Prokurorja Riselda Fishta përballet me probleme për profesionalizmin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi dy masa disiplinore të dhëna ndaj prokurores së Lezhës, Riselda Fishta nga Prokurori i Përgjithshëm, prej nga janë konstatuar zvarritje hetimesh dhe mangësi të tjera procedurale, të cilat u pranuan pjesërisht nga subjekti i rivlerësimit me justifikimin se kishte qenë pa përvojë dhe në fillesat e ushtrimit të detyrës.

Prokurorja e Prokurorisë së Lezhës, Riselda Fishta u përball të hënën më 12 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës u relatuan gjetjet për të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Gjetjet për pasurinë dhe pastërtinë e figurës ishin pozitive dhe u relatuan në pak minuta – ndërkohë që për rreth dy orë u evidentuan probleme të shumta për profesionalizmin dhe dy masa disiplinore, për të cilat prokurorja Fishta dha shpjegime.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për prokuroren Riselda Fishta kryesohet nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa(Bungo) dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Riselda Fishta përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011. Ajo punon prej një dekade si prokurore në Prokurorinë e Lezhës.

Relatorja Tafa sqaroi në seancën e të hënës se nuk janë gjetur probleme në pjesën takuese ½ në një apartament dhe dy depozita të krijuara nga babai i subjektit në kohën kur ajo ishte në shkollë të mesme dhe në kur studionte ende në universitet – pasuri mbi të cilat Fishta e ka fituar pjesën takuese për shkak të trashëgimisë pasi i ati ka ndërruar jetë.

Gjithashtu, nuk janë gjetur probleme edhe në një apartament të blerë në vitin 2018 në Linzë të Tiranës kundrejt shumës 30 mijë euro, ku si burim kryesor ka shërbyer një kredi në vlerën 26 mijë euro. Tafa tha se ka rezultuar se subjekti ka pasur mundësi edhe për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2017.

Komisioni e ka gjetur të drejtë edhe raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për pastërtinë e figurës që ka konkluduar përshtatshmërinë e prokurores Fishta për të vazhduar detyrën.

Problemet profesionale

Relatorja Genta Tafa(Bungo) renditi një listë të gjatë problemesh të konstatuara nga dy inspektime, një i kryer nga Prokuroria e Përgjithshme dhe një prej Ministrisë së Drejtësisë, ku në të dyja rastet prokurorja Fishta është ndëshkuar me masë disiplinore vërejte, në një rast me paralajmërim për shkarkim.

Tafa sqaroi se subjektit i është kaluar barra e provës për dy prej pesë dosjeve të shortuara, ku për një procedim të vitit 2014 nuk është kryer asnjë veprim hetimor për 8 muaj, si dhe nuk është respektuar qarkorja e Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me interpretimin që duhet ti bëhej veprës penale për “ndërtim të paligjshëm”. Gjithashtu, ka rezultuar se në një vendim pushimi të vitit 2015, Fishta nuk ka disponuar lidhur me aktet e sekuestruara.

Nga të dhënat arkivore janë evidentuar dy urdhërat e Prokurorit të Përgjithshëm për masa disiplinore ndaj prokurores Fishta. Urdhëri i parë i vitit 2014 për masën disiplinore vërejtje me paralajmërim për shkakrkim, është bazuar mbi një akt kontrolli të ushtruar nga Drejtoria e Inspektimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme për periudhën 2012-2014, nga janë konstatuar tejkalime të afateve në vendimet e mosfillimit të procedimeve penale; nisje e procedimeve penale jashtë afateve. E pyetur nga relatorja Tafa se përse drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës kishte kërkuar inspektim ndaj saj edhe pse ishte në fillimet e detyrës, prokurorja Fishta nuk preferoi të jepte shpjegime.

Kështu, në vitin 2012 janë konstatuar pesë raste kur procedimet janë filluar jashtë afatit dhe gjashtë raste raste kur subjkti nuk ka kryer hetime për disa muaj. Në vitin 2013 janë evidentuar 34 raste të tejkalimit të afateve të hetimit, ku në një rast ka qenë deri në 189 ditë. Sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, ka pasur mosrespektim të afateve edhe në vendimet për pezullimin e hetimeve.

Duke iu referuar gjetjeve të Prokurorisë së Përgjithshme, Tafa tha se në 51 vendime pushimi, 31 ka rezultuar të jenë kryer jashtë afatit, ku në 3 raste është kryer 9 muaj në tejkalim të afatit dhe në 1 rast 15 muaj më vonë. Në një rast, edhe pse Prokurori i Përgjithshëm ka shfuqizuar një vendim pushimi të subjektit të vitit 2015 lidhur me një çështje të mëparshme, ajo nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për tetë muaj. Në një procedim të vitit 2014 ka rezultuar se nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për dy vjet e një muaj.

Tafa evidentoi një rast, kur për shkak të mosdhënies zgjidhje për një procedim penal, policia është detyruar të referojë sërish të njëjtat fakte, që janë hetuar nga një tjetër prokuror. Një person i identifikuar si autor i një vepre penale nuk është vënë para përgjegjësisë për shkak të zvarritjes së hetimeve nga subjekti dhe është kapur më vonë në flagrancë nga policia duke kryer një tjetër paligjshmëri.

LEXO EDHE  U kap me 1 kg kokainë, arrestohet shqiptari

Në seancë u relatua se vonesat e hetimeve kishin sjellë si pasojë humbjen e fuqisë së masave të sigurisë dhe se ka pasur raste kur të proceduarit janë mbajtur në qeli pa masa sigurie. Tafa tha se ka qenë drejtuesi i prokurorisë që ka konstatuar këytë situatë dhe ka marrë masa.

