Nga Vladimir Karaj/ BIRN
I pyetur në korrik 2014 në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë nëse do të vijonte të pranonte dhurata, gjyqtari Ken Dhima ishte sfidues. “Mallkimi më i madh është që të jetë i varfër një njeri. Si s’do t’i pranoj? Çfarë ka? Unë nuk e kam të ndaluar me ligj?”, tha ai para KLD-së që votoi në shumicë kundër shkarkimit të tij të propozuar nga Ministri i Drejtësisë.
7 vjet më vonë në një seancë dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhuratat që ai kishte pranuar nuk u cilësuan kaq të pafajshme. KPK tha se nga hetimet kishte rezultuar se Dhima kishte shqyrtuar një çështje ndaj R.H, një person që i kishte dhuruar një makinë me vlerë 700 mijë lekë. Komisioni përmendi, në të njëjtën linjë, si gjetje marrëdhëniet me A.D dhe një kompani nën administrimin e tij, që i kishte huazuar Dhimës për një periudhë të gjatë dy makina me vlerë 45 mijë euro pa kundërshpërblim dhe më pas kishte gjykuar çështje ndaj tyre. Të dyja raste u cilësuan si raste të dyshuara konflikti interesi dhe shkelje të etikës.
Dhima, i cili i kishte sjellë KPK-së një raport mjekësor në orën 9.30 të ditës së martë, nuk qe i pranishëm të sqaronte marrëdhëniet. Ai po ashtu, siç vuri në dukje trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Suela Zhegu, nuk ishte përgjigjur për asnjë prej gjetjeve që i ishte kaluar si barrë prove dhe nuk kishte caktuar avokat. Bekteshi tha se raporti i Dhimës nuk ishte parë si arsye e mjaftueshme për të shtyrë seancën dhe i kaloi fjalën koleges Qirko, e cila lexoi për mbi një orë gjetjet e hetimit.
Gjyqtari sipas Komisionit rezultonte me një bilanc negativ prej 60.5 milionë lekësh dhe me një sërë problemesh të tjera, përfshi ato që KPK i cilësoi përpjekje për të fshehur dy pasuri që sëbashku kushtonin më shumë se 300 mijë euro.
Dhima e ka filluar karrierën në vitin 2003 në Gjykatë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vitin 2004 ai është transferuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2013, Dhima është emëruar në Gjykatën Administrative Vlorë.
Hallet e vjetra
Në vitin 2014, sëbashku me bashkëshorten Klorinda Çela – gjithashtu me profesion gjyqtare, Dhima u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë për Kontrollin dhe Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktiti të Insteresit, ILDKPKI, për fshehje pasurie.
Pas kallëzimit të ILDKPKI në Prokurori, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço u kërkoi anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të votonin për shkarkimin nga detyra të bashkëshortëve, por kërkesa e tij u refuzua nga KLD në korrik 2014. Pas vendimit të KLD-së edhe prokuroria i pushoi hetimet ndaj dy subjekteve.
Por kjo nuk ndryshoi qëndrimin e ILDKPKI e cila siç doli në relatim kishte sjellë në KPK një raport negativ, në të cilin Dhima akuzohej për fshehje pasurie dhe pamundësi financiare. E vetmja pikë në të cilën ILDKPKI nuk kishte gjetur shkelje ishte konlfikti i interesit.
Kjo ndryshoi në seancën dëgjimore në të cilën relatorja Qirko, u detyrua disa herë të ndalonte e merrte frymë ndërsa lexonte për transaksione dhe hyrje e dalje të ardhurash të komplikuara, që Komisioni i kishte vlerësuar të dyshimta.
Relatorja tha se të dy transaksionet ai i marrjes dhuratë të Bencit në vitin 2009 dhe ai i huapërdorjes pa kundërshpërblim të dy makinave Audi me vlerë 45 mijë euro prej vitit 2015 e në vijim, ishin të dyshuara për konflikt interesi dhe shkelje të etikës. Ajo tha se të dy personat e tretë të përfshirë në transaksione kishin pasur çështje në gjykatë me Dhimën.
R.H e kishte bërë dhuratën pas vendimit penal të Dhimës në vitin 2008 kur ai ishte i akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërsa A.D dhe kompania e tij i kishin nënshkruar kontratat e huapërdorjes para se Dhima të shqyrtonte padinë e tyre ndaj ISSH-së. Qirko tha se në rastin e dytë kishte po ashtu edhe dyshime se makinat që përdoreshin nga Dhima prej një kohe të gjatë ishin pasuri e fshehur.
