VV paralajmëron peticion kundër Mini-Shengenit: Në politikën e brendshme, Rama punon për oligarkët, në të jashtmen për Vuçiçin

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri shpreh sërish qëndrim kundër Mini-Shengenit. Në një deklaratë, Vetëvendosje shprehet se, Shqipëria së brendshmi është zhytur në varfëri e pabarazi ekstreme, ndërsa së jashtmi është vendosur nën sqetullën e Serbisë.

“Këto janë dy dimensionet e regjimit të Ramës: në politikën e brendshme punon për oligarkët, në politikën e jashtme punon për Vuçiçin. Aq fort është kapur Rama nga Vuçiçi, sa që ky i fundit bën edhe humor me kryeministrin e Shqipërisë, me batuta të hidhura që për temë kanë Kosovën, vendin ku para 20 vitesh qeveria e Vuçiçit ka kryer gjenocid”, deklaron VV.

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron peticion kundër mini-Shengenit:

“Si hap i parë, ne do të nisim punën për të përgatitur nga ana juridike dy peticione qytetare, për ta nxjerr Shqipërinë nga Zona e Novi Sadit dhe për të përcaktuar dhe zbatuar minimumin jetik si masë imediate kundër varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve”.

Deklarata

Në deklaratën e VV, thuhet:

Kundër vasalitetit nga jashtë dhe varfërisë nga brenda

Shqipëria së brendshmi është zhytur në varfëri e pabarazi ekstreme, së jashtmi është vendosur nën sqetullën e Serbisë. Këto janë dy dimensionet e regjimit të Ramës: në politikën e brendshme punon për oligarkët, në politikën e jashtme punon për Vuçiçin. Aq fort është kapur Rama nga Vuçiçi, sa që ky i fundit bën edhe humor me kryeministrin e Shqipërisë, me batuta të hidhura që për temë kanë Kosovën, vendin ku para 20 vitesh qeveria e Vuçiçit ka kryer gjenocid.

Nga projekte si Zona e Nova Sadit fitojnë oligarkët e importit, mafia ballkanike dhe Serbia. Ky projekt e vendos Shqipërinë nën dominimin ekonomik e politik të Serbisë, e largon nga interesat kombëtare dhe rrit pabarazinë dhe varfërinë. Ata që mbrojnë Zonën e Novi Sadit në Shqipëri janë politikanë që kanë braktisur kombin dhe Europën. Ata synojnë konsolidimin e pushtetit duke u afruar me Serbinë. Ndërkohë, Serbia ështe vendi i vetëm i rajonit që blen armatim kinez, që strehon baza ruse, dhe është pjesë e Unionit Ekonomik Euroaziatik, me qendër në Moskë. Afrimi i Shqipërisë me sferën kinezo-ruse sjell fitim për pak pushtetarë, bashkë me satelitët e tyre mediatikë dhe tajkunët ekonomikë, por jo për qytetarët e bizneset prodhuese të Shqipërisë, që bëhen edhe më të varfër.

Raporti i fundit i OKB-së për Shqipërinë dëshmon se gati gjysma e popullsisë jeton në varfëri, ose e rrezikuar për t’u zhytur në varfëri. Qytetarët nuk po dalin nga varfëria as kur në letër rritet ekonomia, sepse në Shqipëri ka një pabarazi të strukturuar.

Të ardhurat e kësaj ekonomie po përqëndrohen te oligarkia. Situtata është sa e padrejtë aq edhe alarmante. Shqipërinë po e zhysin në mjerim këta pushtetarë e oligarkë të pangopur, që po lidhen gjithnjë e më shumë me Serbinë. Ata duan të kopjojnë modelin autokratik e oligarkik që përfaqëson Vuçiçi dhe Putini.

Së brendshmi, prej gati një dekade, Qeveria e Shqipërisë nuk e mat më as varfërinë, as pabarazinë, dhe po refuzon të përcaktojë e zbatojë me ligj minimumin jetik.

LEXO EDHE  Gjendet i pajetë një person në Elbasan

Përcaktimi i minimumit jetik do të kishte efekt të menjëhershëm te rritja e pagës minimale, rritja e pensioneve minimale dhe rritja e asistencës sociale. Do të ishte një masë zbutëse, por e domosdoshme për lehtesimin e vuajtjeve të njerezve që jetojnë në varfëri.

Rritja e tregtisë me Serbinë e rrit fitimin për disa tregtarë të mëdhenj, por më shumë rrit varfërinë dhe pabarazinë për ne të tjerët. Serbia e dominon tregtinë me Shqipërinë me një shumë që i tejkalon 120 milion Euro në vit. Raporti eksport-import mes Shqipërisë dhe Serbisë është gati 1 me 4 në dëm të Shqipërisë. Rritja e vëllimit tregtar me Serbinë e shkatërron edhe më shumë potencialin prodhues shqiptar dhe punësimin. Serbia investon dhe subvencionon industrinë, teknologjinë e bujqësinë e saj. Në Zonën e Novi Sadit, Shqipëria vetem sa zgjeron tregun e Serbisë, pa fituar asgjë.

Edi Rama po sillet si sundimtar feudal i Shqipërisë. Në mes të verës, kur parlamenti është në pushim, pa asnjë konsultim publik, pa miratimin e kuvendit dhe të qytetarëve, pa transparencë, nënshkruan marrëveshje me Serbine e Aleksandar Vuçiçit. Kujtojmë që kjo është Serbia që mohon gjenocidet dhe krimet që ka kryer ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të rajonit. Kjo është Serbia e bashkëpunëtorëve dhe trashëgimtarëve politikë të Milosheviçit, që ende e quajnë atë një udhëheqës të madh. Kjo është Serbia ekspansioniste që ka shpallur zyrtarisht projektin për zgjerimin e botës serbe në rajon, ndërkohë që mban të zhdukur 1600 persona nga lufta e fundit në Kosovë, dhe refuzon ta njoh pavarsinë e republikës së dytë shqiptare. Kësaj Serbie mund t’ia kënaqin orekset me projekte si “Zona e Novi Sadit” vetëm politikanë shqiptarë që janë të kapur prej saj.

Lëvizja VETËVENDSOJE! synon nxjerrjen e Shqipërisë nga “Zona e Novi Sadit” dhe futjen në rrugën e integrimit kombëtar dhe europian. “Zona e Novi Sadit” nuk mbështetet as nga Kosova, as nga Bosnje Hercegovina as nga Mali i Zi, të cilat janë të kërcënuara drejtpërdrejt nga politikat agresive të Serbisë. “Zona e Novi Sadit” nuk ka lidhje me Procesin e Berlinit!

Nga ana tjetër, si masë imediate ndaj rritjes galopante të varfërisë, ne kërkojmë përcaktimin ligjor dhe zbatimin e minimumit jetik në Shqipëri si politikë kundër varfërisë.

Edi Rama i ka eleminuar qytetarët nga vendimmarja për këto çështje jetike për vendin. Ne angazhohemi që vendimmarrja t’i kthehet qytetarëve. Si hap i parë, ne do të nisim punën për të përgatitur nga ana juridike dy peticione qytetare, për ta nxjerr Shqipërinë nga Zona e Novi Sadit dhe për të përcaktuar dhe zbatuar minimumin jetik si masë imediate kundër varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve.

I themi jo mini-shengenit të Serbisë, dhe kërkojmë caktimin e minimumit jetik për Shqipërinë. Kërkojmë zhvillim dhe integrim, kombëtar dhe evropian!