Prej mohimit tek ‘metafora e barit’

Nga Erl Kodra

-Yuri Kim përballë demokratëve –

Në të katër Ungjijtë Kanonik shkruhet se gjatë Darkës së Fundit, Jezu Krishti i tha Shën Pjetrit se “ti do më mohosh tre herë, para se Gjeli të këndojë nesër në mëngjes”. Në fakt ashtu ndodhi – pas arrestimit – Shën Pjetri e mohoi tre herë; se nuk e njehë Jezu Krishtin. Pas mohimit të tretë, në çastin që u dëgjua kënga e gjelit, Shën Pjetri u kujtua për Profecinë e Jezu Krishtit dhe filloi të qajë. Ky moment është quajtur Pendimi i Shën Pjetrit.

Ndokush mund të thotë se shembulli i Jezu Krishtit me Shën Pjetrin nuk është i përshtatshëm për të ilustruar atë që sot po ndodhë me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Në fakt asnjë shembull nuk është perfekt, por në këtë rast është mjaftueshëm i përshtatshëm për të ilustruar sfidat që e presin Partinë Demokratike.

Përgjatë regjimit terrorist të Enver Hoxhës, metoda më çnjerëzore ka qenë detyrimi për të mohuar të afërmit e tu, nëse ata goditeshin nga regjimi, burgoseshin, internoheshin apo vriteshin si “armiq të popullit dhe partisë”. Baba ka mohuar të birin – i biri ka mohuar babën, nëna djalin dhe vëllau motrën – me shpresën se pas këtij mohimi, të tjerët do të mund t’i mbijetonin ferrit që i priste. Por nuk ishte e thënë – terrorit nuk i shpëtonte askush – pavarësisht mohimit. Ky akt makabër është përsëritur me qindra mijëra herë, për çdo të burgosur, të internuar ose të pushkatuar pa gjyq, përgjatë 45 viteve të regjimit terrorist. Zor se gjendet mbi faqe të dheut një makabritet i tillë – i denjë për ferrin – jo për humanizmin.

Shpesh e vras mendjen se qysh i mbijetuam atij ferri. Të kuptohemi – kur them mbijetuam – e kam fjalën vetëm për ne që nuk i shitëm shpirtin dreqit, duke bërë ndonjë kompromis të vogël mbijetese – ashtu siç bëri Shën Pjetri me Jezu Krishtin. Nata e gjatë e terrorit nuk ishte një thriller dramatik – por një realitet brutal, i mbushur me gjak shqiptarësh të pafajshëm.

Enver Hoxha vërtetë na detyroi të hanim barë, në kuptimin e parë të kësaj fjale. Përgjatë atij ferri, të gjithë përjetuam uri masive, por paradoksalisht, ata që vuajtën më shumë për bukën e gojës ishin fshatarët. Vetëm Zoti e di se ç’kanë hequr fshatarët e shkretë për një copë bukë. Dhe motivimi për të mposhtur urinë ishte parulla e terroristit Hoxha – barë do hamë dhe parimet nuk i shkelim.

Ka disa gjëra që njeriut i mbeten përgjithmonë në kujtesë. Si përshembull, ato që përjeton në kohën kur formohesh si njeri, si karakter. Shqiptarët që kanë lindur para 1990-tës e mbajnë mend mirë se kush u dha krahë ëndrrës për liri dhe dinjitet – Partia Demokratike e Shqipërisë. Prandaj demokratët – më shumë se gjysma e qytetarëve të vendit – ndjehen thellësisht të fyer nga “metafora e barit” me të cilën Ambasadorja Yuri Kim i kërcënoi në shtëpinë e tyre.

LEXO EDHE  EMRI/ ILD i kërkon KLGJ shkarkimin e gjyqtares së Apelit Tiranë

Mos vallë Yuri Kim po i praktikon metodat e Sigurimi i Shtetit për të fabrikuar armiq? A e di zonja Ambasadore, se kur erdhi në Shqipëri për herë të parë, demokratët jo vetëm që shpresonin, por edhe e besonin shumë? Mjafton që të shoh në rrjet komentet dhe mbështetjen e asaj kohe, deri tek përmbysja e madhe që erdhi më vonë. A ia ka bërë ndonjëherë vetes këtë pyetje se nga erdhi kjo përmbysje? A e di ajo se shqiptarët janë populli më pro-amerikan në planet, dhe se breza të tërë shqiptarësh shpresat që të mos “hanin barë” i kishin tek Shtetet e Bashkuara? Çfarë ndodhi, pse kjo përmbysje e madhe? Ndryshuan parimet – të shqiptarëve apo të Ambasadores?!

A e di Ambasadorja se kur i thua dikujt se “duhet të distancohet nga e keqja”, së pari duhet ta shpjegosh të keqen, ta identifikosh atë, dhe jo të bëhesh palë me të keqen? Përndryshe – populli të cilin ajo e kërcënon me “metaforat e kurvit” nuk është një popull idiot dhe frikacak, që do të bindet verbërisht – ndërsa ti je bërë palë me të keqen, dhe i kërcënon ata. Kështu vetëm grumbullon urrejtje – të cilën askush nuk e meriton – për më tepër vendi i madh që përfaqëson.

Mos vallë Ambasadorja, që sapo bekoi Edi Ramën me një mandat të tretë përmes vjedhjes, blerjes, shantazhit dhe mashtrimit elektoral, po kërcënon opozitën me “metaforën e barit” – njësoj siç bëri Enver Hoxha në vitin 1945?! E çuditshme se si e kishte mësuar parullën më famëkeqe të terroristit Enver Hoxha, madje edhe kontekstin, ngarkesën negative dhe horrorin që mbartë ajo metaforë.

Ndoshta Yuri Kim nuk e di – sepse ajo është shtetase amerikane – por në Korenë e Veriut vërtetë njerëzit hanë barë pa metafora – ashtu si shqiptarët në kohë të terrorizmit shtetëror. Dhe të kërcënosh përmes metaforës së barit, është e papërshtatshme, e papranueshme, e pamoralshme dhe e dënueshme.
***
Sali Berisha është mjaftueshëm i fortë sa të mbrojë veten e tij. Madje më shumë se kaq – unë jam i bindur se ai nuk qëndron për vete, por për shqiptarët. Berisha është karakter i rrallë, një burrë që nuk tutet. Ai e merr rrezikun në sy, sepse është luftëtar dhe patriot i madh.

Javët dhe muajtë që do vijnë do vendosin fatin e Partisë Demokratike – që është edhe Partia e Lirisë dhe e Shpresës. Si e tillë, ajo nuk mund të zhbëhet, pavarësisht kërcënimeve me metafora bari.