Për vrasjen, muaj më parë, të kunatës, nënë e tre fëmijëve në Löhne në rrethin Herford, një 48-vjeçar, shtetas i Kosovës është dënuar me 13 vjet burg.
Dënimi i është shqiptuar për veprën penale vrasje tinëzare dhe tentim vrasjeje si dhe dëmtime të rrezikshme trupore, raporton Agjencia Gjermane e Lajmeve, DPA.
Gjykata e Landit në Bielefeld ka konstatuar në procesin gjyqësor të mbajtur të hënën se në dhjetor të vitit 2020 personi tashmë i dënuar kishte qëlluar për vdekje kunatën e tij 33-vjeçare në banesën e gruas së tij, e cila ishte ndarë nga ai.
Përveç kësaj, ai gjithashtu kishte qëlluar edhhe vëllain e tij, transmeton albinfo.ch. Gjykata, krahas dënimit me 13 vjet burg ka urdhëruar gjithashtu që personi i sëmurë mendor të vendoset në një pavijon psikiatrik.
Personi në fjalë, i lindur në Kosovë, nuk ka marrë dënimin maksimal pasi është konstatuar se ka vepruar nën ndikimin e psikozës akute.
Kështu gjykata ka ndjekur masën e dënimit, të kërkuar nga prokurori publik.
Vendimi nuk është ende i plotfuqishëm. Mbrojtja mund të kërkojë një rishikim të aktgjykimit nga Gjykata Federale e Drejtësisë në Karlsruhe.
Kryetari i trupit gjykues Christoph Meiring ka theksuar gjatë gjykimit se 48-vjeçari kishte sjellë shumë vuajtje dhe dhimbje në familjen e tij dhe të vëllait të tij, përcjell albinfo.ch. Sidoqoftë, sëmundja nuk e justifikon atë, ka thënë Meiring.
Sulmi në dhjetor 2020 qe paraprirë nga një konflikt familjar që kishte vazhduar një kohë të gjatë. I akuzuari kishte pas ushtruar dhunë ndaj vëllait dhe babait që në vitin 2010.
Më vonë ai vuante gjithnjë e më shumë nga një mani e pabazuar e kërcënimit dhe helmimit nga gruaja e tij. Në vitin 2015 ai kishte goditur pa ndonjë arsye gruan ndërsa po ngiste një makinë.
Ngrindja e fundit dhe largimi gruas ka ndodhur në pranverën e vitit 2020. Pas kësaj, 48-vjeçari ka vazhduar të ndjehej i kërcënuar. Para aktit, ai ka thënë se duhej të përballej me një komplot nga familja dhe të afërmit e tij.
Gjatë aktit të vrasjes, sipas trupit gjykues, ishin zhvilluar skena dramatike me të shtëna drejt kunatës dhe vëllait të tij. Një plumb kishte goditur edhe vetë të akuzuarin përpara se ai të neutralizohej.