Plehrat bëjnë “pis” Armando Subashin e Fierit, anulon tenderin e tretë “300 mijë euro për mjetet e pastrimit”

Nga BoldNews.al

Armando Subashi, kreu i Bashkisë së Fierit, ka anuluar brenda pak ditësh tenderin e tretë që ka lidhje me pastrimin e qytetit. Skandalet e njëpasnjëshme kanë sjellë “zbythjen” e Subashit, të cilin e ka zënë frika deri në palcë nga një hetim apo arrestim i mundshëm nga SPAK.

Goditjen e parë ia ka dhënë Petro Koçi, që denoncoi se të fortët e Fierit po marrin tenderat. Më pas, “bomba ekologjike” e landfillit ka nxjerrë në dritë prapaskenat se kush qendron pas plehrave në Fier dhe kush po e bën “pis” kreun e kësaj bashkie. Fillimisht u tërhoq nga tenderi 200 mijë euro i inceneratorit. Më pas nga tenderi i majmë 2 milionë euro i pastrimit të Njësive Administrative, megjithëse ishte shpallur edhe fituesi “Kombi Invest”. Dhe, aktualisht është tërhequr edhe nga tenderi i tretë, 300 mijë euro për blerjen e mjeteve teknologjike të pastrimit. Por, më shqetësuesja është se çfarë loje e pistë po luhet në Fier? Përse nuk ndërhyn policia dhe prokuroria lokale? Po SPAK-u ku është?

Faksimile: Njoftimi i Bashkisë Fier, për anulimin e tenderit për blerjen e mjeteve teknologjike me fond mbi 300 mijë euro

BoldNews.al ka ndjekur të gjitha procedurat e tenderave të pastrimit në Fier, të cilat nxjerrin zbuluar kreun e Bashkisë, Armando Subashin. Ai ka tentuar që këto tendera t’i fitojë një kompani e lidhur me inceneratorin, që në fakt ka qenë nënkontraktore e ndërtimit të impiantit. Të dhënat e institucioneve ligjzbatuese flasin se pronarët me letra dhe ata që qendrojnë pas tyre dyshohet se kanë lidhje me botën e krimit. Por, deri më tani këto procedura vetëm sa po anulohen, çka tregojnë një frikë të madhe të Subashit, për mos ta pësuar si homologu i tij i Lushnjes, Fatos Tushe.

LEXO EDHE  KLP cakton 2 drejtuesit e rinj të Prokurorive në Korçë e Mat

Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Bashkia e Fierit ka njoftuar edhe anulimin e tenderit “blerje mjete teknologjike”. Fondi për këtë tender ishte 30 667 000 lekë pa TVSH. “Në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme” thotë bashkia, ndërsa ka dhënë edhe informacion shtesë. “Autoriteti kontraktor ka vendosur anulimin e procedurës pasi oferta e vetme e paraqitur në këtë procedurë prokurimi, nuk përmbush kriteret për kualifikim të përcaktuara në DST. Duke qenë se nuk sigurohet asnjë ofertë e vlefshme në tender, minimumi i numrit të ofertave të vlefshme të kërkuar është 1, procedura e sipërcituar duhet anullohet” thuhet në njoftim.

Pra, vetëm brenda pak ditësh, Bashkia e Fierit ka anuluar procedurën e tretë, duke konfirmuar se lufta në këtë qytet po bëhet për biznesin e pisët të plehrave. Dhe, koha ka treguar se ky biznes, mbrapa të cilit janë interesat e mëdha të inceneratorëve, ka sjellë përplasjet më të mëdha mes institucioneve. Madje, edhe vetë brenda mazhorancës, ku një grup i madh po kontrollon këtë biznes dhe po i ofron mbrojtje.