Nga Boldnews.al
Megjithëse abuzimi me tenderat shtetërorë është temë kryesore e debatit politik dhe publik gjatë ditëve të fundit, Qendra Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) po vijon e patrazaruar procedurën me vlerë 5.2 milionë euro për mirëmbajtjen 4-vjeçare të aparaturave mjekësore, pavarësisht se ka pasur dyshime publike dhe jo vetëm, për klientelizëm, favorizim dhe shpërdorim detyre.
Kompani të ndryshme shqiptare, të angazhuara prej vitesh në mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, kanë ngritur pikëpyetje zyrtare mbi kriteret e përcaktuara për këtë procedurë tenderuese.
Por, sipas të dhënave të siguruara nga “Boldnews.al”, shqetësimet e tyre janë përballur me përgjigjet lakonike dhe aspak sqaruese të drejtuesit të QSUT-së, Enkelejd Joti.
QSUT “anashkalon” pikëpyetjet
Referuar burimeve konfidenciale, përgjigjet e Jotit janë kufizuar vetëm në arsyet se përse ai dhe administrata e tij kanë përcaktuar kriteret kualifikuese, pa i shoqëruar me argumentat përkatëse.
E, në fakt, argumentimi, sidomos në aspektin teknik, është një prej elementëve më thelbësorë të procedurave për të siguruar mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.
Redaksia ka mësuar nga burime brenda administratës së QSUT-së mbi shkëmbimin shkresor mes Jotit dhe kompanive të ndryshme, të cilat kanë kryer mirëmbajtjen e aparaturave spitalore prej shumë vitesh.
Një ndër pikat që shoqëritë private i kanë kërkuar sqarime drejtorit të QSUT-së është fakti se cila është baza ligjore, mbi të cilën ai ka vendosur pikëzimin e soft-it të pajisjeve mjekësore.
Në dokumentat e tenderit, QSUT ka vendosur t’i japë 15 pikë për soft-et elektronike, ndërkohë që ligji për “Prokurimet Publike” i ndalon këto lloj përcaktimesh.
Siç deklarojnë burimet e rezervuara, Joti, në përgjigje të kësaj pikëpyetjeje, është mjaftuar vetëm me argumentin e perifrazuar pak a shumë se kjo gjë i duhet.
Kjo përgjigje, për të cilën burimet shprehen të sigurt që është artikuluar në formë të tillë, dëshmon se për Enkelejd Jotin nuk ka shumë rëndësi detyrimi ligjor, por vetëm pikëzimi i soft-it, megjithëse drejtuesi i QSUT-së, pavarësisht pozicionit që mban prej disa vitesh, nuk ka pasur aspak karrierë në menaxhimin e strukturave spitalore.
Nga ana tjetër, duke përfshirë edhe barrierën e licensimit të pamundur të softit në kohë rekord dhe që sjell skualifikimin e firmave shqiptare, “këmbëngulja” e Jotit mund të ndikojë që çmimi i ofertuesit të jetë artificialisht i fryrë dhe, natyrisht, shoqërohet me kosto shumë të larta e që mund të përballë drejtuesit e QSUT, përfshirë edhe z. Joti, me akuzat për krim ekonomik.
Lista “e përmbysur”
Duke analizuar më thellë në dokumentat e tenderit 5.2 milionë euro, dallohet qartë se QSUT, në pjesën më të madhe, ka vendosur në listën e mirëmbajtjes së aparaturave të parëndësishme, ndërkohë që janë lënë jashtë kësaj procedure pajisjet kryesore mjekësore.
Sipas burimeve të redaksisë, lista e aparaturave të përfshira nga Joti në tender, në rast se do të blihen të reja, kushtojnë rreth 3 miliardë lekë (të vjetra), shoqëruar edhe me garanci 4-vjeçare.
Ndërsa, drejtuesit e QSUT kanë vendosur që për mirëmbajtjen 4-vjeçare të këtyre aparaturave, të shpenzojnë 6.5 miliardë lekë (të vjetra), pra më shumë se dyfishin e vlerës nëse do t’i blinin të reja.