Njësoj KPK ngriti dyshime se ishin pasuri të fshehura një apartament i blerë në Shëngjin nga Dhima, i cili kishte paguar edhe një këst 50 mijë euro për këtë pasuri. Ky i fundit pretendonte se kishte nënshkruar një kontratë e cila më pas do i kalonte të vëllait, i cili në atë moment nuk kishte qenë në Shqipëri. Por KPK tha se hetoi dhe gjeti se vëllai i Dhimës kishte dalë nga Shqipëria për herë të parë disa muaj pas nënshkrimit të kontratës.
Komisioni tha se megjithë barrën e provës Dhima nuk dha shpjegime mbi këtë pasuri dhe dyshimet rreth saj.
Në një situatë të ngjashme rezultuan edhe disa njësi shërbime me sipërfaqe 188 metra në zonën e Don Boskos në Tiranë. Dhima kishte marrë një kredi 10 milion lekë për blerjen e njësive, bashkëshortja kishte paguar nga llogaria e kredisë këstin përkatës, por në kontratë blerës rezultonte vëllai i bashkëshortes.
Nga kontratat rezultonte se Dhima ishte garantues në kontratën mes kompanisë ndërtuese dhe kunatit dhe merrte përsipër të paguante detyrimin e mbetur në rast se kunati nuk ia dilte me këstet. KPK tha se kishte dyshime për pasuri të fshehur dhe se nuk iu vunë në dispozicion dokumentet që tregonin pagesat e kësteve të tjera dhe as se si kishte vijuar marrëdhënia.
Transaksione, hua e dhurata të pashpjeguara
Relatorja e dosjes tha në fund të leximit të gjatë se pas analizës financiare Dhima dhe bashkëshortja po ashtu gjyqtare Klorinda Çela, rezultonin me bilance negative në shumicën dërrmuese të viteve për të cilat ishin rivlerësuar.
Qirko vuri në dukje se për apartamentine parë të blerë prej çifitit në vitin 2005 për 74 mijë euro, mungonin burimet për pagesën e këstit të parë. Sipas relatores vetë Dhima nuk kishte deklaruar kursime në vitet pararendëse dhe të ardhurat e deklaruara se kishin shërbyer për blerjen nuk dokumentoheshin.
Njësoj të paprovuar KPK gjeti një hua nga A.Ç. Komisioni nuk tha nëse bëhej fjalë për kunatin me të njëjtat iniciale, por tha se personi në fjalë i kishte dhënë gjyqtarit dhe të shoqes 2 milion lekë hua për këtë apartament. Huaja ishte deklaruar nga Dhima, por në asnjë moment nuk ishte deklaruar nëse ajo ishte shlyer.
Përndryshe i njëjti person rezultonte se kishte marrë nga gjyqtari një njësi shërbimi me qira, për të cilën paguante 172 mijë lekë në muaj. Qirko tha se ndërsa gjyqtari nuk i kishte kthyer A.Ç detyrimin marrëdhënie e qirasë dhe deklarimi i të ardhurave prej saj nga gjyqtari ishin të dyshimta. “Është një marrëdhënie ekonomike jo llogjike”, tha Qirko.
Ngjashëm relatorja vuri në dukje raportet me një tjetër apartament, i blerë me ndihmën e vjehrrit i cili i kishte të ardhurat nga një vendim gjyqësorë. Komisioni tha se Dhima nuk kishte kthyer përgjigje për barrën e provës dhe nuk kishte dhënë shpjegime.
Komisioni gjeti problematike edhe të ardhurat e përfituara si dhurata, hua apo si sposorizime. Sipas Komisionit bëhej fjalë për disa dhjetëra mijëra euro, për të cilat gjyqtari nuk kishte dhënë shpjegime dhe nuk kishte provuar as burimin e të ardhurave të personave të lidhur.
Blerja e dy garazheve po ashtu u gjet problematike. Dhima sipas KPK-së kishte deklaruar si burim kursimet, por nga hetimi rezultoi se nuk ishte deklaruar pakësim i tyre në vitin përkatës. Dy njësi shërbimi që më pas ishin lëshuar me qira po ashtu kishin probleme me burimet e krijimit.
Në fund të seancës Bekteshi tha se Dhima kishte refuzuar të jepte shpjegime, kishte refuzuar të ishte i pranishëm në seancë dhe nuk i ishte përgjigjur pyetësorëve të dërguar nga Komisioni. Bekteshi tha se trupa kishte vendosur të vijonte procedurën e rivlerësimit pavarësisht qëndrimit të gjyqtarit. Ajo tha se vendimi për Dhimën do të shpallej në 29 korrik në orën 9.45.