autorëve të saj brenda dhe jashtë institucionit. Pas hetimit materialet do ti vihen në dispozicion prokurorisë.
Për të tre të paraburgosurit po përgatiten kallzimet penale për kryerjen e veprave penale, të tentativës për arratisje “largim nga vendi I vuajtjes së dënimit” si dhe goditje për shkak të detyrës.
Është urdhëruar në të njëjtën kohë rivlerësimi i kushteve të sigurisë në tërësi të institucionit 313 si dhe marrjen e masave administrative për rritjen e gadishmërisë në të gjitha institucionet penitenciare”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.














