Nga BoldNews.al
Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes, Arben Dyla, pritet të përballet këtë të Mërkurë (21.07.2021) me gjetjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Procesi i rivlerësimi të tij është kryer nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli.
Dyla, i cili më herët ka qenë prokuror dhe drejtues i Prokurorisë në Mat, është transferuar në Lushnje prej vitit 2008 dhe ka rreth dy vjet që është në krye të kësaj strukture në qytetin myzeqar.
“Boldnews.al” ka konsultuar deklaratat e pasurisë ndër vite të prokurorit Dyla, bazuar në të dhënat e përftuara nga një kërkesë për informim drejtuar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Referuar të dhënave të formularëve, rezulton se Dyla renditet ndër të varfërit e sistemit të drejtësisë.
Prej vitit 2003, kur ka nisur plotësimin e formularëve të pasurisë e deri në vitin 2020, Arben Dyla deklaron vetëm të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes, si edhe kursime vjetore, të krijuara nga rrogat.
Në formularët e pasurisë, ai nuk deklaron të ketë në pronësi apartament apo llogari bankare.
Dyla deklaron se në vitin 2006 ka blerë një automjet Mercedez Benz, me vlerë 500 mijë lekë të reja.
Duket se jeta e tij ka qenë jo vetëm e thjesht, por edhe minimaliste, ndërkohë që, referuar formularëve të pasurisë, nuk kuptohet se ku ka jetuar, pasi nuk deklaron as pagesë qiraje.
Megjithatë, në formularin e pasurisë së vitit 2016, drejtuesi i Prokurorisë së Lushjes, Arben Dyla, ka vendosur një shënim të tillë:
“Në përdorim, apartament banimi me sipërfaqe 150 m2, e lënë si garanci nga z. Ardi Kollçaku, për shlyerjen e kontratës së huasë me garanci, dt.21.12.2016…”.
Ky shënim, i pashoqëruar me detaje të tjera, krijon një kakofoni mbi situatën reale të Dylës.
Ajo që kuptohet nga shënimi i prokurorit është se ka në përdorim një apartament 150 m2.
Nuk është e qartë se cili është pronari i këtij apartamenti, megjithëse duket se është shtetasi Ardi Kollçaku.
“Boldnews.al” kreu verifikime mbi personin “Ardi Kollçaku”. Në regjistrin e gjendjes civile rezulton të paktën 4 persona me këtë emër, njëri prej të cilëve biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit.
Megjithatë, është tërësisht e paqartë se cili është “Ardi Kollçaku” që i ka dhënë në përdorim apartamentin gjigand prokurorit Arben Dyla.
Për këtë person, prokurori Dyla nuk jep asnjë shpjegim se cila është marrëdhënie mes tyre dhe përse ai duhet të linte apartamentin 150 m2 në përdorim të prokurorit.
Gjithësesi, paqartësitë që karakterizojnë deklarimet e pasurisë së prokurorit Dyla, përfshirë raportet me “Ardi Kollçaku”, si edhe arsyet se përse i ka lënë në përdorim apartamentin, pritet që të sqarohen gjatë seancës dëgjimore para trupës së Vetingut.
Ndërkohë, ajo që duket qartë nga deklaratat e pasurisë është se prokurori i Lushnjes, Arben Dyla, nga një person pa shtëpi në pronësi, përdor një apartament shumë të madh, referuar standarteve normale në Shqipëri.