Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), Enkelejd Joti, rrezikon të gjobitet deri në 5 milionë lekë të vjetra, për shkak se refuzon të vendosë në dispozicion të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) dokumentacionin mbi tenderin e dyshimtë për “mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore”, me vlerë it 5.2 milionë euro.
Në qershor 2021, QSUT shpalli procedurën “Menaxhim dhe mirëmbajtje aparatura mjekësore për 4 vjet”, me fond limit 645.887.198 lekë të reja pa TVSH.
Disa prej kompanive shqiptare, të cilat kanë interes për t’u përfshirë në këtë procedurë, kanë kërkuar nga QSUT modifikimin e kritereve kualifikuese, pasi ata dyshojnë se dokumentat e tenderit janë hartuar në mënyrë të tillë që fitues të shpallet një shoqëri e paracaktuar.
Ankesa e tyre është dorëzuar fillimisht pranë Autoritetit Kontraktor, i cili i ka rrëzuar pretendimet e tyre.
Në këto kushte, ankimuesit i janë drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik.
Ky institucion ka hapur procedurën e verifikimit dhe, në 12 Korrik 2021, ka kërkuar nga drejtuesi i QSUT-së, Enkelejd Joti, “informacion të hollësishëm mbi (këtë) procedurë prokurimi, shoqëruar me proces-verbalin e hartimit dhe argumentimit të kritereve të vlerësimit, kritereve të kualifikimit dhe specifikimet teknike…”.
Kjo kërkesë nuk u konsiderua aspak nga drejtuesi i QSUT-së, Joti, i cili nuk ktheu asnjë përgjigje.
Në 19 Korrik 2021, KPP u detyrua t’i dërgojë një shkresë të dytë Enkelejd Jotit, ku i kërkon që brenda tre ditëve, pra në datën 22, të vendosë në dispozicion informacionin e kërkuar.
“Në mungesë të paraqitjes së informacionit të kërkuar – shkruan KPP në shkresën e dytë drejtuar Jotit – do të zbatohen sanksionet e parashikuar në nenin 131/a të ligjit ‘Për Prokurimet Publike’”.
Sipas këtij neni, “refuzimi i autoritetit apo entit kontraktor për të bashkëpunuar me Komisionin e Prokurimit Publik…ngarkon me përgjegjësi titullarin e autoritetit kontraktor dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë”.
Po ashtu, në shkresën e nënshkruar nga drejtuesi i KPP-së, Jonaid Myzyri, në rast se Joti vijon të refuzojë bashkëpunimin, ndaj tij do të merren menjëherë edhe masa disiplinore.
Tenderi me vlerë 5.2 milionë euro për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, është shoqëruar që në krye të herës me dyshime për fitues të paracaktuar.
“Boldnews.al” ka raportuar edhe më parë për pikëpyetjet mbi kriteret kualifikuese të këtij tenderi, si edhe përplasjet brenda administratës së QSUT-së për këtë procedurë.
Procedura e këtij tenderi është në një fazë të tillë, e cila nuk mund të tërhiqet pas.
Vijimi i saj mund ta shndërrojë Enkelejd Jotin në një subjekt hetimi penal nga Prokuroria e Posaçme-SPAK.
E vetmja rrugë për të shmangur përballjen e Jotit me ligjin për këtë tender, është anulimi i procedurës, një vendim që tashmë mund ta marrë vetëm Komisioni i Prokurimit Publik.
Nuk përjashtohet mundësia që “kërcënimi” i Myzyrit ndaj, Enkelejd Joti, të jetë një mekanizëm për të anuluar tërësisht tenderin, duke e shmangur drejtorin e QSUT-së nga telashet e mëvonshme me drejtësinë.
(BN)