Kanceri i lëkurës, dermatologia: Kush duhet të ketë kujdes dhe çfarë duhet të bëjmë

Dielli, një burim i domosdoshëm për jetën, por njëkohësisht edhe i rrezikshëm dhe shkaktar i një sëmundjeje kërcënuese për jetën, siç është melanoma apo kanceri i lëkurës.

Ndonëse diskutimet e kohëve të fundit rrotullohen rreth dëmeve të tij estetike si njollat e lëkurës, plakja e parakohshme, ndryshimi i elasticitetit të lëkurës etj. Dëmi i vërtetë qëndron në shfaqjen e një forme tejet agresive të kancerit, i cili është i pashërueshëm në të shumtën e rasteve.

Dermatologia Amarda Cenko, e ftuar në emisionin “Rudina” e trajtoi edhe më qartë këtë problematikë, shkaqet e saj dhe kujdesi që duhet patur ndaj burimit të jetës që mund të shndërrohet lehtazi në një armik.

Ekzistojnë disa karcinoma të lëkurës pikërisht për shkak të ekspozimit pa kriter, pa mbrojtje për një periudhë të caktuar dhe të gjatë.

Rudina Magjistari: Çfarë është melanoma, një përmbledhje?

Amarda Cenko: Diskutimi për melanomën asnjëherë nuk do të jetë i mjaftueshëm sepse përbën një argument me rëndësi shumë të madhe për shëndetin publik. Është kanceri më malinj dhe më agresiv i lëkurës, është kanceri jetëkërcënues për individin që zhvillohet thjesht nga një zhvillim i pakoordinuar i qelizave melanocitike të lëkurës pas një transformimi gjenetik që kanë pësuar këto qeliza.

Rudina Magjistari: Një njeri që preket nga melanoma e ka të trashëguar, sa përqind mundësi ka që ta trashëgosh këtë sëmundje dhe nga ana tjetër, çfarë e shkakton melanomën në lëkurën tonë?

Amarda Cenko: Ekziston. Melanoma ka një bazë gjenetike, shpesh herë kur pacienti diagnostikohet me melanomë, mjeku thellohet edhe në strukturën gjenetike duke u bazuar në pyetjet informuese rreth familjarëve me histori të mëparshme të melanomës ose edhe të vetë individit për histori të formave të tjera të kancerit të lëkurës.

LEXO EDHE  Bilanci ditor i Covid/ 45 raste të reja, harta e infektimeve

Ekzistojnë faktorë ngacmues si ekspozimi ultraviolet në diell. Studimet dhe statistikat e ndryshme të bëra në 3 dekadat e fundit në nivel botëror kanë treguar një shtim të incidiencës së melanomës në popullatë, mbarëbotërore. Por ka një rënie në moshat e reja, ndërsa kjo nuk ndodh për moshat 50 vjeç e sipër.

Kjo ka një shpjegim sepse ka një ndërgjegjësim më të madh, vetë popullata lexon, sheh, është e informuar lidhur me ekspozimin në diell.

Rudina Magjistari: Personat që kanë lindur me nishane, a janë më të rrezikuar për të zhvilluar melanomë?

Amarda Cenko: Predispozitën për të zhvilluar melanomë e ka kushdo, ne nuk mund të jemi selektivë. Normalisht, ekzistojnë disa kritere që ndihmojnë mjekun për të kontrolluar një pacient, por edhe vetë personin që të jetë më i kujdesshëm.

Në informacionet që i janë dhënë popullatës i mëshohet faktit se personat që kanë numër të lartë nishanesh, lëkurë të bardhë apo me nuancë të kuqe të flokëve, bjondët, sybojqiell apo syjeshil përbëjnë atë pjesë të popullatës më të riskuar për të zhvilluar melanomë.