Në një rast, Fishta e ka dërguar të pandehurin në gjykim pa vendosur ndaj tij masë sigurie, edhe pse kishte qenë i identifikuar që në momentet e para.

Tafa tha se zvarritjet kanë ndodhur për neglizhencë, pasi në të shumtën e rasteve nuk janë deleguar veprime hetimore. Ajo shtoi se, edhe në rastet kur janë deleguar veprime hetimore, sygjerimet e oficerëve të Policisë Gjyqësore kanë mbetur pa u trajtuar për periudha të caktuara nga subjekti.

Nga verifikimet ka rezultuar se subjekti nuk iu ka njoftuar vendimet e mosfillimit të procedimeve subjekteve të interesuar.

Nga kontrolli i ushtruar në zyrën e Fishtës janë gjetur vendime dhe fashikujt hetimorë të përfunduar që nuk i janë njoftuar drejtuesit dhe nuk janë dorëzuar në sekretari, në disa raste për rreth dy vjet.

Ndërkohë, ka rezultuar se 77 seanca gjyqësore janë shtyrë për shkak të mungesës së prokurores Fishta pa dhënë ndonjë arsye të përligjur.

Edhe në inspektimin e kryer në vitin 2016 janë gjetur zvarritje sistematike të hetimeve.

Relatorja Tafa shpjegoi se, në funksion të hetimit administrativ, Komisioni ka përzgjedhur me short 10 dosje për periudhën 2015-2016, prej nga janë konstatuar vonesa të pajustifikuara të hetimeve; mosnjoftim i vendimeve palëve të interesuara; mospërputhje dhe manësi. Edhe në 6 denoncimet e publikut ngrihen kryesisht probleme të zvarritjeve të hetimit.

Në seancë u evidentua edhe cënimi i të drejtës së një të pandehuri që i janë marrë deklarime edhe pse është konstatuar se ai nuk ka ditur të shkruajë e lexojë.

Fishta e kundërshtoi këtë gjetje. Ajo tha se personi në fjalë kishte njohuri minimale gramtatikore dhe se për këtë arsye ishte paraqitur me avokat të zgjehdur nga vetë ai. Sipas subjketit, i pandehuri kishte shkruar rregullisht emrin, mbiemrin dhe firmën e tij.

Lidhur me një konstatim se në zyrë i ishte gjetur një dosje e një kolegu, Fishta u justifikua se e kishte sjellë padashje oficeri i Policisë Gjyqësore, i cili kryente veprime hetimore për llogari të të dy prokurorëve.

Prokurorja Fishta deklaroi tha se gjetjet e inspektimit të parë për periudhën 2012-2014 lidhen me çështjet e hetuara në fillimet e detyrës së saj.

Ajo këmbënguli se mosfillimet e hetimeve kanë qenë në çmimin e prokurorit të çështjes dhe se afatet ishin të ndryshehme. “Vonesat në vendimet e mosfillimit nuk sjellin asnjë pasojë penale”, pohoi Fishta dhe pretendoi se ndonjëherë është nevojitur të priste akt-ekspertimet për të konkluduar.

Për pezullimet ajo pretendoi se ishin kryer benda afateve. Fishta kundërshtoi edhe konstatimin për afatet e paraburgimit, lidhur me qëndrimin e të pandehurve në qeli pa masë sigurie. Sipas subjktit, kishte pasur zëvendësim mase për të pandehurit.

Fishta pranoi se në fillim të karrierës së saj nuk kishte qenë e orientuar lidhur me administrimin e dosjeve dhe se kjo kishte qenë arsyeja përse fashikujt e çështjev të gjykuara i kishte mbajtur aty. “Në vend që t’i arshivoja i mbaja në zyrë. Ka lidhje me mosnjohjen e procedurave, por nuk ka sjellë pasoja dhe nuk është në shkelje të ligjit”, pohoi Fishta.

Ndërkohë, prokurorja Fishta e cilësoi të pabazuar raportin e inspektimit të dytë të kryer në vitin 2016. Ajo tha se Ministria e Drejtësisë e kishte filluar inspektimin bazuar në ankesat e kryera ndaj dy prokurorëve të tjerë dhe se nga raporti ajo kishte rezultuar me më pak shkleje se nga gjithë kolegët e saj, pavarësisht se ndaj saj ishte dhënë vërejtje.

“Kam marrë vërejtje dhe mendoj se është gjë e gjykuar. Janë konstatuar zvarritje që nuk kanë vazhduar më. Punoj me korrektesë”, tha Fishta.

Relatorja Tafa e cilësoi të veçantë rastin e prokurores Fishta. “Në dy kriteret e para që janë zakonisht problematike, ju rezultoni pa probleme. Kurse për profesionalizmin ka probleme të shumta”, konstatoi Tafa.

Fishta ripërsëriti se në fillimet e saj kishte pasur vështirësi, ndërkohë që kishte ndërruar jetë edhe babai. Ajo shtoi se e kishte pasur të pamundur të kundërshtonte urdhërin e prokuorit të Përgjithshëm për masën disiplinore dhe se nuk e kishte marrë guximin atëherë.

Interesimit të relatores lidhur me mosnjoftimin e të jgitha palëve, Fishta shpjegoi se në atë periudhë nuk ishte detyruese për të njoftuar të gjithë palët e interesuara.

Në përfundim prokurorja Riselda Fishta falënderoi Komisionin hetimin administrativ të kryer ndaj saj dhe kërkoi konfirimimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 14 korrik, ora 09:30./BIRN/