Presidenti Ilir Meta ka thyer në Kuvend Aktin Normativ për “Menaxhimin e Buxhetit”, me arsyetimin se ai cënon Kushtetutën, ndarjen dhe balancimin e pushtetit.
Sipas Metës Akti Normativ heq çdo pengesë ligjore, për t’i hapur rrugë rritjes pa kufi të borxhit publik.
Ndër të tjera ai thekson se ndryshimet e miratuara, kanë rrezik real të lartë për rritjen e mëtejshme të borxhit publik, duke kaluar kufirin e 80% të PPB.
Për të lexuar arsyetimin e plotë ligjor sepse u rikthye ligji, klikoni KETU
Pjesë nga arsyetimi i Presidentit
Pas shqyrtimit të përmbajtjes së Aktit Normativ miratuar me ligjin nr. 86/2021, vlerësohet se, ai nuk është në harmoni me nenet 4, 7, 101, si dhe nenet që i përkasin Pjesës Trembëdhjetë të Kushtetutës, për shkak të parashikimeve në shkelje të parimeve dhe dispozitave kushtetuese si më poshtë:
• Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave, pasi nuk justifikohet as nevoja dhe as urgjenca, në miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit;
• Shkel parimin e shtetit të së drejtës;
• Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
• Shkel parimin e proporcionalitetit.
Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës së parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, si President i Republikës kam vendosur që ligji nr. 86/2021 “Për miratimin e Aktit Normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i duhet kthyer Kuvendit për rishqyrtim, për arsyet si më poshtë vijojnë:
I. Akti Normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, nuk justifikohet as me “nevojën” dhe as me “urgjencën”, duke bërë që miratimi i tij me ligjin nr. 86/2021, të cenojnë disa parime kushtetuese si: ndarjen dhe balancimin e pushtetit; të shtetit të së drejtës; si dhe parimin e proporcionaliteti.
1. Aktet ligjore të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore (si për tërmetin e 26 nëntorit të vitit 2019 edhe për pandeminë COVID -19) kanë përfunduar efektet e tyre dhe aktualisht vendi ynë është në përballje me pasojat ekonomike të krijuara prej tyre, kështu Qeveria ka të gjithë tagrin për të analizuar termat makro dhe mikro të ekonomisë së vendit, tagër ky që nuk i nënshtrohet presionit të kohës.
2. Në këto kushte, cilado vendimmarrje me justifikimin se merret në kushtet e nevojës dhe urgjencës, tashmë, është thjesht praktikë e nxjerrjes dhe miratimit pa ndonjë kontroll objektiv dhe efektiv të akteve normative me fuqinë e ligjit.
3. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, duke e njohur dhe sanksionuar përqëndrimin e pushtetit ligjvënës në Kuvendin e Shqipërisë ka parashikuar, si raste përjashtimore, nxjerrjen e akteve me fuqinë e ligjit nga Këshilli i Ministrave, e drejtë kjo e parashikuar nga neni 101 i Kushtetutës.
4. Përdorimi i këtij instrumenti mbetet në vlerësimin e Këshillit të Ministrave, por çmohet se përdorimi i tij gjerësisht dhe jo në kushtet e parashikuara nga Kushtetuta, cenon pavarësinë e pushtetit legjislativ dhe karakterin demokratik të shtetit. Kjo e drejtë ka natyrë përjashtimore, prandaj Kushtetuta e ka kushtëzuar ushtrimin e saj me ekzistencën e nevojës dhe urgjencës, si dhe me kontrollin përfundimtar nga Kuvendi të këtyre akteve normative të nxjerra nga Këshilli i Ministrave.
5. Kuvendi i Shqipërisë disponon ekskluzivitetin e analizës së formës edhe përmbajtjes së normës dhe elementët e saj. Pikërisht ky kontroll me karakter substancial e detyron ligjvënësin të lexojë drejt raportin e kompetencave ekskluzive legjislative që mbart duke vlerësuar për rrjedhojë, nëse gjendet në pozitën e cedimit, transferimit apo përthithjes së kompetencave të një organi tjetër.
6. Pavarësisht se Kuvendi ka vlerësuar interesin publik në rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe krijimin e lehtësirave fiskale, duhet të kishte konsideruar paralelisht pozitën e tij e vendimmarrjen në raport me një institucion tjetër kushtetues dhe, legjitimimin që mbart për shqyrtimin dhe miratimin e aktit të propozuar, pikërisht në formën e një akti normativ me fuqinë e ligjit.
7. Akti normativ me fuqinë e ligjit duhet të mbartë në vetvete plotësimin e parakushtit të pasjes së një situate “urgjence”, sepse vlerësohet e pamundur pritja në kohë dhe zbatimi i procedurave ligjore të parashikuara në nxjerrjen e akteve specifike. Por në këtë rast ky parakusht nuk ekziston. Për rrjedhojë, edhe iniciativa e vendimmarrja konsiderohen si përthithje e prerogativës së organit kushtetues – Kuvendit të Shqipërisë.
8. Një akt normativ i nxjerrë haptazi në kundërshtim me parimet e rregullat strikte të Kushtetutës cenon jo vetëm këto dispozita kushtetuese por dhe parimin e shtetit të së drejtës, parashikuar në nenin 4 të Kushtetutës, duke shkelur pikërisht kufirin e mirëpërcaktuar që akti themeltar i shtetit i rezervon organeve publike se, ushtrimi i kompetencave të tyre do të kryhet vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese.