Specialistët shpjegojnë…
“Boldnews.al”, e cila ka raportuar edhe më herët për dyshimet mbi tenderat në Shëndetësi, e sidomos ato të pajisjeve mjekësore, ka kontaktuar me specialistë të fushës.
Megjithëse në kushte konfidencialiteti, disa prej këtyre specialistëve të kontaktuar, të cilët janë pjesë e stafit të QSUT-së, por edhe të procedurave administrative, kanë ngritur një seri dyshimesh mbi veprimet e ndërmarra nga drejtuesi i Qendrës Spitalore Universitare Tiranë.
Ligji shqiptar për “Prokurimet Publike” detyron autoritetet kontraktore që, për tenderat me qoftë edhe 1 euro, fondi limit përcaktohet pasi të jenë marrë më parë të paktën tre kërkesa për ofertë.
Në rastin e tenderit për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore, ku vlera është rreth 5.2 milionë euro dhe si objekt i procedurës janë aparatura të prodhimeve të huaja, QSUT duhet të kishte marrë më së paku tre oferta nga kompani lokale, pra shqiptare dhe ndërkombëtare.
Por, siç mëson redaksia, QSUT nuk e ka ndjekur këtë procedurë paraprake, duke krijuar dyshime për mënyrën e përcaktimit të fondit limit, si edhe krijon hapësirë për pasoja të rënda ekonomike, me sfond penal.
Po ashtu, burimet nga administrata e Jotit, flasin me bindje se drejtori i QSUT-së ka shpallur tenderin për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, pa u firmosur më parë praktika nga i gjithë grupi i punës, i ngritur për këtë procedurë.
Ka të tjerë që tregojnë se, gjatë fazës së parë të pandemisë, periudhë që përkon me kohën përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit, ka patur biseda virtuale ndërmjet stafit të Enkel Jotit dhe një avokati shqiptar, i cili përfaqëson interesat e një kompanie, për të cilën ka dyshime se është paracaktuar për fitimin e tenderit gjigand dhe ku ai i orientonte për mënyrën se si duheshin hartuar kriteret kualifikuese.
Ai tender, i parashikuar të mbyllej vitin e kaluar, nuk e realizua.
Pas zgjedhjeve, Joti e riktheu sërish idenë e tenderit për mirëmbajten 4-vjeçare të aparaturave mjekësore, tashmë me staf të ri, duke larguar nga grupi i punës të gjithë personat, të cilët falë integritetit të tyre, nuk kishin pranuar të zyrtarizonin “orientimet” e pambështetura në ligj.
Goditje “poshtë brezit”
Persona pranë strukturave drejtuese të QSUT-së, të njëjtët që u përfshirë në hartimin e procedurave të këtij tenderi duke bashkuar pa asnjë argumentim të gjitha aparaturat në një lot, duke hequr kërkesën për autorizim prodhuese dhe për certifikata trajnimi të stafit, tashmë kanë nisur edhe një “sulm” tjetër, nga ato “poshtë brezit”, ndaj kompanive shqiptare të përfshira prej vitesh në mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.
Kohët e fundit, autorë anonimë publikuan artikujt të ndryshëm në media të caktuara, ku shkruhej, tërësisht pa fakte dhe jashtë realitetit, se “distributorët lokalë kishin marrë tenderat e mirëmbajtjes në kokë (pranë fondit limit)”
Nëpërmjet kësaj “strategjie mediatike”, u synua trumbetimi në mënyrë indirekte i “platformës Joti” për të realizuar një tender të përqëndruar në një dorë.
Në fakt, e vërteta është shumë më ndryshme dhe për të dhënë argumenta mbi seriozitetin dhe angazhimin maksimal të kompanive shqiptare, mjafton të përmendet një tjetër tender për pajisjet e rënda mjekësore, të zhvilluar në maj të këtij viti.
Ai tender u shpall edhe në median ndërkombëtare.
