Vasili: Reforma në Drejtësi një gjueti shtrigash

Në lidhje të drejtëpërdrejtë me edicionin e orës 17.00 në Syri Tv, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, duke komentuar 5 vjetorin e Reformës në Drejtësi e cilësoi ndër të tjera këtë reformë si një gjueti shtrigash.

Ai tha se kjo reformë u përdor kundrejt disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë qetësisht detyrën paçka se pasuria e tyre është ku e ku më e madhe.

Sot parti sërish një përvjetor të Reformës në Drejtësi.

Jam shumë i keqardhur se si është katandisur kjo reform pas disa vitesh, kjo edhe si një nga anëtarët e Reformës në Drejtësi, ku pashë sot një ceremoni që m’u duk si një përshpirtje.

Pra ishte sikur ishin mbledhur si të qanin një reformë në drejtësi që nuk lindi dot në vend që të flisnin për një Reformë në Drejtësi që duhet të ishte konturuar pothuajse në të gjitha aspektet e saj si Kushtetuese dhe në afatet e saj.

Sot kemi një fakt kokëfortë. Sot në Shqipëri nuk kemi asnjë gjykatë të vetme që funksionon me kapacitetin e duhur që të mund të përballojë me fuqinë e duhur dhe me cilësin e duhur.

Në vend të saj kemi gjykata të përgjysmuara.

Që nga Gjykata Kushtetuese e poshtë që janë të sakatuara dhe jo funksionale.

Produkti i vetëm, që nëse qytetarët nuk kanë ndonjë të mirë, është fakti kokëfortë që vetëm në Gjykatën e Lartë janë mbi 30 mijë dosje të akumuluara dhe në sistemin gjyësor në të gjitha nivelet e gjykatave të tjera janë rrth 70 mijë dosje të tjera.

Pra janë 100 mijë çështje që presin përgjigje.

Mënyra se si sistemi është katandisur nuk jep shpresë që shumica prej tyre nuk do kenë shpresë as në gjallje të tyre tu preket dosja.

E gjithë reforma në drejtësi, rezultati i saj është katandisur në largimin e 200 gjyqtarëve.

Thelbi nuk ka qenë spastrimi, por ringritja e një drejtësie me integritet të lartë, cilësisht të re, të bazuar mbi një bazament ligjor, ku nuk do të kishte më interpretim, por zbatim të ligjit.

Por sot 63 përqind e shqiptarëve nuk e besojnë më këtë reformë.

Ndërkohë që shumica dërrmuese e të larguarve nga Reforma në Drejtësi, 95 përqind janë larguar për kriterin e pasurisë.

Pra Komisioni i Vettingut është kthyer në një ILDKP  të dytë.

Ndërkohë që Vettingu nuk kishte pasurinë si kriter të parë.

Por ishte për të pasur gjyqtarë që do të vlerësoheshin për treguesit profesionalë, për integritetin e vendimeve që kishin dhënë, si edhe për integritetin e figurës së tyre dhe e treta për pasurinë e tyre.

Ndërkohë që ka degraduar në një nivel gjuetie shtrigash, sepse ne patëm gjyqtarët që kanë ikur për 1 milion lekë të vjetra ndërkohë që gjyqtarë si Adrian Dvorani që për 100 mijë e kusur euro të padeklaruara vazhdojnë të qetë, të emërohen në Këshillin e Drejtësisë.

Pra edhe treguesi për 200 largime nuk i bën nder kësaj reforme që në thelb ka dështuar’, tha Vasili.