9. Praktikisht, Kuvendi si organ ligjvënës, duhet të mbështesë veprimtarinë e tij së pari te dispozitat kushtetuese dhe për rrjedhojë përgjatë procesit, i lind detyrimi të kryejë një interpretim të normave që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me aktet që kërkon të miratojë dhe pavarësisht detyrës dhe përgjegjësisë për t’iu përgjigjur sa më shpejt dhe sa më drejt prioritetit dhe problematikës së vendit, siç mund të jetë rasti i situatës pandemike, duhet të kujdeset që nismat ligjore, në të gjitha rastet, të mos bien ndesh me dispozitat kushtetuese.
10. Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj të konsoliduar është shprehur ndër të tjera se: “[…] transferimi i kompetencës legjislative Këshillit të Ministrave, që, përjashtimisht, të marrë masa të përkohshme në rast nevoje dhe urgjence, i nënshtrohet para së gjithash, kufizimeve kushtetuese, të cilat konsistojnë në kritere procedurale dhe po ashtu lëndore, të përcaktueshme nga natyra e marrëdhënies konkrete që kërkon rregullim. Në këtë kuptim, Kuvendi nuk mund të delegojë pushtetin e tij ligjbërës, por ka detyrimin kushtetues të përmbushë kërkesat procedurale dhe lëndore për miratimin e ligjeve të cilësuara sipas nenit 81/2 dhe 83 të Kushtetutës, në raport me nenet 1, 2, 4, 7 dhe 116 të Kushtetutës, aq më pak Këshilli i Ministrave mund të ndërhyjë në akte normative më fuqinë e ligjit në ato fusha, rregullimi i të cilave, expressis verbis, përbën kompetencë ekskluzive të Kuvendit”.
11. Qeveria ka patur në dispozicion të gjitha mekanizmat, përfshirë këtu edhe kohën e nevojshme, që në analizë të studimit, hartimit dhe paraqitjes për miratim të ligjeve të buxheteve të vitit 2020 dhe 2021 (dhe ndryshimeve përkatëse që kanë pësuar), të parashikonte nivelet, instrumentet dhe politikat e nevojshme për të pasqyruar iniciativa dhe vendimmarrje konkrete me qëllim kapërcimin e vështirësive me të cilat përballet vendin ynë. Duke qenë se koha nuk ka munguar, dhe njohja me situatën prej Qeverisë dhe Kuvendit është fakt, atëherë zgjedhja e bërë për të vepruar përmes aktit normativ, për të ndryshuar ligjin organik të buxhetit, nuk gjen mbështetje kushtetuese dhe asnjë justifikim objektiv.
12. Nevoja dhe urgjenca duhen kuptuar si parakushte të domosdoshme, mosqënia e të cilave do të kishte si pasojë pavlefshmërinë e aktit normativ me fuqinë e ligjit. Mungesa e tyre shndërrohet në ves të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, në vijim, në ves të ligjit që e ka miratuar atë.
13. Duke qenë kushte paraprake, “nevoja” dhe “urgjenca”, duhet të jenë vërtetuar se ekzistojnë përpara momentit të marrjes së nismës nga qeveria për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit. Këto dy kushte duhet të jenë gjithashtu të pranishme, të lidhura e të ndërvarura dhe në momentin kur nxirret akti normativ me fuqinë e ligjit. Nëse ekziston nevoja për nxjerrjen e një ligji, por pa ndonjë urgjencë të dukshme, qeveria nuk mund të ndërmarrë nismën për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit, pasi kjo përbën një detyrë të pushtetit ligjvënës.
14. Vetëm kur situata e krijuar vlerësohet e pamundur të presë aq kohë sa nevojitet për nxjerrjen e ligjit të nevojshëm nga organi ligjvënës, qoftë edhe nëpërmjet procedurave të përshpejtuara, nisma ligjvënëse mund t’i kalojë qeverisë. Nëse nuk do të vlerësohej ky aspekt, qeveria do të merrte, pa të drejtë, funksionet ligjvënëse të Kuvendit.
15. Kushtetuta, nëpërmjet nenit 101 të saj, ka lejuar që pushteti ekzekutiv të mund të miratojë akte që kanë të njëjtën fuqi si ligjet vetëm kur, rasti shfaqet si i jashtëzakonshëm dhe “nevoja” e “urgjenca” bëjnë të pamundur ushtrimin e kompetencës ligjvënëse nga Kuvendi3.
16. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar në jurisprudencën e saj se Qeveria është e detyruar të
shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit. Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Qeveria është e detyruar ta pasqyrojë shpjegimin në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij.
Ndërkohë që në rastin konkret, ndryshimet e propozuara dhe të miratuara përmes Aktit Normativ nr. 25, datë 22.6.2021, të Këshillit të Ministrave, nuk përligjen me ndonjë nevojë, e aq më pak urgjencë.
II. Akti normativ miratuar me ligjin nr. 86/2021, në nenet 1 dhe 2 të tij, bien ndesh me parimet e ligjit themeltar të shtetit dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të vendit.