BKT: Sistemi rikthehet në orën 11.00”, por bllokimi vijon. BSH: Po monitorojmë situatën

Nga Boldnews.al

Është ora 12.30 e datës 4 Gusht 2021 dhe Altini, një sipërmarrës privat po sfidon temperaturën mbi 40 gradë para hyrjes së filialit të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), në rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë.

“Kam ardhur që në mëngjes për të kryer disa transaksione për llogari të biznesit, por këtu më thonë që nuk punon sistemi. Kjo situatë ka që dje paradite (e Martë)”, thotë ai, i bezdisur nga mungesa e shërbimit në këtë bankë të nivelit të dytë dhe vapa përvëluese.

Rreth 20 persona të tjerë janë në pritje të një fjale të mirë nga punonjësit e BKT-së. Por, në mënyrë periodike, çdo 10-15 minuta, punonjësi i shërbimit shfaqet në derën e filialit, për të përsëritur refrenin se “sistemi ende nuk punon”.

E njëjta situatë paraqitet edhe në filialin e BKT-së në Kombinat, ku rreth 40 persona qëndrojnë jashtë dyerve të bankës, në pritje që sistemi bankar të fillojë aktivitetin e pezulluar prej më shumë se 24 orësh.

Paraditen e së Martës (03.08.2021), i gjithë aktiviteti i Bankës Kombëtare Tregtare, në Shqipëri dhe në Kosovë, u bllokua plotësisht.

Klientët nuk mund të kryenin asnjë veprim, përfshirë ato të thjeshtat për tërheqje parash në bankomat apo pagesa nëpërmjet pajisjeve POS, deri tek transaksionet e tjera që kryen në sportelet bankare.

Pas një shqetësimi në rritje, Banka Kombëtare Tregtare shpërndau një njoftim në rrjete sociale pasditen e së Martës, duke njoftuar klientët se kishte ndodhur një problem teknik në sistemin “Qendror Bankar” dhe se po merreshin masa për ta rregulluar.

Mëngjesin e së Mërkurës, BKT u rikthye sërish me një njoftim, ku shkruante: “Problemi hardëare që shkaktoi një ndërprerje afatshkurtër në sistemin tonë bankar është zgjidhur. ATM -të dhe POS-et tona kanë filluar të shërbejnë, kanalet tona digjitale dhe transaksionet e degëve do të vihen gradualisht në shërbim sot rreth orës 11 të mëngjesit pas kontrolleve përfundimtare që do të kryhen. I gjithë ekipi ynë po punon me përkushtimin e zakonshëm për t’ju shërbyer sa më mirë”.

LEXO EDHE  Emri/ U kap në shtëpi bari, dënohet me dy vjet burg shqiptari
Në foto: Njoftim i BKT, publikuar në rrjete sociale mëngjesin e datës 04.08.2021

Por, siç konstatoi “Boldnews.al” nga një vëzhgim në terren, shërbimet e BKT-së nuk ishin kthyer plotësisht edhe shumë kohë pas orës 11, afati i njoftuar nga banka.

Gjatë kësaj të Mërkure, qytetarët mund të tërhiqnin para nga bankomatët-ATM të Bankës Kombëtare Tregtare, megjithatë ata nuk mund të kryenin veprime të tjera financiare.

Për problemin teknik të BKT-së është vënë në dijeni edhe Banka e Shqipërisë.

Donald Duraj, drejtori i Kabinetit në institucionin qendror bankar deklaroi gjatë paradites për “Boldnews.al” se “Banka e Shqipërisë është informuar menjëherë nga BKT mbi situatën, një problem i natyrës teknike, dhe ekipi i mbikëqyrjes sonë ka marrë dhe mbajtur kontakt të vazhdueshëm me bankën e nivelit të dytë përgjatë të gjithë kohës”.

Duraj shton më tej se “nga informacioni më i fundit që kemi nga BKT, çdo gjë është sistemuar, të gjitha ATM dhe POS janë plotësisht funksionale, ndërkohë që të gjitha degët do të hapin dyert për klientët në orën 11:00”.

Ky njoftim, në fakt, është njoftuar nga Banka Kombëtare Tregtare nëpërmjet kanaleve të komunikimit.

Por, premtimi për rikthimin e sistemit funksional në orën 11, më së paku nuk është mbajtur nga ana e Bankës Kombëtare Tregtare, e cila duket se po përballet me një problem serioz.

Duraj deklaron se “Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbetet në mbikqyrje të pandërprerë të situatës, deri në zgjidhjen përfundimtare të saj”.