Këto fshatra italiane ju paguajnë 28,000 euro për të jetuar atje/ Ja kushtet që duhet të plotësoni

Keni ëndërruar ndonjëherë të hapni një butik artizanal dhe të jetoni në një fshat idilik në jug të Italisë, ku është ngrohtë pothuajse gjatë gjithë vitit – dhe të paguheni për këtë gjë?

Për ata që janë të gatshëm, së shpejti nuk do të jetë më vetëm një ëndërr!

Rajoni i Kalabrisë planifikon të ofrojë deri në 28,000 € (për maksimumi 3 vjet) për njerëzit që dëshirojnë të zhvendosen në fshatra të përgjumura me 2,000 banorë, me shpresën e rigjallërimit të jetës. Këto fshatra përfshijnë vendndodhje afër detit ose në mal – ose të dyja.

Megjithatë, këto para nuk do të jepen kot. Për të marrë fondet, banorët e rinj duhet të angazhohen për të filluar një biznes të vogël, qoftë nga e para ose duke marrë oferta ekzistuese për profesionistë të veçantë të kërkuar nga qytetet.

Ka edhe disa kushte të tjera.

Aplikantët duhet të marrin vendbanimin dhe të jenë maksimumi 40 vjeç. Ata duhet të jenë të gatshëm të zhvendosen në Kalabri brenda 90 ditëve nga konfirmimi i aplikimit të tyre.

Shpresohet që oferta të tërheqë të rinjtë aktivë të etur për të punuar.

Gianluca Gallo, një këshilltar rajonal, thotë për CNN se të ardhurat mujore mund të jenë në kufijtë e 1,000 – 800 € për dy deri në tre vjet. Përndryshe, mund të ketë një financim të vetëm për të mbështetur fillimin e një aktiviteti të ri tregtar – qoftë restorant, bar, fermë rurale ose dyqan.

LEXO EDHE  Donald Trump ‘ i pandreqshëm’, ja kërkesa e çuditshme që iu bën zyrtarëve të lartë të Departamentit të Drejtësisë

“Ne duam që ky të jetë një eksperiment i përfshirjes sociale. Të tërheqim njerëz të jetojnë në rajon, të shijojnë mjediset, të shfrytëzojnë vende të papërdorura të qytetit. Turizmi i pasigurt dhe shtëpitë me një euro nuk janë mënyrat më të mira për të rimodeluar jugun e Italisë”, -thotë Gianpietro Coppola, kryetari i bashkisë së Altomonte, i cili kontribuoi në këtë skemë.

Projekti “të ardhura aktive nga rezidenca” dhe procesi i aplikimit pritet të nisin në internet në javët e ardhshme. Rajoni ka punuar për të për muaj me radhë dhe ka caktuar më shumë se 700,000 € për projektin.

Rajoni i Molise dhe qyteti Candela, në Puglia, kanë miratuar skema të ngjashme në vitet e kaluara si një alternativë për shitjen e shtëpive të shkatërruara për 1 euro.

Mbi 75% e qyteteve të Kalabrisë – afërsisht 320 – aktualisht kanë më pak se 5,000 banorë, duke çuar në frikën se disa komunitete mund të vdesin plotësisht brenda pak vitesh nëse nuk ndodh rigjenerimi.

Ndërsa udhëtimet globale rinisin dhe Italia mirëpret turistët, vizita në rajon këtë verë mund të jetë një mënyrë e mirë për të marrë një ndjesi të jetës së fshatit në Kalabri.