Nga Sophia Deboick
“The New European”
Babai themelues i Bashkimit Evropian, mund të fitojë së shpejti një aureolë hyjnore. Robert Schuman ishte burrështetasi francez i lindur në Luksemburg, që themeloi Këshillin e Evropës dhe ideoi planin e pasluftës për themelimin e një autoriteti të vetëm evropian të çelikut dhe qymyrit.
Ai hodhi themelet për nënshkrimin e Traktatit të Romës në vitin 1957 dhe krijimin e Komunitetit Ekonomik Evropian vitin që pasoi. Ndërkohë, ai u zgjodh kryetari i parë i Parlamentit Evropian. Muajin e kaluar, Papa Françesku njohu “virtytet heroike” të Schuman, duke i dhuruar politikanit katolik titullin “I nderuar”, e para nga tre fazat drejt shenjtërimit të tij të plotë.
Deklarata e Schuman, e nënshkruar më 9 maj 1950 – data kur festohet Dita e Evropës – synonte të lidhte burimet thelbësore të Gjermanisë dhe Francës për prodhimin e armatimeve,duke e bërëçdo konflikt në të ardhmen midis fuqive të mëdha evropiane “jo thjesht të paimagjinueshëm, por materialisht të pamundur”.
Schuman kishte parë më sytë e tij shkatërrimet që solli lufta, ndaj plani i përqendruar tek qymyri dhe çeliku ishte në fakt një mision për vëllazërinë universale. Konflikti në Evropë,e kishte formësuar identitetin e Schuman.
Babai i tij lindi në Alsace-Lorraine franceze, por u bë një shtetas gjerman kur rajoni u aneksua gjatë Luftës Franko-Prusiane të viteve 1870-71. Schuman lindi 15 vjet më vonë me shtetësi gjermane, por kur Alsace-Lorraine iu rikthye Francës pas Luftës së Parë Botërore, ai mori shtetësinë franceze.
Pasi u diplomua për drejtësi, ai luajti një rol kryesor në ri-integrimin e rajonit në kornizën legjislative franceze si anëtar i Moselle, Lorraine, në parlamentit francez duke nisur nga viti 1919. Kur Evropa u përfshi sërish nga lufta, Schuman ishte një ministër i ri në qeverinë franceze.
Ai refuzoi të shërbente kur u vendos regjimi kukull i marrshallit Pétain, dhe u angazhua me Rezistencën Dranceze. U arrestuar nga Gestapo në fundin e vitit 1940, dhe u burgos për 7 muaj. Nazistët planifikuan ta dërgonin në kampin e përqendrimit në Dachau, por ai arriti të arratisej në zonën e lirë franceze dhe të qëndronte i fshehur, shpesh nëpër kisha dhe manastire deri në fundin e luftës.
Schuman mbajti disa poste ministrore duke nisur nga viti1946. Ai e formuloi Deklaratën Schuman gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm midis viteve 1948-1952 pasi kishte mbajtur për dy periudha të shkurtra postin e kryeministrit të Francës.
Ngjashëm me roli i tij në projektin evropian, Schuman ishte një figurë kryesore edhe në themelimin e NATO-s, gjë që pasqyroi fjalët e Deklaratës së tij: “Paqja në botë nuk mund të mbrohet pa përpjekje kreative proporcionale kundër rreziqeve që e kërcënojnë atë”.
Vlerësimi i kontributit të Schuman nga Vatikani, ka shumë kuptim nën dritën e kritikave të forta të Papa Françeskut ndaj Brexit dhe minimin qëi ka bërë ai projektit evropian.
Vetëm një muaj para referendumit mbi Brexit, Papa mori çmimin “Karli i Madh” për unitetin Evropian – një çmim i fituar nga vetë Schuman në vitin 1958 -dhe në fjalën e rastit ai vuri re se “dëshira për të krijuar unitet duket se po zbehet”, duke folur me tone kritike ndaj atyre që “mendojnë të ndërtojnë gardhe”.
Ndërkohë në komentet e bëra menjëherë pas referendumit pro Brexit, Para e vuri theksin tek rëndësia e vazhdimit të garantimit të “bashkëjetesës në të gjithë kontinentin evropian”. Ndërsa enciklika e vitit të kaluar “Fratelli Tutti” (Të gjithë vëllezër), theksonte ndër të tjera se “në shumë vende, hiperbola, ekstremizmi dhe polarizimi, janë shndërruar në mjete politike”.
