Nga Boldnews.al
Erion Veliaj u shfaq në median shqiptare nga Tokio e largët, duke shpallur triumfues se qeveria i ka kaluar sërish truallin e Teatrit Kombëtar, pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese.
Veliaj deklaroi se gjendej në kryeqytetin japonez me ftesë të guvernatores së Tokios, Yuriko Koike.
Por, përtej një njoftimi të përcjellë nga Bashkia për bisedat Veliaj-Koike, i gjithë aktiviteti tjetër i kryetarit të Bashkisë së Tiranës është përqëndruar në takimet me atletët shqiptarë, të cilët janë pjesëmarrës të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.
“Boldnews.al” kreu verifikime në burime të hapura zyrtare, përfshirë Agjencinë e Prokurimit Publik, për të mësuar se sa është kostoja e udhëtimit të Veliaj në Tokion olimpike.
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, në faqen e APP-së nuk gjendet asnjë procedurë prokurimi për blerje biletash për në Japoni, të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës.
Kërkimi përfshiu një periudhë 7-mujore, nga Janari deri në Korrik 2021. Në bazë të hulumtimit rezultoi se Bashkia e Tiranës kishte zhvilluar procedura tenderuese për “blerje biletash udhëtimi” në mbi 10 raste.
Këto udhëtime ishin kryesisht në vende europiane, përfshirë Athinën, Budapestin, Amsterdamin, Vjenën, e të tjerë.
Natyrisht, duhet të jenë takime pune dhe këtu nuk ka asnjë problem.
Pikëpyetja ngrihet për faktin se me cilat fonde ka udhëtuar dhe akomodohet Veliaj në Tokion e largët, kur nuk rezulton asnjë procedurë prokurimi publik për këtë vizitë.
Nuk përjashtohet mundësia që shpenzimet e Veliajt për udhëtim në kryeqytetin japonez të jenë mbuluar nga ftuesja, guvernatorja e Tokios.
Por, kjo duket pak e vështirë. Autoritetet pritëse, në përgjithësi, mbulojnë shpenzimet e udhëtimit për të ftuarit, kur kanë një interes madhor tek këta të fundit.
Pra, zonja Yuriko Koike mund të paguante udhëtimin e Veliajt, vetëm në rastin se ajo dhe institucioni i saj kanë një interes madhor për Tiranën, gjë që nuk duket aspak logjike, duke mbajtur në vëmendje largësinë, jo vetëm gjeografike, mes dy qyteteve.
Megjithatë, ka një detaj që nuk duhet anashkaluar.
Këshilli Bashkiak i Tiranës, në 2 korrik 2021, miratoi vendimin “për një shtesë në buxhetin e vitit 2021 të Klubit Sportiv “Tirana”, për mbështetje të sportistëve për pjesëmarrjen në Lojrat Olimpike Tokyo 2020”.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, shuma e akorduar për lojtarët olimpikë shqiptare ishte në vlerën 9,470,500 lekë të reja.
Ky fond, siç thuhet në njoftim, është për sportistët e Klubit Sportiv Tirana.
Por, në mungesë të të dhënave të tjera zyrtarë, nuk përjashtohet mundësia që vizita e Veliajt në Tokio dhe atashimi i tij i përditshëm me lojtarët olimpikë, të jetë realizuar në bazë të këtij fondi, i cili është alokuar për veprimtarinë sportive dhe që shfrytëzohet prej tij për propagandë politike.