Ndarja me Vlorën/ Pse u konfrontua Rama me vlonjatët në Lungomare

“Guximi” i pronarëve të lokaleve në Lungomaren e Vlorës që mbajtën hapur Youtube dhe përçuan tingujt e muzikës edhe pas orës 22:00 mbrëmjen e të dielës, e alarmoi policinë lokale dhe u shoqërua me gjoba dhe dhunë fizike ndaj disa prej tyre. Urdhri i qeverisë ishte i qartë: pas orës 22:00 s’ka më muzikë.

Me mbërritjen e shefit të ri në qytet, policët qenë të prerë, megjithëse ankesat e bizneseve janë bërë publike prej disa ditësh.

As hileja për t’u sintonizuar të gjithë lokalet bashkë nën tingujt e himnit kombëtar, nuk funksionoi. Si çdo natë, policët u shfaqnë me bllokun e gjobave në dorë dhe ia nisën nga puna me gjobat e kripura.

Rezistenca ndaj rregullave të pandemisë që ua ndalon muzikën në orën 22:00 u ka kushtuar shumë para pronarëve të lokaleve të Lungomares. Të dielën në mbrëmje pati edhe përplasje fizike.

Një grua u rrah në mes të rrugës, ndërsa dy policë ia mbanin kokën ulur për ta “neutralizuar”, siç tregon video më lart. Skena ndodhi në Lungomare, ndërsa mijëra turistë ishin në rrugë ku dëgjoheshin ulërimat e gruas që kërkonte ndihmë. Dy kamarierën që sipas policisë bënë rezistencë, u shoqëruan në komisariat, bashkë me gruan e dhunuar.

Dhjetëra pronarë të bizneseve dhe punonjës të restoranteve u mblodhën para komisariatit të Vlorës. Deri në orët e para të mëngjesit ata protestuan duke kërkuar lirimin e të shoqëruarve. Policia i la të lirë të hënën në mëngjes.

Të hënën, lokalet e Vlorës në Lungomare ishin të mbyllura. Sërish në proteste për moslejimin e muzikës. Pronarët e bizneseve thonë se do të vazhdojnë ta kërkojë zgjatjen e orarit deri në orën 1 pas mesnate, pasi kjo është një kërkesë e vetë pushuesve.

Muzika si përçues i Covid-19

Qeveria shqiptare fillimisht doli me një teori të çuditshme për transmetimin e virusit nëpërmjet valëve muzikore. Ministri i Turizmit, Blendi Klosi mbrojti për herë të parë idenë se valët e muzikës janë përçuese të mira të virusit Sars-Cov-2, ndaj kjo është arsyeja se përse tingujt ishin të rrezikshëm. Klosi e korrigjoi deklaratën, por kjo ishte një dëshmi se ndalimi i muzikës ishte një masë e kopjuar shabllon nga vendet e tjera të botës, në kohën kur të gjithë u kapën në panik nga virusi.

LEXO EDHE  Raporti i OSBE-ODIHR dhe pushimet e Ramës me Alex Sorosin

Që nga koha kur muzika u ndalua me ligj, ka kaluar më shumë se një vit. Rregullat e pandemisë janë shkelur dhe keqpërdorur pa fund, përmes organizimeve masive në fushatë apo për kampionatin europian të organizuara edhe vetë nga socialistët. Për këtë arsye, zelli i policisë së Vlorës për t’u konfrontuar me bizneset në Lungomare duket i pavend.

Ndarja e Ramës me Vlorën

Kryeministri ishte për 8 vjet deputet i Vlorës. Për 8 vjet me radhë, Rama nuk e fshehu preferencën e tij për Vlorën duke mos i kursyer as investimet dhe as lavdet publike për votuesit e tij. Fakti që u përfshi në një konflikt të hapur me kryetarin e Bashkisë, Dritan Lelin, nuk duket të jetë i vetmi shkak për acarimin që ka shfaqur ndaj vlonjatëve ditët e fundit.

Në zgjedhjet e 25 Prillit, Rama kandidoi edhe në Durrës, edhe në Vlorë. Në qytetin ku kishte qenë deputet për 8 vite mori 11 mijë e 412 vota, ndërsa në Durrës mori 15 mijë e 47 vota.

Rama zgjodhi Durrësin, ndërsa po lë pas në Vlorë një situatë konfliktuale dhe përplasjesh me qytetarët. Në një reagim ku njoftoi zgjatjen me një orë të orarit të muzikës, Rama u duk të fliste me përçmim për muzikën që zgjedhin lokalet e Vlorës, duke shmangur krejtësisht kujdesin ndaj Covid si arsyeja kryesore e kësaj mase. “Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme” shkruajti kryeiministri, duke përmendur më pas shijet dhe preferencat e tij për mënyrën se si duhet pushuar dhe që nuk kanë lidhje me pandeminë.

“E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit. Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike” shkruajti Rama./Lapsi.al/