Projekti i Rilindjes Urbane është një nga projektet me më shumë tendera me probleme e klientelistë. Në 2 vitet e fundit rezulton se 40 milionë euro i janë dhënë kompanive të njohura për afërsinë me qeverinë dhe me tendera të klasifikuar me ‘flamur të kuq’. Në 6 nga 10 tenderat me probleme, fituese është shpallur kompania Fusha shpk.
Për Kryeministrin Edi Rama, projekti i ‘Rilindjes Urbane’ përbën gurin e kurorës të investimeve publike gjatë qeverisjes së tij.
Plani përfshinte një duzinë sheshesh të ngjashme për nga pamja, të cilët ishin të pranueshëm deri diku nga ana estetike, por aspak funksionale, sidomos në ditët e nxehta të verës.
Dhe, natyrisht, njëlloj si gurët e çmuar, këto investime luksoze, të përmbledhura në termin ‘Rikualifikim i qendrave urbane’, u kanë kushtuar qytetarëve shqiptarë dhjetëra milionë euro.
Pjesa më e madhe e këtij fondi është shpërndarë në pak duar, kryesisht në kompani të njohura për afërsinë me qeverinë ‘Rama’.
E, mbi të gjitha, nëpërmjet procedurave pa garë ose me garë të deformuar.
SYRI TV ka konsultuar të dhënat e prokurimeve publike mbi projektet e ‘Rilindjes Urbane’, në periudhën 2019-2021.
Në të paktën 10 tendera të kësaj kategorie ngrihet ‘flamuri i kuq’, një indikator i cili përdoret nga ekspertët e fushës për të ngritur dyshime mbi procedurat e prokurimit publik.
Po ashtu, nga tenderat e marrë me ‘flamur të kuq’, 6 prej tyre janë fituar nga kompania ‘Fusha’ shpk, e njëjta që u angazhua nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës për të ndërtuar kompleksin privat të kullave në territorin ku gjendej Teatri Kombëtar.
Lista e tenderave të dyshimtë të ‘Rilindjes Urbane’ për periudhën 2019-2021, nis pikërisht me një procedurë të fituar nga ‘Fusha’ shpk.
Në Gusht 2019, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpall rezultatet e tenderit për ‘Rikualifikimin Urban të Shëtitores ‘Naim Frashëri’ në Sarandë’.
Në tender morën pjesë 3 kompani dhe fituese u shpall ‘Fusha’ shpk, e cila kishte paraqitur ofertën më të lartë, në shifrën 562 milionë lekë të reja ose rreth 5 milionë euro.
Dy muaj më pas, në Tetor 2019, kompania e Shkëlqim Fushës fiton tenderin e organizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për ‘Vazhdimin e shëtitores së Vlorës nga Fusha e Sportit deri tek Tuneli’.
Kompania fituese paraqiti ofertën 385 milionë lekë të reja, e cila, megjithëse nuk ishte më e ulëta, sërish rezultoi e suksesshme.
Në Tetor 2020, ‘Fusha’ fiton sërish një tender të identifikuar me ‘flamur të kuq’, në procedurën e zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për ‘Rigjenerimin urban të shëtitores bregdetare ballore të Vlorës’.
Fituesi paraqiti ofertën 645 milionë lekë të reja, e cila sërish nuk ishte oferta më e ulët.
Po në të njëjtin muaj, pra në Tetor 2020, shoqëria ‘Alba Konstruksion’ fiton tenderin e zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për ‘Rikualifikimin dhe sistemimin e lumit Gjanica në Fier, faza e dytë’.
‘Alba Konstruksion’ paraqiti ofertën 525 milionë lekë të reja, e cila ishte e treta më e lartë. Megjithatë, në fund tenderi shkoi për atë.
Në vijim, në Dhjetor 2020, kompania ‘2T’, për të cilën ka akuza publike se ka ndërtuar pallatin e familjarëve të Linda Bashës, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama, fiton tenderin për ‘Rikualifikimin Urban në Vlorë dhe ndërtimi i argjinaturës për mbrojtjen nga Vjosa në Novoselë’.
Në tender merrnin pjesë 9 kompani dhe shoqëria ‘2T’ paraqiti ofertën financiare me vlerë 442 milionë lekë të reja.
Para saj ishin tre kompani të tjera, të cilat, pasi u skualifikuan nga zyrtarët e Fondit të Zhvillimit, i hapën rrugë shoqërisë ‘2T’ që të shpallej fituese.
Po në Dhjetor 2020, rikthehet sërish ‘Fusha’ shpk me një tender me ‘flamur të kuq’.
Fondi i Zhvillimit organizon tenderin për ‘Rikualifikim urban të zonës turistike Golem, në Kavajë’.
Në tender marrin pjesë rreth 10 kompani. ‘Fusha’ shpk paraqet ofertën 556 milionë lekë të reja. Disa shoqëri të tjera, të cilat ofronin një shifër më të ulët për shërbimin, u skualifikuan, duke i hapur sërish rrugën e fitores biznesit të Shkëlqim Fushës.
Në mesin e muajit Dhjetor 2020, bashkimi i operatorëve ‘SMO dhe Ndërtuesi 2014’ shpallen fitues të tenderit ‘Ndërhyrje e integruar për përmirësimin e aksesit në Alpet e Shqiptare’.
Ky bashkim operatorësh paraqiti ofertën rreth 230 milionë lekë të reja, e cila nuk ishte më e larta. Megjithatë, ‘SMO dhe Ndërtuesi 2014’ u shpallën fituese, pasi kompanitë me ofertën më të ulët u skualifikuan nga gara. /Syri Tv/