Kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit 14 fëmijë dhe 5 gra shqiptarë nga kampi i ferrit Al Hawl. Në një konferencë për mediat nga aeroporti “Nënë Tereza”, Rama tha se do të ketë një tjetër operacion për të kthyer shqiptarët e tjerë të mbetur në Siri, ndërsa tha se ka pasur prej tyre që nuk duan të kthehen edhe pse janë gjetur.
Sipas tij, këta janë persona që mbahen peng brenda kampit, dhe kanë frikë për jetën e tyre në rast se do të pranojnë të kthehen në Shqipëri.
19 gratë dhe fëmijët që janë kthyer sot në atdhe, do të dërgohen në një vend strehimi në Durrës, ku do të trajtohen edhe në aspektin psikologjik, deri në rehabilitimin e plotë të tyre.
Rama tha se identifikimi i shqiptarëve bëhet i vështirë, për shkak se profili i krijuar nga ana e autoriteteve shqiptare është bërë në të dhënat e disa viteve më parë, dhe ata mund të kenë ndryshuar me kalimin e kohës.
Sipas kryeministrit, ka shumë vrima të zeza nëpër kampet e Sirisë, dhe për të arritur te shqiptarët, do të duhet të vihen në punë dhe persona të infiltruar.
“Ishte një operacion i gjatë dhe i ndërlikuar, me ndihmën e konsullit shqiptar në Liban, të cilët i kam falenderuar edhe personalisht.
Është një ngjarje pozitive mendoj, ne nuk do të ndalemi këtu, ka dhe një operacion tjetër për tu zhvilluar, për një numër që nuk e dimë saktësisht, pasi ka një punë në terren për të gjetur ata persona në vrimat e zeza, llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, duke menduar tashmë se më shumë se gjysma është marrë.
Një rol të rëndësishëm ka luajtur struktura e antiterorit, ministrin e falenderoj, pasi prej muajsh ka ndjekur operacionin, ka pasur dhe një vizitë në Bejrut, është një premtim që do ta mbajmë deri në fund.
Operacionet e kësaj natyre nuk janë të lehta, pasi nuk janë as kampe pushimi dhe as kampe shtetërore, janë kampe lufte, të sistemuara në mënyrë të improvizuar dhe me autoritete që variojnë.
Në këtë drejtim puna që bëhet është e dyfishtë, me ata që administrojnë kampet, dhe me personat e infiltruar për të mbledhur informacion. Ka njerëz që nuk shfaqen fare, ka njerëz që janë pengje, të gjitha këto e bëjnë operacionin shumë kompleks.
Derimë tani janë shfaqur raste sporadike, dy raste që ne i njohim, nuk mund të jap emra, që kanë refuzuar të kthehen, janë persona që janë pengje brenda kampit, janë persona që nuk shkëputen dot, që kanë frikë. Kanë frikë se gjatë operacionit të shkëputjes mund tiui marrin jetën, janë dy persona që janë identifikuar dhe nuk kanë marrë hapin që të kthehen”, tha Rama.