Rama, ‘bonus’ 30 mln euro për landfillin e Sharrës/ Dyshime për anashkalim ligji dhe klientelizëm

Qeveria ka vendosur të ndihmojë me 38.7 miliardë lekë të vjetra Bashkinë e Durrësit, shumë e cila do t’i kalojë në 10 vitet e ardhshme kompanisë koncensionare “Integrated Energy BV”, e cila menaxhon landfillin e Sharrës në Tiranë.

Këshilli i Ministrave miratoi pak ditë më parë vendimin “Për miratimin e kërkesës së bashkisë durrës për mbështetje financiare nga qeverisja qendrore për menaxhimin e mbetjeve”, një akt i mbushur plot me dyshime për klientelizëm në favor të kompanisë private.

Në bazë të këtij vendimi, qeveria miraton propozimin e Bashkisë së Durrësit për dorëzimin e mbeturinave në landfillin privat në Sharrës.

Në fakt, propozimi i Këshillit Bashkiak të Durrësit ishte një vendim i imponuar nga Agjencia Kombëtare e Mbetjeve, një strukturë në varësi të kryeministrit Edi Rama, e cila refuzoi të gjithë planet alternative për menaxhimin e mbeturinave të qytetit bregdetar.

Sipas vendimi të ndihmës financiare, të nënshkruar nga zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe të zbardhur plotësisht në Fletoren Zyrtare, qeveria do të nxjerrë nga buxheti i shtetit rreth 3 milionë euro në vit për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Durrës.

Sipas tabelës shoqëruese të vendit, pagesat e buxhetit për Bashkinë e Durrësit dhe që kjo e fundit do t’ia kalojë kompanisë së menaxhuar fillimisht nga shtetasi Klodian Zoto, do të fillojnë që nga muaji gusht i këtij viti, me vlerën rreth 1.5 miliardë lekë të vjetra.

Për periudhën 2022-2024, qeveria do t’i akordojë Bashkisë së Durrësit shumën vjetore prej 4.3 miliardë lekë të vjetra.

Më tej, gjatë viteve 2025-2027, qeveria do t’i kalojë bashkisë së qytetit bregdetar shumën prej 4.1 miliardë lekë të vjetra në vit.

Në tre vitet e fundit të planit qeveritar të ndihmës, pra në periudhën 2028-2030, bashkia e Durrësit do të përfitojë 3.95 miliardë lekë të vjetra në vit.

Në përfundim, sipas projektit të nënshkruar nga Braçe, Qeveria do të ndihmojë Bashkinë e Durrësit për 10 vjet, në një total prej rreth 38.7 miliardë lekë të vjetra.

Gjithçka duket si një lloj bonusi që qeveria po i jep kompanisë koncesionare, e cila, së bashku me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, është pjesë e një hetimi të nisur tashmë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit-SPAK.

Ka disa elementë, të cilat krijojnë dyshime të forta për klientelizëm në këtë vendim qeveritar.

Qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, ka nënshkruar në Gusht 2017 me “Integrated Energy BV” kontratën koncensionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, në Tiranë.

LEXO EDHE  Gjendet pistoleta në servis, shpallet në kërkim pronari

Sipas kontratës, koncensionari do të përpunojë mbetjet e Tiranës dhe për këtë do të paguhet 29 euro për ton mbeturina.

Në kontratë, kompania private ka të drejtën që të përpunojë edhe mbetje të qyteteve të tjera. Por, me një kusht.

Në pikën 2.2.3 të kontratës, parashikohet se “Me qëllim rritjen e rentabilitetit/maksimalizimit të investimeve të koncensionarit, ky i fundit ka të drejtë të marrë dhe të furnizohet me mbetje edhe nga njësi të qarqeve të tjera apo subjekte privatë…”.

Në lexim literal të kontratës, kuptohet qartë që “Integrated Energy..” mund të marrë mbetje jashtë Tiranës, por vetëm nëse plehrat e kryeqytetit nuk arrijnë sasinë minimale për të justifikuar investimin në ngritjen e landfillit dhe inceneratorit nga kompania private.

Situata aktuale, por edhe ajo e mëvonshme, nuk duket se cënon aspak investimin e kompanisë koncensionare.

Mbeturinat e Tiranës që dorëzohen në landfillin e Sharrës janë në sasi shumë herë më të lartë se sa minimumi që është parashikuar në kontratën koncensionare.

Vetëm nga përpunimi i mbeturinave të Tiranës, “Integrated Energy..” mbulon investimet e saj dhe rrit fitimet vit pas viti, siç raporton edhe vetë në Bilancet Vjetore duke nisur nga viti 2019.

Pra, Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk mbështetet në kontratën koncensionare të nënshkruar në vitin 2017.

Në këto kushte, qeveria, për të menaxhuar mbeturinat e Durrësit, duhet të hapte një procedurë të re, për ndërtimin e një landfilli të ri, nëpërmjet një tenderi të hapur.

Por, Rama, nëpërmjet Erion Braçes, ka tejkaluar çdo lloj hapi, duke shmangur procedurën e re, e cila do të kërkonte një studim fizibiliteti të mirëfilltë, një garë të hapur mes kompanive private dhe, në përfundim, miratim të kontratës së re në Parlament.

Ky skenar, i cili është ligjor, natyrisht, do të sillte vonesa në përfitimet e “Integrated Energy BV” dhe, ndoshta, edhe humbje në një garë të hapur.

Për këto arsye, qeveria ka vendosur të ndërhyjë me një VKM, duke anashkaluar të gjithë procedurat e nevojshme ligjore dhe duke i siguruar kompanisë private një lloj bonusi financiar, me vlerë 30 milionë euro për 10 vitet e ardhshme. /Syri Tv/