Dy muaj pas dorëheqjes, Sahit Dollapi fiton tenderin 200 mijë euro nga Erion Veliaj

Dy muaj pas dorëheqjes nga posti i Sekretarit Organizativ në PD, Sahit Dollapi ka fituar një tender të majmë nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, një institucion në varësi direkt nga Erion Veliaj.

Për vite me radhë, Dollapi ka qenë në postet drejtuese të PD-së, ndërkohë ka qenë drejtor edhe kur PD-ja ishte në pushtet. Por, aktualisht prej disa javësh, Dollapi po mban një profil të ulët në PD, teksa po ia ndjen lezetin parave të pushtetit. Në fakt, Dollapi ka marrë vazhdimisht tendera nga Bashkia e Tiranës, nëpërmjet kompanisë së tij “ONYX”, edhe gjatë kohës që ai shfaqej në media si tepër i revoltuar ndaj pushtetit 8-vjeçar të Partisë Socialiste. Nga njëra anë opozitar dhe nga ana tjetër bashkëpunëtor.

Në muajin maj 2021, disa javë pas zgjedhjeve të 25 qershorit të humbura nga Partia Demokratike, Sahit Dollapi u dorëhoq nga posti si Sekretar Organizativ në Partinë Demokratike.

LEXO EDHE  Plagosja në Shkodër, dyshimet se u qëllua gjatë një operacioni policor/ Çfarë ndodhi?

Një dorëheqje e thatë, nga ato që duket se mban përgjegjësi për rezultatin dhe pranon fitoren e kundërshtarit. Vendim në drejtim të kundërt me lidershipin e PD, që pretendon se vjedhjet e 25 qershorit janë blerë dhe vjedhur nga mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama. Por, Dollapi ka pranuar këtë rezultat dhe brenda disa muajsh ka marrë “shpërblimin”. Sipas dokumenteve që disponon BoldNews, kompania e tij “ONYX”sh.p.k është shpallur fituese e një tenderi me objekt “hapje, zhbllokim pusetash”.

Fondi për këtë tender është 19.993.590 lekë, me TVSH mbi 200 mijë euro. Në dokument thuhet se fiton tenderin oferta më e ulët. Por, dokumentet ishin qepur mjaft mirë, pasi kushtet i përmbushte vetëm Sahit Dollapi. Pra, kompania e tij “ONYX” garoi me veten e saj dhe u shpall fituese. Duket se rezultati i 25 qershorit po i shkon më përshtat Sahit Dollapit, pasi po fiton miliona lekë nga “kundërshtarët” e tij.