Në atë tender, në mënyrë apriori, mirëmbajtja e aparaturave, furnizimi me helium madje dhe furnizime me konsumabël, është llogaritur me 8% te vlerës së blerjes dhe, sipas direktivave të K.L.SH, në dy vitet e para janë llogaritur me 7% të vlerës.
Këto llogaritje me 8% janë bërë apriori në vitin 2014 nga ish-Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar publikisht si “simbol” në korrupsion nga partitë opozitare dhe të tjerë emra me peshë në jetën sociale në Shqipëri.
Ndërkohë që nga njëra anë llogaritet me 8% mirëmbajtja, përfshirë edhe furnizimi me konsumabël të aparaturave të rënda në gjithë Shqipërinë, nga ana tjetër, për mirëmbajtjen e aparaturave te IT ne gjithë Shqipërinë u vendos mbi 24%-25% të vlerës reale, megjithëse kjo vlerë ishte e fryrë dhe lloji i punës ishte tërësisht i ndryshëm.
Dhe, në atë kohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Beqaj, akuzohej se ende nuk i kishte shkëputur lidhjet me ish-kompaninë e tij, e cila operonte në fushën e pajisjeve teknologjike.
Duke llogaritur vetëm inflacionin dhe që çmimi i realizimit të projektit nuk ka lëvizur që nga viti 2013, del që vetëm me inflacion, monedha vlen 15% më pak, vlera e kontratës është ulur minimumi me 15%.
Duke llogaritur që aparaturat janë edhe 8 vjet me te vjetra se sa viti 2013, del që vlera e mirëmbajtjes duhej te ishte edhe me tepër e shtuar.
Pra, del qartë që është një sakrificë e madhe e distributorëve shqiptarë, pasi mirëmbajtja nuk behet dot me vlerën që Ministri Beqaj vendosi apriori në kohën e tij dhe që distributorët lokalë nuk kanë abuzuar me çmimet, por përkundrazi.
Një tjetër argument në favor të kompanive shqiptare është edhe krahasimi me shtetin më të ri në rajon, Kosovën.
Për të njëjtat pajisje mjekësore dhe pa konsumabilet, siç është në Shqipëri, qeveria e Kosovës ose e shteteve te tjera ballkanike merr 13 % te vlerës se aparatit, për mirëmbajtje.
Pra, distributorët lokale, jo vetëm nuk po abuzojnë, por me korrektesë maksimale po bëjnë mirëmbajtjen e aparaturave anembanë Shqipërisë.
Vlera e ulët e parave të alokuara në atë tender, për të cilin ngrihen “pikëpyetje abuzive nga anonimë mediatikë”, nuk krijonte asnjë mundësi që firmat të uleshin në ofertë.
Aq më tepër kur dihet që, këta distributorë nuk janë në listën e “kompanive të preferuara” që marrin tendera Covid-i apo të tjerë nga Ministri Ogerta Manastirliu.
Përkundrazi, ato janë në radhën e firmave të diskriminuara dhe kjo është një nder arsyet që, megjithëse tenderi i Majit të këtij viti u shpall edhe në “Financial Times”, asnjë kompani e huaj nuk mori pjesë në atë procedurë, për shkak të buxhetit shumë të vogël dhe numrit të madh të pajisjeve të ndërlikuara.
Madje, në atë tender, nuk mori pjesë as kompania gjermanofolëse, e cila duket se “po përgatit” kriteret për tenderin e ri 5.2 milionë euro të mirëmbajtjes së aparaturave të QSUT.
Por, krejt e kundërta ndodh në tenderin e organizuar nga drejtori i QSUT.
Në këtë rast, aparaturat janë tërësisht të parëndësishme, që nuk konsumohen si aspiratorë, respiratorë, monitorë, llamba operacioni, tavolina operacioni etj.
Në këto pajisje, nuk ka detyrim për t’i pajisur me pjesë konsumi.
Në shumë vende të botës, ka pajisje që, për mirëmbajtjen e tyre, shpenzohen 2% e vlerës së blerjes, ose aparatura që nuk kanë nevojë për mirëmbajtje.
