Valiu i Tiranës dhe zëvendësi i Sulltanit!

Nga Edmond Tupja

E dhe R, dy shkronja me të cilat nisin dy emrat e përmendur (i njëjti emër, ç’është e vërteta)  në titullin e këtij shkrimi. Pra, Er… një dyshe që të kujton fjalën “erë” në dy kuptime: Nga njëra anë, si “zhvendosje e një rryme të konsiderueshme ajri, për mirë apo për keq qoftë” dhe, nga ana tjetër, si “erë që vjen dikush apo diçka kundërmuese, për mirë apo për keq qoftë gjithashtu”!

Sido që të jetë, në të dy rastet, kur kemi përplasje midis të dy llojeve në fjalë, mjerë kush bie viktimë e kësaj përplasjeje! Këto fjalë po më thoshin para pak ditësh dy miq të njohur edhe nga lexueset e lexuesit e rregullt, madje edhe të çrregullt, të rubrikës sime të përjavshme “Vath në vesh”, pra Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli, i pari, fans pa kushte i kryebashkiakut Erion Veliaj, i dyti, fans pa kushte i zv/kryeministrit Erion Braçe.

Sipas të parit, pra Françesk Armadhit, zv/kryeministri, i cili deri tani kishte ndenjur i strukur nën hijen hijerëndë të kryeministrit kryeneç Rama, ishte shfaqur papritmas duke sulmuar Veliajn jo aq sepse e shqetësonin vërtet zhurmat e betonierave që shkarkonin ngarkesën e tyre pranë pallatit ku banon ai, sesa me gjasë sepse qenka kurdisur fshehurazi nga eprori i tij i pakundërshtueshëm për shkak se, prej disa kohësh, qarkullojnë zëra sipas të cilëve kryebashkiaku, aq i pranishëm çdo ditë e çdo natë në mediet tona elektronike, është programuar nga vetë kryeministri që t’i zërë këtij vendin katër vite më vonë, pra fill pas zgjedhjeve të vitin 2025.

Sipas të dytit, pra Namik Arvoglit, e vërteta qëndruaka krejt ndryshe: Erion Braçe fsheh në vetvete një force të jashtëzakonshme luftarake, këtë e ka parandier edhe vetë kryeministri kërcënues Rama, i cili, deri më sot, e ka mbajtur pranë në heshtje, ashtu siç mban  një pokerist i regjur asin në mëngë, por tani, me sa duket, ka ardhur koha që Erion Braçe të shpalosë forcën e tij në arenën e politikës shqiptare! Nga i vjen kjo forcë Erion Braçes? Pikërisht nga ngjashmëria e madhe që ai ka me…, me një personazh legjendar të kinematografisë amerikane të gjysmës së parë të shekullit të kaluar!

Vetëm lexueset dhe lexuesit e mi mbi 50 vjeç mund ta kujtojnë personazhin në fjalë, prandaj më të rinjtë do t’i ndihmoj unë tani: Në vitin 1933, në SH.B.A.  nisi të shfaqej  një seri filmash vizatimorë me titull “Popeye The Sailor Man”, por që publiku ynë zuri t’i shihte rreth viteve ’70 në njërin prej kanaleve televizive italiane, veçse të dubluar detyrimisht në gjuhën e Dantes, pra me emrin e personazhit kryesor të përshtatur për italianët në trajtën “Braccio di Ferro”, çka në gjuhën tonë nisi të shqiptohej “Braço di Fero”!

Ky personazh, ndonëse në pamje imcak si Erion Braçe, përballej herë pas here me Bluton, gjigantin e pamëshirshëm, i cili ia kishte vënë keqas syrin Olives, anipse kjo dashuronte Braço di Feron, nofkë kjo që fjalë për fjalë përkthehet “krah i hekurt”, pra, i fuqishëm, por ka kuptimin “matje forcash”. Rrjedhimisht, Braço dilte vazhdimisht fitimtar nga përleshjet e tij me Bluton, veçse fuqinë ia jepte… ia jepte spinaqi që hante rregullisht!

LEXO EDHE  Gazetarja zbulon bisedën e Adriatik Llallën: Ja çfarë më tha

Po t’i kthehemi tani përplasjes së Erion Braçes me Erion Veliajn, nuk do të mungojmë të vëmë re se, nga pamje e jashtme, këta zotërinj  janë të dy imcakë, por, nëse e mendojmë më thellë, Erion Veliaj duhet ta ndiej veten si gjiganti Bluto i filmit vizatimor të lartpërmendur, ngaqë detyrën e kryebashkiakut të kryeqytetit po e ushtron prej disa vitesh i rrethuar nga një tamtam propagandistik gjëmimtar të tillë saqë, me shumë gjasë, mendjen e ka tashmë të fiksuar te posti i tij i ëndërruar si kryeministër i ardhshëm dhe i pashmangshëm.

E vetmja re në horizontin e këtij fiksimi veliajan është sulmi i papritur nga ana Erion Braçes me nxitjen e hamendësuar të kryeministrit Rama. Ky interpretim mund të duket si diçka e denjë për historitë e intrigave që thureshin dikur në oborret mbretërore në kuadrin e luftës për pushtet apo për privilegje të lidhura me të, kështu që, po të jetë e vërtetë kjo, në rastin e përplasjes Erion vs Erion pushteti dhe privilegjet e lidhura me të do të ishin tiparet apo më saktë hiret e Olives, mollë sherri midis Erion Braço di Feros dhe Erion Blutos.

Sidoqoftë, nisur edhe nga proverbi i shkëlqyer i popullit tonë, sipas të cilit “Politika është kurvë” (ndonëse jo të gjithë politikanët duken të jenë kurvarë), parmbrëmë u detyrova t’i ndërprisja hamendësimet lidhur me luftën e nëndheshme në gjirin e Partisë Socialiste (“Specialiste”, siç do të thoshte i ndjeri Pjetër Arbnori), sepse më duhej patjetër të gjeja një zgjidhje për t’i pajtuar me njëri-tjetrin dy miqtë e mi të përmendur në krye të këtij shkrimi, të cilët gati-gati nuk flisnin më mes tyre, edhe pse idhujt e tyre quhen Erion dhe i përkasin së njëjtës parti.

Si përfundim, ndaj të gdhirë brofa nga shtrati dhe mend thirra “Eureka!”: Zgjidhja ideale do të ishte një dyluftim, pra, një matje forcash, midis Veliajt apo Valiut të Vilajetit të Tiranës (siç do të mund të shprehej Erdogani) dhe Braçes, pra zv/kryeministrit ose zëvendësit të sulltan Ramës (siç do të mund të shprehej sërish Erdogani), një matje forcash që, po e përsëris, në italishte quhet pikërisht braccio di ferro, nga e cila del fitimtar ai që ia thyhen krahun tjetrit!

Megjithatë, me që dy Erionëve tanë emri u fillon pikërisht me Er…, dy germa që të sjellin ndër mend një rrymë të konsiderueshme ajri, për mirë apo për keq qoftë, ose një erë që vjen dikush apo diçka kundërmuese, për mirë apo për keq qoftë gjithashtu, uroj që, për të mirën e popullit tim të rraskapitur gati deri në zgërlaqje, të mos plasë ndonjë erë e tmerrshme në të dy kuptimet e kësaj fjale, pavarësisht spinaqit që mund të hanë ata, dy Erionët tanë, spinaqit që të kujton ngjyrën blertë edhe të barit, edhe të dollarit!

Titulli orgjinal:Erion vs Erion