Nga Boldnews.al
Një indiferencë olimpike e SPAK-ut për të hetuar shkeljet ligjore të Erion Veliajt në rastin e shembjes së Teatrit Kombëtar, e ka nxitur kryebashkiakun e Tiranës që të shfaqet triumfues për një vendim të ri qeveritar mbi truallin e godinës simbol, i cili sërish është në shkelje të Kushtetutës dhe që injoron tërësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të marrë për këtë çështje në fillim të Korrikut 2021.
Me pamje të nxirë nga dielli japonez, ku gjendet për të ndjekur Lojërat Olimpike, Veliaj dha lajmin se qeveria, nën drejtimin e Erion Braçes, kishte miratuar një VKM të re, e cila i kalon Bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar, dhe “jo të godinës, pasi ajo nuk ekziston më”, siç u shpreh me cinizëm kryetari i Bashkisë së kryeqytetit.
Veliaj është një prej zyrtarëve të kallëzuar prej shumë muaj nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), për veprimet e tij, të cilat u finalizuan me shembjen tragjike të godinës së simbolit të kulturës shqiptare, në 17 maj 2020.
Por, prej më shumë se një viti, prokurorët specialë, për të cilët pati shpresa të mëdha se do të luftonin paligjshmërinë në nivele të larta, janë treguar tërësisht indiferentë, duke i dhënë Veliajt mundësinë që, së bashku me kryeministrin Edi Rama, të shkelin sërish Kushtetutën.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i publikuar këtë të Shtunë (31.07.2021) ka së paku dy shkelje kushtetuese, ndërkohë që karakterizohet nga një injorim total i vendimit të Kushtetueses.
Nuk u zbatua vendimi i Kushtetueses
Në 2 Korrik 2021, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e ligjit special “Fusha” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave, mbështetur mbi këtë ligj, nëpërmjet të cilit qeveria i kaloi Bashkisë së Tiranës pronësinë mbi truallit dhe ndërtesat e Teatrit Kombëtar.
Në këtë mënyrë, Kushtetuesja vendosi që palët duhet të ktheheshin në gjendjen fillestare-pra, ligji “Fusha”, nëpërmjet të cilit Parlamenti i dha të drejtën kompanisë private të Shkëlqim Fushës për të ndërtuar kompleks kullash rezidenciale, u shfuqizua.
Po ashtu, edhe akti qeveritar, për kalimin e pronësisë së Teatrit në duart e Veliajt, u shndërrua në nulitet.
Pas këtij vendimi, Këshilli i Ministrave kishte detyrimin që të vinte në zbatim vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Një prej akteve të saj, ishte nxjerrja e një VKM-je, që do të sillte palët në gjendjen fillestare, pra të kalonte pronësinë e truallit të Teatrit tek Ministria e Kulturës.
Por, deri më tani, nuk ekziston asnjë akt i tillë, gjë që do të thotë se Qeveria “Rama” nuk e ka vënë në zbatim vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por, kjo “harresë” e shndërron në nul vendimin e ri të qeverisë. Me vendimin e publikuar këtë të Shtunë, qeveria vendos të kalojë truallin në pronësi të Bashkisë, por ndërkohë që ai territor, për shkak të neglizhencës së Këshillit të Ministrave, vijon të jetë ende në pronësi të Bashkisë.
Pra, VKM-ja e nënshkruar së fundmi nga Erion Braçe është tërësisht jashtë realitetit, pasi i jep Bashkisë së Tiranës pronësinë mbi një truall, të cilin ende e ka, edhe pse në kundërshtim me Kushtetutën.
Pronësia kalon me ligj
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të fillim-korrikut 2021, përmendet më shumë se një herë që kalimi i pronave nga pushteti qendror (qeveria) në drejtim të pushtetit lokal (bashkive), kryhet nëpërmjet ligjeve të posaçme në Parlament.
Një nga arsyet se përse Kushtetuese rrëzoi VKM-në e mëparshme, nëpërmjet të cilës qeveria i kaloi Bashkisë së Tiranës pronësinë mbi truallin dhe godinën e (ish)-Teatrit Kombëtar, ishte fakti se procedura nuk ishte kryer me ligj, por me akt të qeverisë.
Pavarësisht se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, sërish qeveria ka vendosur kalimin e pronësisë së truallit të Teatrit nëpërmjet një Vendimi të Këshillit të Ministrave.
Veliaj, në prononcimin e tij nga Tokio, deklaroi se Vendimi i ri qeveritar ka reflektuar detyrimet e përmendura në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por, qartësisht, Rama dhe Veliaj kanë vendosur të injorojnë vendimin e Kushtetueses, duke tentuar të shmangin shqyrtimin parlamentar nga ligjvënësit që do të ulen në sallën e Kuvendit, në Shtator 2021.