Në fjalimin e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit, në të cilin ishin të pranishëm shumë udhëheqës të BE-së, Papa kritikoi dobësitë e BE-së, sidomos në trajtimin e krizës së emigrantëve. “Unë ëndërroj një Evropë ku të jesh emigrant nuk është një krim”- tha ndër të tjera kreu i Vatikanit, duke theksuar se gjithsesi vazhdon të besojë tek projekti evropian, siç u konceptua për herë të parë nga Schuman dhe të tjerët:Etërit themelues të Evropës ishin lajmëtarë të paqes dhe profetë të së ardhmes. Sot më shumë se kurrë, vizioni i tyre na frymëzon të ndërtojmë ura dhe të shembim mure”.
Nuk është për t’u habitur që Papa po mbështet ngritjen e Schuman në piedestal. Dhe nuk është dhe aq befasuese sa mund të duket në pamje të parë, që jeta e një politikani të përputhet me përkufizimin e Kishës për shenjtërinë.
Papa Françesku ka thënë se edhe pse shpesh denigrohet, “politika mbetet një vokacion i lartë dhe një nga format më të larta të bamirësisë, për sa kohë që ajo synon të mirën e përbashkët”.Vetë Schuman e cilësoi bashkimin e Evropës si realizimin përfundimtar të projektit të Kishës Romake për të bashkuar të ashtuquajturin krishterim.
Edhe para “të nderuarit Robert Schuman”, ka pasur precedentë për individë të shquar që arritën të dilnin të panjollosur nga politika e egër, për t’u vendosur në rrugën e shenjtërisë. Koncepti i Schuman mbi një komunitet mbi-kombëtar evropian, ishte formësuar pjesërisht nga libri “Utopia” i Thomas More, që siç tha politikani francez “krijoi në mënyrë abstrakte kornizën për sistemet që ishin të zgjuara dhe bujare”.
Dhe More është politikani-shenjtor më i famshëm nga të gjithë. I kanonizuar në vitin 1935, martirizimi i tij për shkak të mbrojtjes së palëkundur të besimit të tij katolik, e bëri atë të përshtatshëm për shenjtërim. Persekutimi i dhunshëm që kreu ndaj heretikëve protestantë, nuk ishte kurrfarë pengese për procesin e shenjtërimit.
Kohët e fundit, Julius Nyerere, presidenti katolik i Tanzanisë me shumicë myslimane, për më shumë se 20 vjet, dhe babai themelues i kombit pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1961, është paraqitur si një kandidat për shenjtërim të mundshëm.
Ai është ende në pjesën e poshtme të shkallares,dhe titulli i tij “Shërbëtor i Zotit” tregon se po hetohet përshtatshmëria e tij për t’u shpallur shenjt. Mbrojtja prej tij e vlerave të familjes, komunitetit dhe të varfërve, i përshtatet mesazheve të Papa Françeskut, por është e paqartë nëse abuzimet me të drejtat e njeriut të regjimit që ai drejtoi, përfshirë arrestimet dhe burgimet e shumta pa gjyq, do të pengojnë procesin e shenjtërimit të tij.
Me rënien e frekuentimit të kishave në Perëndim, Kisha Katolike ka një interes të madh në vlerën marketuese të figurave si Nyerere në rajonet ku shtrihet vitaliteti i saj i ardhshëm. Por shenjtorë të tillë politikanë janë të rrallë, dhe dëshmorët dhe ata që kanë bërë një jetë fetare zyrtare, kanë shumë më tepër gjasa të marrin vëmendjen si shenjtorë të mundshëm. Dhjetë individë të tillë – siç ishin murgeshat e Kongregatës së Motrave të Shën Elizabetës në Poloni, të vrara nga Ushtria e Kuqe sovjetike në vitin 1945, dhe të konsideruar si të martirizuar “për shkak të fesë”- u lumturuan nga Papa në të njëjtën kohë kur Schuman u shpall “I nderuar”.
Njohja e sakrificës së viktimave të luftës në Evropë, së bashku me kontributet e njeriut që u zotua të sigurojë paqen e përhershme, është një kujtesë e miliona tragjedive individuale që nxitën projektin e Schuman 70 vjet më parë. Ajo tregon se çfarë është në fakt në rrezik kur flasim për unitetin evropian.