“Shpifje” ndaj Bashës, arsyet përse Veliaj përfundoi në Gjykatën Speciale

Gjate seances se zhvilluar sot ne Gjykaten e Larte

Nga Boldnews.al

Padia penale për shpifje që ka ngritur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, do të shqyrtohet nga Gjykata e shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).

Ky vendim u mor nga Gjykata e Lartë këtë të Martë (dt.27.07.2021), e cila rikonfirmoi edhe njëherë përcaktimet e Kodit të Procedurës Penale të vitit 2017, në të cilat parashikohet se çdo vepër penale e kryer nga zyrtarët e nivelit të lartë, përfshirë kryetarët e Bashkive, do të shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme-GJKKO.

Shqyrtimi i kësaj çështje në Gjykatën e Lartë provoi se edhe Gjykata Speciale, e krijuar pas Reformës në Drejtësi, duket se e ka të vështirë të përballojë proceset kundër funksionarëve të lartë qeveritarë, edhe kur ndaj tyre ekzistojnë akuza të lehta penale, siç konsiderohet “Shpifja”.

GJKKO, pak kohë më parë, ka pranuar një çështje të ngjashme dhe tashmë ka nisur shqyrtimin gjyqësor.

Por, në rastin e padisë penale për “Shpifje” të Bashës ndaj Veliajt, trupa gjykuese e GJKKO kërkoi ta largonte nga përgjegjësia e saj, duke kërkuar nga Gjykata e Lartë që ta dërgonte çështjen për shqyrtim në gjykatën e Tiranës.

Konflikti ligjor & Argumentat

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila mori në shqyrtim padinë penale për “Shpifje” të Bashës kundër Veliajt në Tetor 2020, iu drejtua Gjykatës së Lartë për konflikt kompetence, duke pretenduar se rasti duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës.

Gjykata e Lartë, me një vendim unifikues të Kolegjit Penal, vendosi të caktonte GJKKO-në si gjykatën kompetente, duke pranuar në këtë mënyrë qëndrimet e shprehura në seancë nga Indrit Sefa, avokati i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Të njëjtin qëndrim, pra që rasti të shqyrtohej nga GJKKO, u mbajt në seancë edhe Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e cila u përfaqësua në proces nga drejtuesi i saj, Arben Kraja.

Avokati Sefa këmbënguli para trupës gjykuese se kompetente për shqyrtimin e padisë penale kundër Erion Veliajt është Gjykata e Posaçme.

Ai argumentoi parashikimet ligjore, kryesisht ato të Kodit të Procedurës Penale, të mbështetura edhe nga një vendim i mëhershëm i Gjykatës Kushtetuese për gjykatën kompetente që do të shqyrtojë akuzat penale ndaj zyrtarëve të lartë.

I gjithë debati gjyqësor u përqëndrua tek analizimi juridik dhe sintaksor i termave “akuza publike” dhe “akuza private”.

Për GJKKO-në, e cila ngriti konfliktin e kompetencës, si edhe për përfaqësuesit e Veliajt, padia për “Shpifje” e Bashës ndaj kryebashkiakut të Tiranës është “akuzë private”, pasi është ngritur nga individ dhe jo nga prokuroria.

Dhe, sipas tyre, me të njëjtën logjikë, “akuzat private” ngrihen kundër individit dhe jo kundër zyrtarit.

Përfaqësuesi ligjor i kryedemokratit Basha e kundërshtoi këtë pretendim

Sipas avokatit Sefa, “kompetenca e gjykimit të funksionarëve publikë, e cila më parë ishte kompetencë e Gjykatës së Lartë (juridiksion fillestar), pas ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale me ligjin 35/2017, i kaloi Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Ai vuri në dukje se, para ndryshimeve të vitit 2017, ligjvënësi parashikonte “veprat penale” të kryera nga subjektet e posaçëm. Më tej, ligji parashikon “akuza penale”.

LEXO EDHE  Gjendet një person i pajetë te Mbikalimi i Patokut

Po, sipas tij, “dispozitat e Kodit të Procedurës Penale që normojnë ushtrimin e funksioneve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme pranë kësaj gjykate në gjykimin e akuzës penale ndaj funksionareve publike, nuk e kufizojnë gjykimin e tyre vetëm me shqyrtimin “akuzës publike” dhe as përjashtojnë “akuzën private”, por, kanë përcaktuar ne kompetence lëndore te asaj gjykate te gjithë “akuzat penale” pa përjashtim, ne ngarkim të tyre, natyrisht kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës”.

Për avokatin Indrit Sefa, “procesi gjyqësor penal fillon në bazë të depozitimit në Gjykatë të kërkesës së prokurorit ose me kërkesë të viktimës akuzuese…

Pavarësisht mënyrës së fillimit të procesit gjyqësor,  “Prokurori merr pjesë në gjykimin e këtyre çështjeve dhe, sipas rastit, kërkon dënimin e të pandehurit ose pafajësinë e tij..”, theksoi avokati.

Pra, siç argumentoi avokati, ndarja mes termave “akuzave publike” dhe “akuzave private” nuk ndryshon asgjë në thelbin e kompetencave, pasi në çdo rast bëhet fjalë për akuzë penale ndaj zyrtarit, ku në çdo rast është parashikuar edhe pjesëmarrja e prokurorit.

Nga ana tjetër, edhe Gjykata Kushtetuese, me një vendim të vitit 2008, ka theksuar se “ …si akuza publike ashtu edhe akuza private të parashikuara nga legjislacioni procedural penal janë dy mekanizma që shërbejnë për ndjekjen penale të autorit të veprës penale dhe në asnjë rast ato nuk kanë për qëllim eliminimin e njëra tjetrës”.

Gjykata Kushtetuese rithekson se në asnjë rast akuza publike nuk mund të shmanget. “Ajo ushtrohet sa herë që prokuroria krijon bindjen se vepra e kryer cenon rendin publik apo interesin e shoqërisë. Këtë prokuroria e bën edhe duke ndërhyrë në procesin e iniciuar nga i dëmtuari akuzues”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Pasi dëgjoi palët, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi që të caktojë Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si kompetente për shqyrtimin e padisë për “Shpifje” të kryedemokratik Lulzim Basha kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në një njoftim të publikuar nga zyra e shtypit e Gjykatës së Lartë thuhet se: “Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kompetente për shqyrtimin e akuzave penale, në të cilat akuza në gjykim përfaqësohet nga prokuroria si dhe për gjykimin e akuzave penale të viktimës akuzuese, të ngritura ndaj një subjekti të posaçëm, sipas nenit 59 të K.Pr.Penale”.

Në lidhje me çështjen, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi:

“Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lendore ndërmjet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shqyrtimin e çështjes penale me nr.227/2021 Regj.Them, datë regjistrimi 30.03.2021 me viktimë akuzuese Lulzim Basha, kundër të akuzuarit Erion Veliaj për veprën penale “Shpifja” parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, duke përcaktuar Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Pare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes”.