Meterologu i Meteoalb, Hakil Osmani ka dhënë parashikimin si do të jetë moti gjatë kësaj fundjave, si dhe mundësinë e prekjes së vendit tonë nga stuhia ciklonare që ka shkaktuar qindra viktima në Europën Qëndrore.
Osmani tha se në territorin shqiptar stuhia do të jetë e përmasave më të vogla, dhe do të godasë gjatë pjesës së dytë të së dielës dhe së Hënës, ndërkohë që nga e Marta pritet që të rikthehemi në normalitet.
Këto stuhi, sipas Osmanit, ndodhin për shkak të luhatjes shumë të madhe të temperaturave, ndërkohë që pjesa tjetër e muajit Korrik do të jetë me mot të qendrueshëm, dhe me temperatura që shkojnë deri në 36 gradë.
Qarku që pritet të ketë dhe sasinë më të madhe të reshjeve të shiut, sipas Osmanit, do të jetë Kukësi, ndërsa bregdeti do të jetë me mot disi më të qendrueshëm.
“Pritet që territori shqiptar të preket nga stuhia ciklonore që ka prekur Europën Qendrore. Kemi pasur përplasje të masave ajrore, duke krijuar stuhi të fuqishme, me reshje të konsiderueshme në Gjermani dhe në vendet e ulëta. Kemi pasur dhe reshje breshëri në këto zona, dhe një erë të fortë, që ka sjellë përmbytje.
Tashmë kjo stuhi ciklonare ka zbritur më poshtë në zonën e Alpeve, por me një ulje të forcës, kemi në këto zona reshje të konsiderueshme me një afat të shkurtër kohor, situata në vendin tonë do të jetë më e favorshme, do të preket të dielën dhe të hënën, kryesisht me intesitet të lartë në zonat malore, dhe me intesitet më të ulët në bregdet dhe në jug.
Kemi pasur dhe në territorin shqiptar një rënie të ndjeshme të temperaturave, që do të zbresin maksimumet deri në 33 gradë celsius, kjo rënie e menjëhershme e temperaturave do të sjellë mundësinë dhe e reshjeve të breshërit.
Zonat e ulëta dhe bregdetare do të ketë situatë më të favorshme, kryesisht në Kukës pritet të kemi reshje të konsiderueshme me mundësinë e problematikave lokale. Me mbrëmjen e të hënës kjo stuhi ciklonare do të largohet, dhe do të rikthehet moti i qendrueshëm.
Nga e marta pritet që ti rikthehemi normalitetit, pjesa tjetër e muajit Korrik do të ketë kushte të favorshme për pushuesit, me temperatura maksimale deri në 36 gradë celsius”, u shpreh Osmani në Fax News.