Pjesët e këmbimit të këtyre pajisjeve janë shumë të lira dhe xhiro e ekzaminimeve është shume e vogël.
Sipas specialistëve të fushës, pikërisht këto aparatura ka vendosur drejtuesi i QSUT-së, Joti dhe vartësit e tij, në tenderin e ri 5.2 milionë euro.
Të njëjtët japin edhe shpjegime teknike, duke sjellë edhe shembuj konkret.
Sipas tyre, një sallë operimi nuk vihet në punë me tepër se 1000 herë në vit, ndërsa një aparat CT Scanner vetëm në një muaj mund të bëjë 1200-1300 ekzaminime. Pra, aparaturat e imazherisë konsumohen më shumë se ato të kirurgjisë të Reanimacionit të QSUT.
Në fakt, në të gjithë botën nuk ka përqindje fikse për mirëmbajtjen e aparaturave, por ato vendosen të ndryshme nga një aparat në tjetrin, sipas tipologjisë së aparatit.
Përshembull, një aspirator që ka vetëm tuba dhe një pompë ka përqindje të ndryshme nga një radiologji.
Në rastin e parë është 4% dhe në të dytin 13%. Kështu vepron bota me “full risk”, shpjegojnë specialistët.
Po ashtu, ekspertët japin edhe një shpjegim që ndërthur elementin teknik me atë politik.
Sipas tyre, me gjithë numrin e rritur te ekzaminimeve nëpër rrethe, me gjithë krenarinë që ministrat apo drejtorët “rilindas” tregojnë me shkurtimin e kohës së pritjes së popullsisë për një ekzaminim, faktet tregojnë që në asnjë rreth të Shqipërisë në 8 vitet e fundit, nuk është shtuar ndonjë CT Scanner, MRI apo ndonjë aparaturë tjetër imazherike, duke qenë se puna është shumëfishuar.
Në asnjë spital të Shqipërisë nuk ka një CT për spital dhe një CT për sistemin parësor, por të gjithë dynden te CT Scanner i spitalit.
Shkurtimi i kohës së pritjes është bërë vetëm si pasojë e stërmundimit të aparaturave aktuale imazherike, duke punuar jashtë kapacitetit.
Madje, burime konfidenciale flasin edhe për një shkresë të Zv. Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj. Mira Rakacolli (njëkohësisht drejtuese e Komitetit të Ekspertëve të Pandemisë), që orienton spitalet të kenë një normë të caktuar ekzaminimesh, nën të cilën nuk duhet të zbresin.
Vëllai i zonjës Rakacolli, G.R, i cili ka qenë drejtor në kompaninë private IT të Ilir Beqajt, “duket” dhe “zhduket” në mënyrë periodike në Shëndetësinë shqiptare.
Pavarësisht luhatjeve të këtij personazhi, një gjë nuk ndryshon asnjëherë-rritja e fondeve shtetërore të thithura për mirëmbajtjen e aparaturave të IT.
Flitet që 1 milion Euro janë vetëm pagesat e prapambetura për mirëmbajtjen e IT vetëm për një firmë që është akuzuar nga shtypi për lidhjen me Beqajn.
Ping-pongu procedurial
Duket qartë se “goditja poshtë brezit” ndaj kompanive shqiptare, synon që t’i japë udhë “projektit Joti” për tenderin e ri 5.2 milionë euro për aparaturat mjekësore të QSUT.
Por, këtu gjërat komplikohen në dëm të menaxherave në detyrë të Qendrës Spitalore Universitare.
Me tenderin e ri, synohet që mirëmbajtja e aparaturave të realizohet edhe nga kompani me 5 inxhinjerë dhe pa certifikimet përkatëse.
Atëherë, për ekspertën e cituar nga “Boldnews.al”, vetiu lind pyetja- nëse Joti dhe QSUT i kanë kaq për zemër mënyrat moderne të menaxhimit, përse nuk ua ngarkoi këtyre kompanive me 5 inxhinjerë mirëmbajtjen e aparaturave të sofistikuara?
Po ashtu, “përse kjo firmë gjermano-folëse, që duket e paracaktuar për tenderin e ri, pse nuk mori pjesë në tenderin e imazherisë, të shpallur edhe në “Financial Times”, për të përmbushur në këtë mënyrë edhe dëshirën e Jotit “për të përmirësuar performancën e QUST?”
E, në fakt, Joti dhe administrata e tij i lanë pa rregulluar aparaturat imazherike gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
Këto aparate vazhdojnë të jenë të prishura. E, megjithatë, Joti nuk i përfshiu në listën e mirëmbajtjes, duke krijuar vend për dyshimet se ai nuk ka dashur të ngarkojë me shpenzime “kompaninë e paracaktuar”.
Thuhet gjithashtu që edhe dokumentacioni i blerjes së shumë aparateve që janë në listë për t’u mirëmbajtur është zhdukur.
Atëherë, si është llogaritur fondi limit? Pa patur 3 oferta, pa ditur kostot e shumë aparaturave, ku të llogaritje përqindja e mirëmbajtjes mbi vlerën e blerjes së tyre, pa ditur kostot e menaxhimit, si doli fondi limit zotit Enkelejd Joti?
Por kjo nuk mjafton.
“Boldnews.al” mëson që disa kompani shqiptare iu drejtuan Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) për shkelje të procedurave nga ana e QSUT.
Por, APP, i cili është institucioni i ngarkuar me ligj për trajtimin e këtyre problemeve, nuk ka kthyer përgjigje, duke i përcjellë përgjegjësitë te Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), gjë e cila nuk është e vërtetë nga ana legale.
Dyshimet
Ky tender tregon më së miri që përveç hijeve të thella korruptive, historia e qeverisë për përthithjen e studentëve të ekselencës, është vetëm një imazh, pasi në institucionet kryesore drejtojnë ish studentë të dekadencës që e përfunduan shkollën e lartë 8 vite pas mbarimit të shkollës së mesme, siç është rasti i zotit Enkelejd Joti.
Pavarësisht problematikave të ngritura në mënyrë periodike nga “Boldnews.al” mbi këtë procedurë tenderuese, sërish disa detaje mbeten në hije;
• Përse ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dërgoi 2 punonjës nga stafi i Ministrisë së Shëndëtësisë dhe Mbrojtjes Sociale në grupin e punës së këtij tenderi?
• Ku e gjen sigurinë Z. Joti që në këtë moment, ku lufta kundër korrupsionit është në plan të parë, të vazhdoj me ngulm procedurën e këtij tenderi?
• Çfarë ankesash ka patur Z. Joti për mirëmbajtjen në Q.S.U.T.o se në të gjithë Shqipërinë, që do të ndryshojë procedurat e këtij tenderi?
• Përse procedura e këtij tenderi filloi 8 muaj para zgjedhjeve dhe më pas Joti e ndërpreu dhe i bëri kontrat 1 vjeçare firmave me kushtin që mund t’i ndërpresë kur të dojë ai kontratën dhe e rifilloi urgjent procedurën 2 javë pas zgjedhjeve?
• Përse APP nuk prononcohet të japë rekomandimet dhe sugjerimet e saj për këtë tender, por ankesave të firmave shqiptare i përgjigjet që është KPP institucioni i përgjegjshëm për ankesat për tendera dhe vetëm KPP ka të gjitha atributet për shqyrtimin e ankesave. Atëherë, kush është roli i APP-së? Përse APP eviton të ndërhyjë për këtë shkelje flagrante?
• Përse dënohen pjesëmarrësit e komisioneve të tenderave kur ata përdoren nga eprorët e tyre? Joti apo Ministri, në varësi se ku bëhet tenderi janë Kryetarët e Entit Prokurues dhe kanë përgjegjësi të plotë, pasi ata firmosin përfundimin e tenderit. Grupet e punës dhe komisionet janë vetëm “vegla” për të plotësuar urdhërat e eprorëve.