Një lobist libanez ka zbuluar vizitën e Presidentit Ilir Meta, dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vizita në fjalë nuk është njoftuar zyrtarisht as nga Meta dhe as nga Kryemadhi, edhe pse Presidenti ka qenë shumë aktiv në rrjetet sociale, dhe pothuajse ka reaguar për çdo zhvillim apo ngjarje, politike ose jo.
Me shumë gjasë, vizita në SHBA e Metës dhe Kryemadhit ka ndodhur pas asaj në Budapest, ku ata ishin prezent. Vizita e Presidentit në Hungari është zhvilluar mes datave 17-18 korrik, ndërsa referuar fotove që janë publikuar në rrjet nga lobisti libanez, dy ditë më pas ai ka qenë në SHBA.
Fotot janë publikuar nga lobisti Safi Kaskas, 5 ditë më parë, pra më 20 korrik, ku në krah të tij shfaqen Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, por edhe bashkëshortja e Kaskas.
Kaskas shkruan në postimin e tij se është ftuar nga çifti presidencial për të vizituar Shqipërinë.
“Unë dhe gruaja ime patëm një takim shumë produktive këtë mëngjes me Presidentin e Shqipërisë Shkëlqesia e Tij Ilir Meta dhe gruan e tij Monika Kryemadhi. Ne u dhuruam atyre një kopje të librit tim Kur’ani me Referencat në Bibël. Zonja e Parë e Shqipërisë e donte librin dhe u angazhua për ta përkthyer atë në shqip me një grup studiuesish. Ata gjithashtu na ftuan t’i vizitojmë ata në Shqipëri për të festuar fillimin e përkthimit të librit”, shkruan Kaskas.
Ky i fundit është një menaxher ekzekutiv dhe një strateg me më shumë se 40 vjet përvojë me bazë të gjerë në planifikimin strategjik, udhëheqjen dhe etikën e biznesit, me një theks në menaxhimin strategjik në korporatat dhe botët akademike.
Ai ka udhëhequr korporata të mëdha dhe kompani tregtare dhe ka pionieruar angazhime të shumta të suksesshme këshilluese fillestare për klientët në fushat e tregtisë dhe industrisë si në Shtetet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite.