Skuadra e Teutës po vijon përgatitjet për ndeshjen e kthimit të turit të tretë të Conference League ndaj Shamrock Rovers aty ku do të tentojë përmbysjen e humbjes 1-0 të ndeshjes së parë. Ndërkohë drejtuesit e Teutës po punojnë në merkato për të përforcuar skuadrën për sezonin e ri të Kategorisë Superiore.
Klubi durrsak ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të krahut të djathtë Hektor Idrizaj i cili në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Partizanit me të cilët numëron në total 55 paraqitje në Superiore dhe 1 gol të realizuar.
Idrizaj rikthehet te Teuta pas 7 sezonesh, teksa ka qenë pjesë e djemëve të detit në edicionin 2013-2014 në të cilin u aktivizua në 30 takime ku shënoi dhe 1 gol. 32-vjeçari pritet të rrisë cilësinë dhe eksperiencën në prapavijën e skuadrës së Edi Martinit që në këtë sezon do të synojë të mbrojë titullin kampion në Kategorinë Superiore.
Në këtë merkato verore Teuta ka afruar në skuadër edhe disa futbollistë të tjerë si maqedonasit Dragarski dhe Gorgiev, Sherif Kallakun në huazim nga Lokomotiva e Zagrebit, Taulant Seferin në huazim nga Tirana vetëm për pjesëmarrjen në Kupat e Europës, Blerim Kotobellin, Adolf Selmanin dhe sëfundmi Hektor Idrizajn.













